E shtunë, 12 Tetor, 2024

PAKËNAQËSITË DHE ELITAT POLITIKE NË MAQEDONINË E VERIUT

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë të njëjtin instinkt luftarak dhe revolucionar në shpirt, siç e kanë dhe bashkëkombësit e tyre në Shqipëri, Kosovë dhe në trojet e tjera. Mos dalja, mungesa e revoltës për ta ngritur zërin dhe për të dalë në manifestime të pakënaqësisë e në protesta, gjatë tri dekadave të fundit, vjen shkaku i liderëve të kapur nga pushteti, të cilët në atë mënyrë kanë mbrojtur interesat personale, klanore dhe partiake.

Shkruan: Merxhan Jakupi

Sipas antropologëve, sociologëve dhe psiko-analistëve, te çdo popull ekziston instinkti luftarak, i revoltës dhe i rebelimit. Këta popuj kanë bërë luftëra e revolucione, për t’u çliruar nga robëria, nga prangat dhe të qenit shpirt i lirë. Pas Revolucionit francez, popujt e Evropës shpesh kanë organizuar protesta, demonstrata kundër mbretërve dhe despotëve, për të fituar të drejtat dhe liritë individuale e kolektive. Te shqiptarët, në Shqipërinë komuniste dhe Jugosllavinë Titiste kanë qenë rreptësisht të ndaluara protestat, tubimet dhe manifestimet anti-shtetërore.

Pas shembjes së komunizmit, zbatimit të pluralizmit dhe demokracisë në Shqipëri dhe pas pavarësisë së Republikës së Kosovës, partitë opozitare dhe liderët e tyre, shpesh kanë organizuar manifestime e protesta, ku shumë qytetarë kanë shprehur pakënaqësitë e tyre për padrejtësitë që u janë bërë nga pushtetarët dhe elitat politike.

Ndërkaq, pas pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, tri dekada me radhë nga të gjithë partitë politike shqiptare, PPD, PDSH dhe partia që doli nga krahu i luftës, BDI-ja, si dhe partitë e tjera më të vogla, rrallë ose fare nuk kanë organizuar protesta për padrejtësitë që u bëhen shqiptarëve, që është paksa absurde.

Pas shpalljes së pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, në këtë shtet ka pasur një demokraci hibride, e zbehtë, me liderë nacionalistë, autokratë dhe populistë, sidomos në periudhën e liderit autokrat, Nikolla Gruevskit, periudhë kjo kur shqiptarët ishin të diskriminuar dhe ndaj tyre ushtrohej një segregacion, trysni, burgosje dhe montime gjyqësore e tjerë.

Në periudhën më të errët, kur të dy partitë më të mëdha, VMRO-DPMNE dhe BDI ishin në pushtet, një mik imi më tregoi për takimin me një euro-ambasador në Shkup, të cilit i ishte ankuar për diskriminimin dhe shkeljen e lirive dhe të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ambasadori i kishte thënë se shqiptarët kanë përfaqësuesit e tyre legjitimë në pushtet. Ata përfaqësues janë sovranë për t’i mbrojtur të drejtat legjitime të popullit që i ka zgjedhur. Absurdi dhe paradoksi është se rrallë herë ka pasur revoltë apo protestë nga shqiptarët e Maqedonisë Perëndimore, për të drejtat e tyre të cunguara.

Historikisht shikuar, nocioni demokraci, sipas Aristotelit, ka domethënien e udhëheqjes së pushtetit nga ana e popullit. Një ndër frazat e tij të njohura është edhe ajo për “shtazën politike” (zoo politicum). Kjo metaforë tregon qartë se njerëzit janë në njëfarë dore “shtazë të përsosur”, turma që qeveriset nga Polisi. Aristoteli, në veprën e tij “Politica”, shkruan se pakica qeveris mbi shumicën. Një grup i vogël individësh ushtrojnë sovranitet dhe qeverisin shumicën e popullit. Kjo doktrinë e Aristotelit është parim themelor i qeverisjes. Kjo ka ndodhur që nga demokracia Athinase, që nga mbreti Perikliu, prej kur liritë dhe demokracia e epokës klasike e shekullit 5-4 p.e.s. kanë mbetur si ideale deri në ditët e sotme.

Sipas doktrinës dhe diskursit politik të Aristotelit, ngjashëm edhe shqiptarët në Maqedoninë Perëndimore, i ka udhëhequr Polisi, një grup individësh, kurse shumica s’janë përfillur si njerëz, ndonëse ajo shumicë me vota e ka zgjedhur pakicën elitare politike, për të mbrojtur liritë, parimet dhe të drejtat elementare, sipas kritereve dhe standardeve demokratike.

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë të njëjtin instinkt luftarak dhe revolucionar në shpirt, siç e kanë dhe bashkëkombësit e tyre në Shqipëri, Kosovë dhe në trojet e tjera. Mos dalja, mungesa e revoltës për ta ngritur zërin dhe për të dalë në manifestime të pakënaqësisë e në protesta, gjatë tri dekadave të fundit, vjen shkaku i liderëve të kapur nga pushteti, të cilët në atë mënyrë kanë mbrojtur interesat personale, klanore dhe partiake.

Të fundit