Në seancën e sotme, Qeveria emëroi Ministrin për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, si Kryenegociator për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Zëvendëse e tij do të jetë zëvendësministrja për Çështje Evropiane, Viktoria Trajkov, transmeton KDP.MK.
“Në këtë seancë, Ministria për Çështje Evropiane gjithashtu u ngarkua për përgatitjen e Vendimit të ri për vendosjen e strukturës për negociata për aderimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftimin e MÇE-së.
Kryenegociator paraprak ishte Bojan Mariçiq, ndërsa zëvendëse ishte Drita Halili Abdiu.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të përparuar në rrugën eurointegruese, dhe hapjen e negociatave me Komisionin Evropian. Këto ndryshime përfshijnë shtimin e bullgarëve si popull shtetformues, krahas kombeve të tjera.
Më 19 korrik 2022, u mbajt konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë dhe BE-së, e cila duhej të shënonte fillimin e negociatave. Megjithatë, ky proces u kushtëzua nga nevoja për ndryshimet kushtetuese.
Ky obligim parashihet me marrëveshjen e korrikut të vitit 2022 ndërmjet Bulgarisë dhe Maqedonisë, e cila bazohet në atë që njihet si “propozimi francez” për zgjidhjen e kontesteve për gjuhën, identitetin dhe të kaluarën historike mes dy vendeve. Pasi u arrit kjo marrëveshje, Sofja hoqi veton për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit evropian të Maqedonisë së Veriut në këmbim të kushtit për ndryshimet kushtetuese.