E shtunë, 12 Tetor, 2024

FLORIJAN BIBER: KURTI NUK DËSHIRON SPASTRIMIN ETNIK TË SERBËVE

“Albin Kurtit dhe qeverisë së tij shumëçka mund t’i zihet për të madhe, por nuk do të thosha se është nacionalist dhe se dëshiron të bëjë spastrim etnik të serbëve”. Kështu ka deklaruar në podcastin RADAR, të tv të pavarur serb TV Nova, Florijan Biber, politikolog dhe profesor i Universitetit të Gracit në Austri.

Sikurse njofton kdp.mk, sipas tij, çështja e Kosovës është një temë e ndjeshme, por që nga fillimi i problemeve etnike deri më sot nuk ka një përgjigje se si të mbahet në Serbi territori ku jetojnë dy milionë shqiptarë.

“Njëra nga idetë ishte edhe ndarja e Kosovës, por ajo asnjëherë nuk u artikulua saktësisht dhe jam i sigurt se nga kjo u hoq dorë për shkak se shumica e serbëve në Kosovë jetonin dhe jetojnë në jug të Ibrit. Pas ndarjes eventuale, ata me siguri do të ishin në një situatë më të keqe se tani. Albin Kurtit dhe qeverisë së tij shumëçka mund t’i zihet për të madhe, por nuk do të thosha se është nacionalist dhe se dëshiron të bëjë spastrim etnik të serbëve. Më parë do të thoja se në një mënyrë shumë të dëmshme dhe të diskutueshme, ai dëshiron të konfirmojë sovranitetin mbi të gjithë territorin e Kosovës. Ai është dogmatist. Kur Tadiq e mposhti Koshtunicën në vitin 2008, e mundi atë me mesazhin se Evropa është më e rëndësishme se Kosova. Tadiqi është ai që e humbi rastin, sepse menjëherë pas kësaj të mos kishte filluar ta vendoste Kosovën si shtyllë të politikës së tij të jashtme, Vuçiqi nuk do të vinte kurrë në pushtet. Tadiqit dhe Jeremiqit askush nuk i kërkoi njohjen e pavarësisë së Kosovës, por pritej që të mos e vendosnin në plan të parë si temë”, – thotë Biber duke rikujtuar se Vuk Jeremiq udhëhoqi fushatat kundër Kosovës së pavarur, Boris Tadiq nuk bashkëpunoi për këtë çështje në mënyrën e dëshiruar dhe nuk është sekret se SNS-ja kishte mbështetjen e ambasadorëve perëndimorë në Beograd. Ata e mbështetën Vuçiqin sepse udhëhiqeshin nga logjika se nacionalistët duhet të merren me zgjidhjen e çështjeve kryesore kombëtare.

Lidhur me protestat në Serbi pas marrëveshjes së Beogradit zyrtar me BE-në dhe SHBA-në për hapjen e minierës së litiumit nga kompania ndërkombëtare Rio Tinto në luginën e lumit Jadar, në perëndim të vendit, Biber shpjegon se pse mungon mbështetja e Brukselit për këtë pakënaqësi të një pjese të konsiderueshme të qytetarëve serbë lidhur me këtë projekt:

“Ashtu si Angela Merkel e toleroi Viktor Orbanin, sepse industria gjermane e automobilave punon mirë në Hungari, edhe tani Olaf Scholz ka vendosur të mbështesë Vuçiqin  në mënyrë që me litiumin nga Serbia të forcojë interesat ekonomike të vendit të tij me litium nga Serbia, por edhe të reduktojë varësinë nga Kina. Natyrisht, qeveria gjermane do të bindë veten se problemet mbase edhe nuk janë aq të mëdha – megjithëse të Gjelbërit duhet të paktën të mendojnë për implikimet e tyre transnacionale – ndoshta edhe po mendojnë se si reduktimi i varësisë nga Pekini do të reflektohet pozitivisht edhe për Serbinë. .. dhe këtu është edhe narrativa se projekti Jadar do ta lidhë Serbinë me Perëndimin dhe do ta largojë atë nga Rusia dhe Kina. Mendoj se kjo është  gabim”, – vlerëson Biber.

Sipas tij, mbështetja e projektit Jadar është një gabim tragjik i BE-së:

“Shumë herë kam asistuar në situata ku politikanët ishin më të shqetësuar për rezultatet e disa zgjedhjeve krahinore apo lokale sesa për të menduar strategjikisht. Çmimi i mbështetjes së projektit Jadar do të jetë i lartë – së pari, ju po i largoni njerëzit në Serbi dhe në rajon nga BE-ja, sepse po porosisni se ju interesojnë më shumë mineralet sesa jeta e njerëzve, së dyti, po i jepni mbështetje një autokrati i cili ka ndikim në ngjarjet në Mal të Zi, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Maqedoninë e Veriut. Do të jetë më i fuqishëm dhe më i rrezikshëm, gjë që nuk është e mirë as për vetë BE-në”, – përcjell kdp.mk vlerësimin e Florijan Biberit,profesor i Univerzitetit të Gracit për emisionin Radar të TV Nova./KDP/

Të fundit