Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është takuar me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Serbi, Emanuele Giaufret, ku ka kërkuar që BE-ja dhe shtetet anëtare “urgjentisht dhe me angazhim konkret t’i kundërvihen arbitraritetit të Prishtinës e cila rrezikon sigurinë e popullit serb dhe stabilitetin e gjithë rajonit”, – përcjell kdp.mk njoftimin e presidentit serb në Instagram. Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përsëritur të enjten se garancia e vetme juridike për zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit është nënshkrimi i tyre nga Serbia.
Zyrtarët në Serbi kanë akuzuar Qeverinë e Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti, për “sulme kundër serbëve” në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe. Vuçiq ka deklaruar se për situatën e serbëve kërkohet reagim nga komuniteti ndërkombëtar.
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u ngritën pasi autoritetet kosovare në fund të gushtit mbyllën pesë institucione paralele serbe, të cilat Prishtina i konsideron të paligjshme dhe jokushtetuese, ndërsa Beogradi i ka cilësuar këto veprime si “akte kriminale” që kanë për qëllim “përndjekjen e serbëve”.
Në Kosovë ekzistojnë komuna, sipërmarrje publike, kopshte fëmijësh, shkolla fillore e të mesme, dhe universitete publike, që financohen drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë, dhe gjenden nëpër qytetet ku jetojnë serbët. Sipas ligjeve të Kosovës, këto institucione janë ilegale.
Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania, kanë thënë se veprimet e Kosovës në veri janë të njëanshme dhe të pakoordinuara.
Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje për mbyllje të strukturave paralele serbe prej vitit 2013, mirëpo ajo nuk është zbatuar plotësisht.
Kryeministri Albin Kurti ka përsëritur të enjten se garancia e vetme juridike për zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit është nënshkrimi i tyre nga Serbia.
Tek e ka komentuar refuzimin e Beogradit zyrtar për ta zbatuar ujdinë për të cilën palët në dialog janë pajtuar gojarisht në Bruksel dhe në Ohër gjatë vitit të shkuar, Kurti i ka numëruar hapat që duhet ndërmarrë në mënyrë që marrëveshjet të vihen në zbatim.
“Duhet ta tërheqin atë letrën e ish-kryeministres Bërnabiq, me të cilën ajo ka hequr dorë nga zotimi i Serbisë prej Marrëveshjes bazike dhe Aneksit të zbatimit, duke thënë se nuk e pranon pavarësinë, nuk e respekton integritetin territorial dhe nuk do ta pranojë ulësen e Kosovës në OKB. Po ashtu, duhet që të nënshkruhet Marrëveshja bazike në mënyrë që të tregohet mirëbesimi si një garanci edhe juridike për zbatimin e marrëveshjes. Një marrëveshje e panënshkruar po shihet që është marrëveshje shumë kollaj për t’u mos u respektuar e për të mos u zbatuar”, ka thënë Kurti.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, të martën në Beograd priti të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak.
Para se të mbërrinte në Ballkan, Lajçak deklaroi se shkon në Prishtinë dhe Beograd për të përgatitur takimin së shpejti të kryenegociatorëve Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Vuçiq më pas deklaroi se përveç Lajçakut ka pasur një takim edhe me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill.
Ai bëri të ditur se në 72 orët e ardhshme do t’i drejtohet publikut për gjithçka që po ndodh në Kosovë, për atë që nuk ka përmbushur bashkësia ndërkombëtare lidhur me krizën në Kosovë, si dhe për kërkesat e Serbisë dhe çfarë do të bëjë Serbia.
Mediat e Beogradit raportojnë se presidenti i Serbisë do t’i drejtohet publikut të premten në orën 18:00.
Sipas tij, përfaqësuesit e pushtetit gjatë muajit tetor do të dalin para Kuvendit të Serbisë me “plan dhe masa serioze për çështjen e problemit kosovar”. Vuçiq, po ashtu, tha se është i gatshëm të shkojë në Bruksel për dialog me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në mënyrë që të përmirësohet pozita e komunitetit serb në veri të Kosovës.
Takimi i presidentit serb me diplomatin evropian u bë një ditë pasi, të mërkurën, Prokuroria e Posaçme e Kosovës shpalli ngritjen e aktakuzës ndaj 45 personave për përfshirje në sulmin e një viti më parë në fshatin Banjskë në veri të vendit, në një nga ngjarjet më të rënda që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, duke nxitur shqetësime për qëndrueshmërinë në rajon.
“Ndër të akuzuarit kryesorë është edhe individi me pozitë kyçe si udhëheqës i grupit Milan Radoiçiç i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale”, tha prokurori i rastit.
Sipas prokurorisë, të akuzuarit kanë luajtur role të ndryshme brenda grupit kriminal duke filluar nga organizimi, drejtimi i veprimtarive terroriste deri te financimi dhe shpëlarja e parave. Ndërkaq, Bashkimi Evropian mirëpriti të enjten shpalljen e aktakuzës, ndërsa theksoi se pret bashkëpunimin e Serbisë për këtë çështje./KDP&Agjencitë/