E shtunë, 12 Tetor, 2024

BOTA VAZHDON TË PËRBALLET ME TERRORIZMIN EDHE 23 VJET PAS SULMEVE TË 11 SHTATORIT

Nënpresidentja Kamala Harris mori pjesë së bashku me Presidentin Joe Biden në përkujtimin e 23-vjetorit të sulmit më të rëndë terrorist në territorin amerikan. Edhe kandidati i republikanëve për president, Donald Trump, mori pjesë në ceremonitë për nder të viktimave të sulmit terrorist. Pavarësisht se cili nga kandidatët do të fitojë zgjedhjet në nëntor, Kamala Harris apo Donald Trump, presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara do të vazhdojë të përballet me një sërë kërcënimesh,-përcjell kdp.mk vështrimin e Zërit të Amerikës.

Në një ditë të bukur shtatori në vitin 2001, dy aeroplanë të rrëmbyer nga terroristët goditën Kullat Binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork. Më pak se një orë më pas, një avion tjetër goditi Pentagonin, simboli i fuqisë ushtarake amerikane.

Në të njëjtën ditë, një avion tjetër i rrëmbyer u rrëzua në një pjesë rurale të Pensilvanisë. Këto sulme terroriste në territorin e Shteteve të Bashkuara ndryshuan botën.

Njëzet e tre vjet më vonë, Presidenti Joe Biden dhe Nënpresidentja Kamala Harris shënuan këtë ditë solemne me momente heshtjeje, duke vizituar tre vendet e goditura, familjet e viktimave dhe ekipet emergjencave. Ata gjithashtu ishin të pranishëm në ceremoninë e leximit të emrave të viktimave nga anëtarë të familjeve të tyre.

Në këtë atmosferë në kontrast me atë të sezonit të fushatës për zgjedhjet presidenciale, morën pjesë edhe kandidati i republikanëve për president Donald Trump dhe ai për nënpresident JD Vance.

Ata u takuan gjithashtu me familjet dhe ekipet e emergjencave.

Presidenti Biden dhe Nënpresidentja Harris lëshuan deklarata me shkrim për tragjedinë.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje nga Zëri i Amerikës, Shtëpia e Bardhë tha se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë t’i marrin seriozisht kërcënimet terroriste.

“Përsa u përket aftësive kundër terrorizmit, ne kemi dëshmuar se jemi në gjendje të monitorojmë dhe të përballemi me këtë kërcënim edhe në kohë reale nëse është e nevojshme. Ne i kemi parasysh sfidat e këtij problemi dhe jemi të përqendruar në përmirësimin e aftësive tona për trajtimin e këtij kërcënimi”, tha John Kirby, zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë për çështjet e Sigurisë Kombëtare.

Por ekspertët e terrorizmit theksojnë se në disa rajone të botës ka një rritje të kërcënimit nga terrorizmi, përfshirë Afganistanin dhe Afrikën Perëndimore.

“Kemi parë një rritje të grupeve të lidhura me ISIS-in në Afrikën Perëndimore, si dhe një rritje të grupeve të lidhura me Al-Kaidën në Afrikën Perëndimore. Disa vende të Afrikës Perëndimore janë bërë më autoritare dhe fraksionet e dhunshme brenda tyre kanë marrë pushtetin me forcë, duke injoruar demokracinë. Kjo ka rezultuar në largimin e vendeve si Shtetet e Bashkuara dhe Franca, të cilët kanë përqafuar një sistem të sundimit të ligjit kundër grupeve të dhunshme”, thotë Jason Blazakis, ekspert i terrorizmit në Institutin Middlebury për Studime Ndërkombëtare.

Eksperti i terrorizmit Blazakis thotë se fituesi i zgjedhjeve presidenciale të nëntorit do të duhet gjithashtu të ndjekë me vëmendje kërcënimet e brendshme.

“Kam shkruar për rritjen e ekstremizmit të brendshëm gjatë viteve të fundit. Kjo është sfida më e vështirë me të cilën përballen Shtetet e Bashkuara, për disa arsye. Së pari, ka pasur një rritje të polarizimit në Shtetet e Bashkuara, duke lënë mënjanë politikën. Por politika është pjesë e atij polarizimi që ne shohim që ka rezultuar në një rritje, veçanërisht në fillim të viteve 2020, të grupeve me simpati neo-naziste”, thotë ai.

Një brez i tërë amerikanësh është rritur që nga ajo ditë vjeshte e tmerrshme e vitit 2001. Por presidentit të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara, do t’i duhet të jetë në gatishmëri për sfidat e lidhura me terrorizmin./VOA/

Të fundit