Përputhja e programeve studimore me tregun e punës mbetet një proces i komplikuar, që kërkon një analizë të thellë dhe krijim të politikave arsimore në sinkron me dinamikat e një ndërvarshmërie të përhershme. Tregu i punës është në një ndryshim shumë më të theksuar se më parë, ndërkohë që ekspertët vlerësojnë se përshtatja e programeve studimore mbetet një nevojë e domosdoshme për të mos prodhuar “diploma”, të cilat nuk mund të valorizohen në vend pune. Arsimi dual, liria akademike, politikat kreative arsimore si dhe bashkëpunimi i shkollave dhe universiteteve me subjektet ekonomike shihen si elementë të domosdoshëm në harmonizimin e arsimit me “makinerinë” e komplikuar të tregut të punës.
Ndërkohë që nevojat e tregut të punës gjithnjë e më tepër ndryshojnë, sidomos me zhvillimet teknologjike, sfidë më vete mbetet harmonizimi i programeve universitare me këto dinamika të reja. Ekspertë të fushës së arsimit vlerësojnë se urgjentisht do të duhet të bëhet një analizë e thellë për të pasur një pasqyrë më të mirë të lidhshmërisë mes programeve studimore dhe ofertave në ndryshim të përhershëm të tregut të punës. Arsimi dual, liria akademike, politikat kreative arsimore si dhe bashkëpunimi i shkollave dhe universiteteve me subjektet ekonomike shihen si elementë të domosdoshëm në harmonizimin e arsimit me “makinerinë” e komplikuar të tregut të punës.
Rektori i UEJL-së, akademik, Abdylmenaf Bexheti, zgjidhjen, gjegjësisht përshtatjen e programeve studimore me tregun e punës e sheh në lirinë akademike, te vetë universiteti, përpos pjesës që ka të bëjë me shtyllat kryesore, konceptuale, të fushave dhe lëmive të ndryshime të klasifikimit. “Duhet të definohet që jo më shumë se 50 për qind të jetë e normuar paraprakisht. Pjesa tjetër, duhet që vetë universiteti ta koncipojë në vetë lirinë akademike, ta koncipojë me përgjegjësinë e vetë, apo ta segmentojë dhe ta vlerësojë vetë tregu i punës”, thotë Bexheti.
Sipas tij, kurrikulat janë rigjide, nuk mund të ndryshohet asnjë lëndë brenda kurrikulës, që është akredituar brenda periudhës katër vjeçare. “Në periudhën katër vjeçare i keni katër gjenerata, pra katër gjenerata procesohen duke mos u ndryshuar asgjë në kurrikulë. Kur të shkoni në ri-akreditim ose duhet tërësisht të akreditoni nga e para ose të njëjtën e ri-akreditoni. Pra, për tetë vite ngelet e njëjta kurrikulë sipas ligjit në fuqi që është nga viti 2018, pra tash e gjashtë vite qëkur është miratuar ai ligj dhe ndërkohë nuk ka pasur sens që të ndryshohet dhe t’i lihet lirisë akademike”, thotë Bexheti.
Përgjithësisht nga ekspertët vlerësohet se një ekuilibër mes aspektit teorik dhe punës praktike në disa programe studimore mund të krijojë një predispozitë shumë më të favorshme për përshtatje me tregun e punës.
Rektori i UT-së, Jusuf Zeneli thekson se në disa programe duhet të forcohet më shumë aspekti praktik, bashkëpunimi me institucionet, jo vetëm i stafit akademik, por i vetë studentëve. “Nëse kemi të bëjmë me studentë në sferën e ekonomisë, natyrisht se duhet të jenë sa më pjesëmarrës në organizimin apo funksionimin e ndërmarrjeve të ndryshime ekonomike për të parë se cilët janë nevojat e tyre, por njëkohësisht edhe ndërmarrjet të shohin se cilët janë shkathtësitë e studentëve, dhe krejt në fund të programit të analizojmë se ku jemi”, thotë Zeneli. Ai thotë se duhet të ketë një përfshirje shumë të madhe të studentëve në punën praktike, në të gjitha programet, edhe pse ky nuk është një proces i lehtë.
“Ne kemi bashkëpunime të mira, por duhet që të gjithë të investojmë sa më tepër si dhe të sqarohet karshi brezit të ri se përfshirja në pjesën praktike e lehtëson edhe marrjen e njohurive të tyre, natyrisht ata marrin atë që iu duhet”, thotë Zeneli.
Në funksion të përputhjes me tregun e punës, Zeneli i sheh edhe bashkëpunimet me universitet dhe institucionet, por edhe përvojën e marrë nëpërmjet programit Erasmus, të mobilitetit, të studentëve dhe profesorëve.
Harmonizimi i programeve me tregun e punës mbetet një proces i komplikuar që kërkon një angazhim të përhershëm për të identifikuar ndryshimet dhe nevojat që shfaqen. Ekspertët theksojnë se mospërputhja nuk është karakteristikë vetëm për Maqedoninë e Veriut, por shtet më të zhvilluara tashmë kanë një vizion se si mund të lëvizet përpara në drejtim të harmonizimit të programeve studimore. Sipas tyre, nevojat e tregut të punës ndryshojnë më tepër se në periudhën kur nuk kishte internet dhe komunikime të ngjeshura.
Presidenti i Organizatës Joqeveritare FRP, Gordan Georgie, thotë se duhet të ekzistojë një trup që do të ndjek dinamikat e tregut të punës. Ky trup, sipas tij, duhet të jetë profesional, mbipartiak, mbi të cilin nuk do të ketë ndikim partia, ministri dhe kushdo qoftë si organ drejtues. “ Ky trup do duhej t’i ndjek këto variacione në tregun e punës dhe të mund t’i vlerësojë në një kohë afatshkurtër, them nga dy vite në dhjetë vite, kjo është kohë afatshkurtër kur i transpononi ato reforma. Të vlerësojë ku janë mungesat. P.sh Sllovenia këtë e bën në mënyrë perfekte. Sllovenia prodhon 16-17 stomatologë në vit, në nivel diplomimi, Maqedonia ka mbi 200 në vit. Sllovenia vlerëson se aq i duhen për një vit, që të mos ngarkohet tregu. Maqedonia nuk e ka bërë këtë vlerësim dhe vetëm i shtyp diplomat, i krijon stomatologët, të cilët pastaj mbeten të humbur në tregun e punës, hapin ordinance private dhe nuk mund të prodhojnë cilësi”, thotë Georgiev.
Ky lloj i analizëz duket të jetë vendimtar për të parë se sa ka deficit në disa fusha, në mënyrë që të motivohen programe të caktuara studimore dhe jo me çdo çmim të “shtypen diploma”, që nuk përkojnë me tregun e punës.
Ish ministri i MASH-it Aziz Pollozhani thotë se në radhë të parë duhen pedagogë kompetent., poashtu laboratorë të mjaftueshëm dhe lidhshmëri mes atyre që japin punë dhe atyre që prodhojnë kuadro. “Këtu tek ne faktikisht kjo nuk funksionon siç duhet”, thotë ai. Pollozhani e sheh arsimin dual si një mundësi për të krijuar lidhshmëri me tregun e punës, mes shkollës dhe punëdhënësit. “Por në qoftë se nuk e stimulon punëdhënësin që t’i marr këta nëpërmjet politikave tatimore, që t’i ulësh ndonjë taksë ose t’i heqësh ndonjë taksë, ose të ketë ndonjë stimulim për të humbur kohë me atë që po ta mëson ty dhe atë ta ndal pastaj të punojë me të, është e kotë, sepse ai që ka hapur fabrikën do efikasitet, do efektivitet”, thotë ai.
Sa i përket arsimit të lartë, Pollozhani thotë se ky koncept është shumë më i lehtë, sepse profesorët janë ata që duhet të propozojnë forma dhe të bashkëpunojnë me faktorët ekonomik, me odat ekonomike. Ai vlerëson se për të krijuar një lidhshmëri, qeveria duhet të mendojë për intervenime të posaçme jo vetëm në politikat arsimore, por edhe në politikat ekonomike dhe fiskale. “Askush nuk është i gatshëm të të japë diçka në qoftë ajo punë nuk i pranohet në njëfarë mënyre. ‘There is no free lunch’ ka thënë Friedman-i, nuk ka asnjë drekë kot. Në këtë sens duhet të mendojmë se si ta lidhim këtë punë sepse tek ne ekonomia dhe ndërmarrësit po e kërkojnë këtë punë prej nesh. Nuk mendoj që është në atë gjendje që ka qenë, ka një përparim në këtë drejtim”, thotë Pollozhani.
Përputhja e programeve studimore me tregun e punës mbetet një proces i komplikuar, që kërkon një analizë të thellë dhe krijim të politikave arsimore në sinkron me dinamikat e një ndërvarshmërie të përhershme . Tregu i punës është në një ndryshim shumë më të theksuar se më parë, ndërkohë që ekspertët vlerësojnë se përshtatja e programeve studimore mbetet një nevojë e domosdoshme për të mos prodhuar “diploma”, të cilat nuk mund të valorizohen në vend pune.
Teksti është zhvilluar në kuadër të projektit “Përfaqësim për zhvillim gjithëpërfshirës”, i mbështetur financiarisht nga Qeveria e Zvicrës përmes programit Civica Mobilitas.
Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e vetme e Forumit për Politika të Arsyeshme, IOHN dhe BIRC dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Qeverisë së Zvicrës, Civica Mobilitas ose organizatave të saj zbatuese.