Delegacioni maqedonas pikërisht nga metropoli serb rikonfirmoi rezervat ndaj Korridorit VIII që në Beograd datojnë qyshkur u inicua në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar, por si për t’ua bërë qejfin nikoqirëve serbë – delegacioni nga Shkupi foli me admirim për çuarjen përpara të Korridorit X. S’do mend se pozicionimi i këtillë i qeverisë maqedonase, kur është fjala për projektet e sipërpërmendura strategjike, në rrafshin e politikës së jashtme, por edhe erërat që po fryhen në drejtim të çështjeve etnike, mund të jenë një atu më shumë për të vënë nën llupë kursin gjeopolitik të Perëndimit karshi Ballkanit Perëndimor, por edhe të elitave politike ballkanike po ndaj këtyre zhvillimeve.
Shkruan: Seladin XHEZAIRI
Ish-presidenti serb Boris Tadiq, ka deklaruar se me faktin që Serbia nënshkroi me Francën marrëveshjen për blerjen e 12 avionëve të rinj luftarakë të tipit RAFAL (në vlerën 2.7 miliardë euro), presidenti Aleksandar Vuçiq sikur po pozionohet kah Perëndimi:
“Kur merrni armatimin dhe kontrollin e qiellit tuaj me aviacion perëndimor, ju në atë moment pozicionoheni në kuptimin teknologjik ndaj një blloku të caktuar politik. Shumë thjeshtë. Ne nga viti (19)54 u bëmë pjesë e bllokut politik perëndimor pas konfliktit me Stalinin duke marrë (avionë) mendoj se ishin F84. Dhe ,shumëkush e harroi këtë fakt shumë të thjeshtë se ne në atë moment, disa vite, ishim pjesë e aleancës perëndimore. Serbia vetëm formalisht nuk ishte anëtare e NATO-s, por në kuptimin e mbrojtjes, nga aspekti i intermobilitetit, veprimi njësive tona, nga aspekti i teknologjisë, ne ishim pjesë e botës perëndimore. Në këtë moment kjo ndodhi. Pas viteve gjatë të cilave blemë MIG-ë, madje tash blemë MIG-29, në momentin kur thuajse askush nuk blen MIG-29. E dini pse, për shkak se rusët nuk ngrenë (në qiell) MIG-29, por shkuan në zhvillimin e SUHOJ-it,30-35. Për shkak se MIG-ët u zbuluan kur Moldavia shiti një eskadrilë prej ku ta di unë 16 avionësh, në atë moment MIG-29 që është një avion fascionues, një ndër më të mirët në historinë e botës, si të them u “zbulua” dhe nuk ishte më i përdorshëm në veprim operues. E Serbia, pas kësaj bleu MIG-ë”- ka thënë ish-presidenti serb Tadiq për tv e pavarur TV Nova.
Në të vërtetë, edhe marrëveshja e Serbisë me bllokun evropian e bërë publike gjatë korrikut kur në Beograd qëndroi kancelari gjerman, Olaf Scholz për hapjen e një miniere litiumi në pjesën perëndimore të Serbisë, sikur përforcojnë provat se Perëndimi po bën çmos për ta hequr Serbinë nga kthetrat e Kremlinit.
Se është kështu flet edhe indiferenca, për të thënë tolerimi i përzierjes dhe ndikimit të Beogradit zyrtar dhe Kishës Ortodokse Serbe në Bosnjë e Hercegovinë, Mal Të Zi, Kosovë e tërthorazi, së fundmi, edhe në Maqedoninë e Veriut. Përtej ecejakeve të shpeshta të Zëvendëskryeministrit serb, pro-rusit Aleksandar Vulin në Moskë, duket se Perëndimi, mbase për shkak të armëve serbe që i livrohen ushtrisë ukrainase, sikur po hy në një deal serioz me presidentin serb Aleksandar Vuçiq për të vulosur primatin e tij prej lideri në Ballkanin Perëndimor.
Mirëpo, përtej kësaj, është për të mos besuar se kancelaritë perëndimore nuk janë në dijeni për, ta zëmë, pretendimet historike serbe për të siguruar dalje në det (përmes Malit të Zi dhe Shqipërisë) apo për të ashtuquajturën “botë serbe”, projekte këto që me automatizëm nënkuptojnë degradimin institucional, funksional e shtetëror të Bosnjë e Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut e të mos flasim për Kosovën. Në rastin e Maqedonisë së Veriut, kujtoj se vlerësim të esullt dha këto ditë, me rastin e shënimit të 33 vjetorit të Pavarësisë, ish – themeluesi i VMRO-DPMNE-së dhe ish-kryeministër, Lubço Georgievski:
“Për ata të cilët nuk duan ta dijnë, shkëputja ishte nga Jugosllavia, saktësisht nga përqafimi i fuqishëm i Serbisë. Mirëpo, po shikoj se po kthehemi me sukses atje nga dolëm me vështirësi”!- shkroi Georgievski në një status të tij në Facebook.
Qëndrimi përkoi me vizitën e delegacionit të lartë qeveritar të kryesuar nga zëvendëskryeministri Ivan Stoilkoviq. Edhe ky, njësoj si homologu i tij serb, në Shkup njihet edhe si pro-putinist, por edhe si ministër i Ministrisë për Marrëdhënie me Komunitetet, një dikaster ky ku bën pjesë edhe respektimi i Marrëveshjes së Ohrit. Delegacioni maqedonas pikërisht nga metropoli serb rikonfirmoi rezervat ndaj Korridorit VIII që në Beograd datojnë qyshkur u inicua në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar, por si për t’ua bërë qejfin nikoqirëve serbë – delegacioni nga Shkupi foli me admirim për çuarjen përpara të Korridorit X.
S’do mend se pozicionimi i këtillë i qeverisë maqedonase, kur është fjala për projektet e sipërpërmendura strategjike, në rrafshin e politikës së jashtme, por edhe erërat që po fryhen në drejtim të çështjeve etnike, mund të jenë një atu më shumë për të vënë nën llupë kursin gjeopolitik të Perëndimit karshi Ballkanit Perëndimor, por edhe të elitave politike ballkanike po ndaj këtyre zhvillimeve. Pozicionimi i faktorit politik shqiptar, në të gjitha hapësirat, ndërkaq lë për të dëshiruar. Marrja me vetëveten, përballë këtyre sfidave që nesër mund të shndërrohen në probleme, jo njëherë është treguar si tepër e kushtueshme. Eksperimentet dhe tolerimet, të mos harrojmë, rajonit të Ballkanit i kanë kushtuar shumë shtrenjtë. Ndaj, është mirë që çdo veprim të mirëmendohet. Në të kundërtën, gjithçka do ta hajë dreqi…