E shtunë, 12 Tetor, 2024

33 VJET RMV: A ËSHTË KY SHTETI QË DUAM?

Kjo nuk është utopi, por imperativ nëse dëshirojmë të evitojmë shtetin distopik.

Shkruan: Xhelal Neziri

Çdokush dëshiron të jetojë në një shtet të drejtë dhe funksional, me të cilin do të mburret. Dëshiron të ketë një atdhe me të cilin do të identifikohet dhe të jetë i mbrojtur nga institucionet dhe ligjet e drejta të atij shteti.

Çdo qytetar normal dëshiron një shtet të zhvilluar ekonomikisht, një atdhe me sistem funksional shëndetësor, juridik dhe arsimor. Në vend të partizimit shkatërrues të sistemit arsimor, dëshiron një arsim cilësor parashkollor, fillor, të mesëm dhe të lartë. Në vend të varfërisë, dëshiron një standard të dinjitetshëm jetësor. Një shtet ku funksionon rendi ligjor, ku ligjet janë në funksion të qytetarit dhe ku gjyqësia gjykon në bazë të po atyre ligjeve. Një vend ku ligji do të vlejë njëjtë për të gjithë, ku nuk do të ketë “më të barabartë se të barabartit”. Dëshiron një atdhe që nuk do të jetë strofull i kriminelëve të kamufluar me vellon e patriotizmit, por i qytetarëve të vetëdijshëm dhe aktivë për shtetin e përbashkët. Një atdhe që do ta dojë, e jo që do ta urrejë dhe të ikë sa më larg prej tij. Një shtet që do të unifikojë dallimet e jo t’i thellojë ndarjet. Një shtet që do të jetë njëlloj i të gjithë qytetarëve, i të gjithë etnive, i të religjioneve dhe grupeve tjera, por që mbi të gjitha në fokus të ketë njeriun, pra vetë qytetarin si sovran i shtetit. Një shtet që do të mbajë llogari për të gjitha dallimet kulturore të qytetarëve të saj, duke u mundësuar një ambient komod të jetojnë në një kohezion të plotë.

Kjo nuk është utopi, por imperativ nëse dëshirojmë të evitojmë shtetin distopik.

Ka një grup të konsiderueshëm të qytetarëve që megjithatë promovojnë prioritete tjera. Ëndrra për shtetet e mëdha, etnikisht të pastra, ku do të flitej një gjuhë, ku do të ketë vetëm një kulturë e religjion. Ëndrra e tyre në fakt është rruga që sjell konflikte, luftëra e gjakderdhje. Shkatërrimi i Jugosllavisë erdhi pikërisht si rezultat i tentimit për të vënë në zbatim ëndrrat e imponuara nga propagandat manipulative etnocentriste. Rezultatet e këtij shkatërrimi, ku humbën jetën mijëra e mijëra njerëz të pafajshëm, duhej të ishin mësim për kokat emocionale se gjithmonë duhet bërë kompromis midis dëshirës dhe mundësisë.

Maqedonia e Veriut duhet të jetë një shtet i qytetarit të lirë, të vetëdijshëm dhe aktiv. Patjetër të jetë shteti i qytetarëve të barabartë, ku pjesëtarët e etnive maqedonase, shqiptare, turke, serbe, boshnjake, rome apo egjiptiane të kenë mundësi të njëjta të vet-realizimit, zhvillimit dhe të ruajtjes së veçorive kulturore të tyre.

Koha e globalizimit, kur kemi një revolucion komunikimi dhe lëvizje të dendur e njerëzve të etnive të ndryshme në çdo cep të globit, ka rivendosur definicione të reja për sovranitetin e shteteve moderne. Mundësia e shkollimit, bërjes së biznesit, jetesës apo edhe krijimit të familjes në shtetet tjera është më e madhe se kurdoherë më parë, gjë që imponon një kuptim tjetër mbi shtetin, kombin dhe sovranitetin. Krijimi i unioneve ndërshtetërore, si ai evropian, i ka bërë të padukshëm kufijtë e shteteve, të cilat deri para dhjetë dekadave ishin në kulmin e luftërave dhe armiqësive të përgjakshme. Zhvillimi tekniko-teknologjik ndikon që shtetet apo kombet e ndryshme të jenë më të hapura ndaj dallimeve, t’i njohin drejtë “të tjerët” dhe të zhdukin paragjykimet që kanë qenë pengesë për ndërtimin e kanaleve komunikuese dhe bashkëpunuese.

Koncepti i shtetit apo kombit modern është i ngritur mbi premisa politike, duke përzgjedhur me kujdes të madh elementet që bashkojnë qytetarët e përkatësive të ndryshme. Një realitet shumetnik i Maqedonisë së Veriut duhet të jetë bazë për rikrijimin e shtetit, i cili do të ngjallte ndjenja identifikimi te çdo qytetar i saj.

Por, në Maqedoninë e Veriut duket se ende ka një volum të lartë të etno-nacionalizmit. Ka tendenca që kjo shtëpi e përbashkët të definohet vetëm si pronë e etnisë shumicë, pra e maqedonasve etnikë, ndërsa etnitë tjera – që përbëjnë mbi 40 % të popullsisë – të trajtohen si qiraxhinj. Mbi këto politika jo të mençura është ndërtuar edhe kombi politik i Maqedonisë së Veriut. Në vend të qasjes gjeografike-qytetare (pjesë e kombit të jenë të gjithë shtetasit), kombi në Maqedoninë e Veriut është ndërtuar mbi bazën kulturore të popullit shumicë. Ky ka qenë, është dhe do të vazhdojë të jetë burim i trazirave ciklike në marrëdhëniet ndëretnike, të cilat janë shtylla e stabilitetit të vendit.

Në këtë epokë të populizmit, ku ndenja e frikës dhe urrejtjes përdoren për të mobilizuar votuesit, ka ende hapësirë për një elitë të matur politike, e cila do të ketë guxim ta bëjë këtë kapërcim të madh nga ngatërresat historike e ideologjike, në një zgjidhje funksionale e praktike. Të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut i bashkon një listë e madhe e problemeve praktike. I bashkon vizioni për një të ardhme më të mirë, për krijimin e një shteti të sigurtë për fëmijët tanë, për arsim kualitativ, shëndetësi efikase dhe drejtësi funksionale. Përdorimi i gjuhëve është një çështje arkaike në një botë të globalizuar, të AI, të përkthimeve automatike digjitale. Përtej të qenurit shtyllë e identitetit etnokulturor, në fund të ditës, gjuha kuptohet vetëm si mjet komunikimi.

Sot kur shënohet 33 vite nga shpallja e pavarësisë, Maqedonia e Veriut duhet të kishte mësuar se si t’i kapërcejë paqësisht mosmarrëveshjet ndëretnike, ndërreligjioze apo ndërpartiake. Duhet ta kishte të qartë se interesi i kësaj shtëpie është integrimi, e jo izolimi.

 

 

 

 

Të fundit