E shtunë, 12 Tetor, 2024

FIDAN NË PRISHTINË: PRANIA E GYLENISTËVE, SHQETËSUESE PËR TURQINË

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, pas vizitës në Shkup, ka vazhduar për në Prishtinë ku është takuar me homologen e tij kosovare, Donika Gërvalla. Temë kryesore mes Fidan dhe Gërvallas kanë qenë hapat që duhet të ndërmerren kundër lëvizjes Hizmet të klerikut Fetullah Gulen, që Turqia i referohet me akronimin FETO dhe të njëjtën e ka shpallur organizatë terroriste, transmeton KDP.MK.

Gjatë një konference për media më 6 shtator, Fidan pretendoi se kjo organizatë paraqet kërcënim edhe për Kosovën.

“Folëm edhe për luftimin e terrorizmit, për hapat që duhet të ndërmerren kundër organizatës terroriste FETO [Organizata Terroriste Fethullaiste]. Për fat të keq, prania e FETO-s në Kosovë vazhdon të jetë shqetësuese për ne. Dua t’iu kujtoj se FETO është kërcënim edhe për Kosovën. Ne duhet ta luftojmë bashkërisht këtë organizatë”, tha Fidan.

Në mars të vitit 2018, Kosova arrestoi dhe dëboi gjashtë shtetas turq, që kishin punuar në shkollën private “Mehmet Akif” në Prishtinë.

Të gjithë të arrestuarit, ndërkohë, janë përballur me procese gjyqësore në Turqi dhe në fund janë dënuar gjithsej me 56 vjet dhe 7 muaj e gjysmë burgim.

Arrestimi dhe dëbimi i tyre janë lëndë e hetimeve edhe në Prokurorinë Speciale të Kosovës, pasi dyshohet se procesi është përcjellë me dhjetëra shkelje.

Ankaraja e ka shpallur terroriste lëvizjen “Hizmet” në maj të vitit 2016, duke i akuzuar mbështetësit e saj për përpjekje për të rrëzuar Qeverinë turke.

Gulen ka qenë aleat i presidentit aktual të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deri në vitin 2013.

Turqia vazhdimisht i kërkon Kosovës që të bëjë më shumë kundër lëvizjes Hizmet.

Në konferencën për media, Fidan tha po ashtu se shteti i tij do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në të gjitha fushat dhe tha se Ankaraja po përgatitet që të nënshkruajë një marrëveshje në fushën e sigurisë me Prishtinën, por nuk dha më shumë detaje për të.

Duke folur për paqen dhe stabilitetin në rajon, kryediplomati turk, tha se Turqia e mbështet dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Ne besojmë që problemet e Kosovës dhe Serbisë mund të zgjidhen vetëm me dialog. Ne mbështesim përpjekjet për arritjen e normalizimit mes dy vendeve. Procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është shumë i rëndësishëm në këtë kontest. Nëse vjen ndonjë kërkesë, ne si Turqi nuk do të hezitojmë të marrim përgjegjësi në këtë drejtim”, tha ai.

Kryediplomati turk tha se Turqia dëshiron që këmbimet tregtare të rriten në 1 miliard euro, teksa tha se deri më tani, kompanitë turke kanë investuar 500 milionë euro në Kosovë dhe kanë krijuar 10.000 vende pune.

Ai po ashtu premtoi se shteti i tij do të vazhdojë mbështetjen në trajnime, por edhe në ofrimin e pajisjeve ushtarake për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ndërkaq, kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, tha se siguria dhe stabiliteti rajonal, ishte ndër temat kyçe të takimit të saj me ministrin Fidan.

Ajo tha se roli i Turqisë, por edhe i NATO-s është i rëndësishëm në garantimin e paqes dhe stabilitetit rajonal, teksa akuzoi Serbinë fqinje për veprime destabilizuese.

“Kosova mbetet e përkushtuar për partneritetin me NATO-n dhe përforcimin e pranisë së saj në vendin tonë si një garanci për mbrojtjen e paqes në rajon. Në këtë kontekst, ne e shohim Serbinë si një kërcënim real për stabilitetin rajonal. Kërcënimet për bllokimin sot të pikave kufitare janë vetëm një dëshmi e shtuar e synimeve hegjemoniste, por edhe e veprimeve konkrete provokuese dhe destabilizuese të Serbisë të cilat shkojnë përtej kërcënimeve verbale”, tha Gërvalla.

Më herët, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin pikëkalimet me Serbinë, pasi tha se një i “ashtuquajtur ‘Këshill Organizativ për Bllokada’ në Serbi” ka bërë të ditur se më 6 shtator ka ndër mend t’i bllokojë rrugët që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Kosovën.

Ky njoftim i MPJD-së u bë në kohën kohë kur autoritetet e Kosovës e kanë zemëruar Serbinë me një sërë veprimesh që i kanë ndërmarrë në veri të vendit – pjesë e banuar me shumicë serbe – duke nxitur edhe kritika nga bashkësia ndërkombëtare./REL/

 

Të fundit