E enjte, 12 Shtator, 2024

NENAD ÇANAK: SERBIA NUK ËSHTË MË NË KOSOVË, SHKONI, BINDUNI VETË!

“Informacionin për zhvendosjen e mundshme të serbëve nga Veriu i Kosovës në Sanxhak, Sonja Biserko dhe unë e kemi marrë nga më shumë burime. Kemi konsideruar se nuk duhet ta lëmë të kalojë pa u vënë re dhe të fillojë  hedhja e fajit nga njëra palë në tjetrën, siç ka ndodhur edhe më parë gjatë historisë. Kemi konsideruar se këtë informacion duhet ta ndajmë me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, sepse ai e ka obligim të kujdeset edhe për sigurinë e serbëve në Kosovë dhe Metohi”, – përcjell kdp.mk intervistën e Nenad Çanakut, ish-kryetar i Lidhjes së Socialdemokratëve të Vojvodinës për gazetën e pavarur serbe Danas.

– Por këto janë vetëm indikacione që ju i keni?

N. ÇANAK: Nëse keni elemente që përputhen, përkatësisht se ekziston ndërtimi i objekteve të caktuara nëpër Sanxhak, nëse keni përgatitje me intensitet të lartë, heqjen e universitetit në veri të Kosovës dhe zhvendosje, atëherë është e qartë se ku çon kjo. Që të mos kishte surpriza më vonë, ne ndjemë se duhet informuar Kurtin me kohë. Aq më parë pasi ka aksione të Qeverisë së Kosovës në veri dhe rrumbullakosje të pavarësisë, e cila po bëhet pa asnjë koordinim me bashkësinë ndërkombëtare dhe autoritetet në Serbi. Kemi çmuar se veprime të tilla mund të shkaktojnë përshkallëzim të ri. Dhe kaq, nuk ka asgjë më shumë për paralajmërimin tonë për zhvendosje të mundshme. Siç e dini nga historia, kur ndodhi granatimi i tregut Markala në Sarajevë, u krijua një situatë ku faji kalohej nga njëra anë në tjetrën dhe e vetmja gjë që ishte e sigurt ishin viktimat. Autoritetet në Serbi nuk duan të diskutojnë për njohuritë tona

– A i keni diskutuar informacionet që keni edhe me zyrtarë nga Serbia?

N. ÇANAK: Puna është se askush nga Serbia edhe nuk do të flasë me ne për këtë. Nëse e keni vënë re komunikatat e partive opozitare ato pak a shumë injorohen. Unë personalisht kam paralajmëruar mijëra herë për shkatërrimin e paligjshëm të parkut Frushka Gora dhe askush nuk ka reaguar. Çfarë duhet të ndodhë që dikush nga pushteti të reagojë. Kështu ia dolëm të nxjerrim në dritë një gjë të rëndësishme dhe shpresoj se do të ketë efektin e dëshiruar dhe, efekti i dëshiruar është që kjo të pengohet.

– Aleksandar Vuçiq pohon se serbët mbeten në Kosovë dhe se askush nuk do t’i shpërngulë dhe përmend se kjo që po thoni ju gjason me cirkun e Medranos?

N. ÇANAK: Nuk e di se çfarë është cirku Medrano. Mbase do të ishte mirë ta pyesni Presidentin Vuçiq se çfarë është Medrano. Unë kurrë në jetën time nuk kam ndjekur ndonjë cirk dhe nuk e di se për çfarë po flet. Do të ishte shumë domethënëse nëse pasojë e kësaj asaj për të cilën po flasim Sonja dhe unë të jetë mbrojtja e interesave të qytetarëve të nacionalitetit serb në Kosovë.

– Duket se ata kanë mbetur pa mbrojtje, edhe nga njëra, edhe nga pala tjetër?

N. ÇANAK: Kryeministri Kurti na dha të dhëna policore ku ka shumë më pak dhunë ndaj serbëve në baza etnike sesa është dhuna ndaj banorëve të tjerë të Kosovës. Pra, kjo do të ishte shumë e rëndësishme kur flitet për terror ndaj serbëve në Kosovë, të flitet për informacione të verifikuara me emër dhe mbiemër, të dihet saktësisht se për çfarë bëhet fjalë. Unë do t’ju jap mediave informacione për deliktet e gjakut, kush janë autorët dhe kush janë viktimat në Kosovë, në mënyrë që të dihet saktësisht se çfarë ka ndodhur gjatë disa viteve të fundit. Armiku më i madh i paqes në këto hapësira janë gjysmë të vërtetat që janë sajuar për të krijuar panik.

– A nuk janë edhe këto informacione tuajat krijim paniku?

N. ÇANAK: Indikacionet për përgatitjet për zhvendosjen e serbëve nga veriu i KeM në Sanxhak, për të cilat folëm Sonja Biserko dhe unë, janë krijuar pas një përvoje prej disa dekadash. Kur kam folur për shpërnguljen e kroatëve nga Vojvodina, u përndoqa dhe u keqtrajtova dhe u akuzova se po krijoj panik dhe përçarje ndërnacionale. Tre vjet më vonë u shpërngulën 40.000 kroatë. Kështu është edhe me këtë tani. Serbia nuk është më në Kosovë, shkoni, binduni vetë!

– Ka edhe nga ata që konsiderojnë se rrëfimi juaj është për rubrikën “besoni apo jo”?

N. ÇANAK: Papritmas askush nuk e vë më në dyshim nëse është e vërtetë kjo që po themi, por konstatohet se kjo është gënjeshtër dhe se serbët do të mbeten në Kosovë dhe se Kosova do të mbetet Serbi. Serbia nuk është në Kosovë. Ejani vetë në Kosovë, shikoni dhe do të shihni. E gjithë kjo është propagandë që shërben që një pjesë e publikut të mashtruar në mënyrë populiste të mbahet nën kontroll. Por këtë duhet parë me Vuçiqin, jo me mua.

– Këto indikacione tuajat për zhvendosjen e mundshme të serbëve në KeM janë me leverdi për Kurtin para zgjedhjeve?

N. ÇANAK: Jo. Atë kjo e obligon në një mënyrë që është tejet e ndjeshme. Ai tani nuk mund të thotë se nuk e ka ditur dhe se nuk është në dijeni se çfarë po ndodh në pjesën e territorit për të cilin ka marrë përgjegjësinë, duke marrë më shumë se 50 për qind të mbështetjes. Përgjegjësia e tij është qindpërqind. Kurti tani është në një pozitë ku duhet të merret me përgjegjësi të plotë me këto informacione që ia kemi paraqitur, sepse edhe qytetarët e nacionalitet serb janë qytetarë të Kosovës, si dhe të gjithë të tjerët. Dhe ai ka detyrimin të kujdeset për sigurinë e tyre dhe funksionimin normal të jetës së tyre. Kjo tani vetëm se i shton atij detyrime të reja.

– Si ndodhi ai takimi me Kurtin?

N. ÇANAK: Sonja Biserko e organizoi atë takim, sepse e njeh Kurtin prej disa dekadash dhe gjithmonë mund ta arrijë tek ai. Unë mendova se ështëe shumë e rëndësishme që Kurtit t’i jepet në dorë përgjegjësia për qytetarët, ta dijë dhe duhet të jetë i vetëdijshëm se në një rast të tillë bëhet fjalë për qytetarët e Kosovës./Danas.rs/

Të fundit