Diplomati grek Mihalis Rokas ka marrë detyrën si ambasador i Bashkimit Evropian dhe shef i delegacionit të BE-së në Maqedoninë e Veriut më 3 shtator, duke pasuar ambasadorin David Geer në këtë rol, transmeton KDP.MK.
Ambasadori i ri, në një postim në rrjetin social X u shpreh i emocionuar për detyrën e re.
“I emocionuar për fillimin e një kapitulli të ri si Ambasador i BE-së në Maqedoninë e Veriut! Mezi presim të njohim vendin dhe njerëzit, të punojmë për të mbështetur rrugën drejt BE-së, si dhe në zbatimin e reformave që do të kenë ndikim pozitiv në jetën e qytetarëve”,thuhet në njoftimin e tij të sotëm në rrjetin social X.
Excited to start a new chapter as EU Ambassador to North Macedonia! Looking forward to getting to know the country and the people, to working on supporting its EU path, as well as on the implementation of the reforms that would have positive impact on citizens’ lives 🇪🇺🤝🇲🇰 https://t.co/MrLhNBZzF5
— Michalis Rokas (@MichalisRokasEU) September 4, 2024
Në anën tjetër, në një postim të djeshëm të Delegacionit të BE-së në facebook u tha: “Sot mirëpresim ambasadorin e ri të BE-së në Maqedoninë e Veriut, Michalis Rokas”.
Rokas paraprakisht ka shërbyer si ambasador i BE-së dhe Shef i Delegacionit të BE-së në Malajzi, një post që e mbajti që nga dhjetori i vitit 2020.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka emëruar 44 kryetarë të rinj të delegacioneve të BE-së për rotacionin e ardhshëm diplomatik në mbarë botën.