Interpelanca e thirrur për shkarkimin e Afrim Gashit nga posti i kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut ka dështuar të martën vonë, pasi ajo nuk i mori votat e mjaftueshme gjatë një seance me debat të ashpër, transmeton KDP.MK.
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut do të udhëhiqet akoma nga kryetari Afrim Gashi, pasi të martën, me 3 gusht, dështoi interpelanca ndaj tij. Nga gjithsej 93 deputetë sa votuan, 72 ishin kundër ndërsa vetëm 21 votuan për shkarkimin e Gashit.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi ka falënderuar deputetët, që siç tha, me votën e tyre të lirë dhe demokratike i dhanë përgjigje interpelancës.
“Edhe njëherë ngadhënjeu arsyeja mbi paragjykimin dhe propagandën. I falënderoj të gjithë deputetët që sot morën pjesë në këtë interpelancë, që diskutuan e replikuan dhe ata që me votën e tyre të lirë dhe demokratike i dhanë përgjigje kësaj interpelance”, deklaroi Gashi pas votimit, duke falënderuar mbështetësit dhe duke u zotuar se do të vazhdojë me përkushtimin e njëjtë.
Interpelanca për Gashin nuk kaloi pasi deputetët e shumicës qeverisëse të VMRO-DPMNE-së, ZNAM dhe VLEN votuan kundër iniciativës së partisë “E Majta”, e cila kërkonte përgjegjësi nga Gashi për disa incidente të ndodhura në më pak se dy muaj.
Nevojiteshin votat e së paku 61 deputetëve për shkarkimin e Gashit nga posti.
Përkrahje për interpelancën e dha LSDM-ja opozitare, ndërsa në votim nuk morën pjesë deputetët e BDI-së, të cilët paraprakisht deklaruan se nuk do ta mbështesin interpelancën edhe pse kishin vërejtje për punën e Gashit.
“Ne do ti japim vërejtjet tona, për punën e z.Gashi, intervistës që qarkulloi gjatë ditës së djeshme, mendoj se ai duhet t’ju kërkoj falje shqiptarëve dhe të tërhiqet nga skena politike e jo më nga kryetar i Kuvendit. Por kjo do të mbetet në ndërgjegjen e tij. Por ne për arsye parimore, për çështje që janë ngritur do të debatojmë për argumentet por nuk do të votojmë për shkarkimin për iniciativën e partisë E Majta për çështje parimore dhe principele”, tha deputeti i Frontit Evropian, Blerim Bexheti.
Nga ana tjetër, deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi para seancës tha se nuk do ta përkrahë të njëjtën duke e cilësuar atë si nacionaliste dhe ksenofobe edhe pse dje lideri i partisë së tij, Venko Filipçe njoftoi se partia e tij do ta votojë interpelancën kundër Afrim Gashit.
“Mendoj se detajet janë atë që e bëjnë ndryshimin mes qëndrimit të partisë. Nuk mendoj se në të kaluarën por edhe sot jam i prirur që të përkrah interpelancë nacionaliste, shoviniste dhe ksenofobe, siç është ajo e dorëzuar nga “E Majta” për kryetarin e Kuvendit”, deklaroi Fatmir Bytyqi, deputet i LSDM-së.
Gashi kishte thënë gjatë një konference për media më 27 gusht se interpelanca ndaj tij nuk kishte qëndrueshmëri politike. Ai shpresonte se do të kishte paraqitje të argumenteve gjatë seancës dhe kishte paralajmëruar do ta respektonte vendimin e deputetëve se si të veprohet për këtë çështje.
Në kërkesën për interpelancë thuhej se Gashi kishte vepruar në mënyrë joprofesionale, jokushtetuese dhe ka dëmtuar sekularitetin e shtetit sepse ai ka lejuar që të kryhen rite fetare gjatë një mbledhjeje të një komisioni. Në kërkesë po ashtu përmendej edhe incidenti i 11 gushtit në Aeroportin e Shkupit, ku u përfshi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Gashi po ashtu akuzohet për shkeljen e ligjit për gjuhët, pasi betimin për kryeparlamentar e ka bërë fillimisht në gjuhën shqipe dhe jo maqedonase.
Sa i përket incidentit në Aeroportin e Shkupit, Gashi ka thënë se ai ka ndërhyrë vetëm për të shmangur ndonjë incident diplomatik.
Pas incidentit, Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut tha se kreu i sigurimit të Gashit dhe dy anëtarë të tjerë të ekipit të tij, nën urdhrat e kryeparlamentarit, shkuan në zonën VIP të Aeroportit dhe u konfrontuan me policët e Aeroportit, pasi kishin insistuar që presidentja Osmani të kalonte pa iu nënshtruar kontrollit të sigurisë. Një departament brenda kësaj ministrie pezulloi nga puna shefin e sigurimit dhe hapi procedurë ndaj dy truprojave të tjerë.
Për shkak të incidentit në Aeroportin e Shkupit, Ministria e Jashtme e Kosovës i nisi një notë proteste Shkupit më 2 gusht, duke kërkuar sqarim të plotë të kësaj ngjarjeje.
Dy ditë më pas, më 5 gusht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi Maqeodninë e Veriut dhe diskutoi me Mickoskin për këtë incident.
Të dy thanë se incidenti nuk ka prekur raportet mes dy shteteve, teksa Kurti tha se po priste raportin e hetimit të kryer nga autoritetet maqedonase.