E enjte, 12 Shtator, 2024

KUVEND: DEBATOHET PËR MOCIONIN KUNDËR KRYEPARLAMENTARIT GASHI

Interpelanca ndaj kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi është pika e parë e rendit të ditës së seancës parlamentare, e cila po mbahet sot më 3 shtator, transmeton KDP.MK. Si shkak i kësaj me kuvendin po udhëheq Antonio Milloshovski e jo Afrim Gashi. Ndër temat kryesore të diskutimit të kësaj interpelance janë akuzat për shkelje të sekularizmit dhe incidenti i 11 gushtit në Aeroportin e Shkupit me Presidenten e Kosovës.

Përgatiti: Enis Shaqiri

Në agjendën e seancës parlamentare në Maqedoni të Veriut është interpelanca ndaj kryetarit të Parlamentit, Afrim Gashi. Kërkesa për interpelancë u bë nga grupi parlamentar E Majta, dhe sipas njoftimeve, kjo interpelancë do të mbështetet edhe nga deputetët e Lidhjes Social Demokrate (LSDM) dhe të koalicionit. Por deputeti i kësaj partie, Fatmir Bytyqi, para gazetarëve bëri të ditur se sot nuk do ta votojë interpelancën kundër kryeparlamentari Afrim Gashi. Bytyqi interpelancën kundër Gashit, të ngritur nga Levica, e quajti shoviniste dhe ksenofobe.

Megjithatë, partia e Bytyqit, LSDM, thekson se në qeverinë e udhëhequr nga VMRO-DPMNE në vetëm dy muaj kanë ndodhur një sërë skandalesh.

“Në aeroportin e Shkupit ka ndodhur një incident skandaloz ku ndër të tjera sigurimi i Gashit ka sulmuar një polic, e ka kërcënuar me armë dhe ka shkelur rregullat dhe ligjet. Ministria e Punëve të Brendshme në raportin e saj ka vënë në dukje se sigurimi është dërguar ilegalisht në aeroport, duke ia ngarkuar kështu përgjegjësinë direkt Gashit, i cili ka dhënë urdhër sigurimit”, thuhet në deklaratën e djeshme partiake të LSDM-së, dërguar pas takimit.

Në seancën e 3 shtatorit, interpelancën ndaj Gashit nuk do ta mbështesë VMRO-DPMNE-ja në pushtet dhe partnerët e tjerë të koalicionit qeverisës, njoftoj ditë më parë kryeministri dhe kreu i kësaj partie, Hristijan Mickoski. Ai tha se ka një numër të madh të argumenteve për marrjen e një qëndrimi të tillë. Ai e quajti iniciativën marrëzi.

“Kjo është papjekuri, do të thosha marrëzi e koalicionit LSDM, BDI dhe “E Majta” dhe se absolutisht nuk ka bazë për interpelancë ndaj kryeparlamentarit Gashi dhe ne nuk do ta mbështesim një iniciativë të tillë dhe kemi një sërë argumentesh pse nuk duhet ta bëjmë atë”, tha Mickoski.

Njëjtë do të veproj edhe Fronti Evropian. Blerim Bexheti, deputet i Frontit Europian, para nisjes së seancës në Kuvend, për interpelancën ndaj kryeparlamentarit Afrim Gashi, tha se grupi parlamentar i Frontit Europian do të jap vërejtjet e tyre për çështje parimore, por nuk do të votojnë për shkarkimin e Gashit.

“Ne do ti japim vërejtjet tona, për punën e z.Gashi, intervistës që qarkulloi gjatë ditës së djeshme, mendoj se ai duhet t’ju kërkoj falje shqiptarëve dhe të tërhiqet nga skena politike e jo më nga kryetar i Kuvendit. Por kjo do të mbetet në ndërgjegjen e tij. Por ne për arsye parimore, për çështje që janë ngritur do të debatojmë për argumentet por nuk do të votojmë për shkarkimin për iniciativën e Levicës për çështje parimore dhe principele”, tha deputeti i Frontit Europian, Blerim Bexheti.

Ndryshe, në kërkesën për interpelancë, mes tjerash theksohet se Gashi ka vepruar në mënyrë joprofesionale dhe në kundërshtim me Kushtetutën, duke dëmtuar parimin e sekularizmit të shtetit. Kjo për shkak se ai ka lejuar kryerjen e riteve fetare gjatë një mbledhjeje ku u përkujtua gjenocidi në Srebrenicë, ku me ç’rast kryeparlamentari Afrim Gashi bëri dhe dua.

Gashi, në fjalimin e tij, para fillimit të interpelancës, tha se çdo bartës i funksionit shtetëror duhet të jetë i mësuar të jep llogari për veprimet e tij. Megjithatë ai shtoi se edhe pse interpelanca duket se gjoja mbështetet me “argumente juridike, ajo është thjesht e motivuar politikisht”.

“Në interpelancën e partisë “Levica”, si arsye e parë theksohet shkelja e sekularizmit të shtetit. Arsyeja e kësaj vërejtjeje është ngjarja që ishte organizuar më 12 korrik 2024 në Sallën “Boris Trajkovski” në Kuvend me rastin e shënimit të 11 Korrikut – Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë. Ajo ngjarje ishte organizuar nga organizata joqeveritare, ku ishin të ftuara shoqatat boshnjake në vendin tonë, si dhe deputetët, disa prej të cilëve morën pjesë në të. E përsëris ngjarje e një organizate joqeveritare me një minutë heshtje për t’i nderuar viktimat e Srebrenicës. Dhe, kjo qenka shkelje e shekularizmit. Fatkeqësisht, më duhet të konstatoj se parashtruesit e interpelancës shfaqin mosnjohje ndaj nocionit shekularizëm kështu që i ngatërrojnë gjërat ose në mënyrë tendencioze ose për shkak të injorancës”, tha Gashi, duke përkujtuar se në nenin 19 me Amendamentin VII të Kushtetutës “Garantohet liria e besimit. Garantohet shprehja e lirë dhe publike e fesë, individualisht ose në bashkësi me të tjerët”.

Gjithashtu, në kërkesë përmendet edhe incidenti i 11 gushtit në Aeroportin e Shkupit, ku ishte e përfshirë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe për  shkelje të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, pasi betimin për kryeparlamentar e ka bërë fillimisht në gjuhën shqipe dhe jo në atë maqedonase.

E për këto Gashi tha: “ Në lidhje me arsyen e dytë për parashtrimin e interpelancës – “Shkelja e rregullave diplomatike për sigurimin e personave VIP” si përgjigje mund të jap të njëjtën gjë që e deklarova menjëherë pas ngjarjeve në Aeroportin e Shkupit. Edhe atëherë deklarova se sigurimi im shkoi atje për ta qetësuar situatën në aeroport midis sigurimit të Presidentes së Kosovës dhe policisë së aeroportit, që të mos ketë incident.

Në lidhje me arsyen e tretë – “Shkelja e përdorimit të gjuhës maqedonase”, ku theksohet se “në mënyrë tendencioze e përjashtoj nga përdorimi gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, dua të theksoj se puna ime është në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Nëse nuk jeni tendenciozë edhe në këtë pikë, ju propozoj të lexoni Amendamentin V të Kushtetutës, si dhe nenin 3 paragrafët 1, 2, 3 dhe 4 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku tema e gjuhës është përcaktuar saktë”, deklaroi Gashi.

Kujtojmë se incidenti i 11 gushtit ndodhi pasi zyrtarët e Aeroportit të Shkupit, sipas Presidencës së Kosovës, tentuan t’i merrnin telefonin personal presidentes Osmani, gjatë kontrollit në aeroport. Ajo dhe pjesëtarët e sigurimit të saj më pas thirrën në telefon Gashin për ta informuar për incidentin, duke besuar se në këtë rast ishin shkelur praktikat ndërkombëtare. Gashi deklaroi më 27 gusht se ai reagoi pas kësaj telefonate, me qëllim që të shmangte një incident të madh.

Pas incidentit, Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut njoftoi se shefi i sigurisë së Gashit dhe dy anëtarë të tjerë të ekipit të tij, nën urdhrat e kryeparlamentarit, shkuan në zonën VIP të Aeroportit dhe u përballën me policët e aeroportit, pasi insistuan që presidentja Osmani të kalonte pa iu nënshtruar kontrollit të sigurisë. Një departament brenda kësaj ministrie pezulloi nga puna shefin e sigurisë dhe hapi procedurë disiplinore ndaj dy truprojave të tjerë.

Për shkak të incidentit në Aeroportin e Shkupit, Ministria e Jashtme e Kosovës i dorëzoi një notë proteste Shkupit më 2 gusht, duke kërkuar sqarim të plotë të ngjarjes.

Dy ditë më pas, më 5 gusht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi Maqedoninë e Veriut dhe diskutoi për incidentin me kryeminstrin, Hristijan Mickoski. Të dy thanë se incidenti nuk ka prekur raportet mes dy shteteve, teksa Kurti tha se po priste raportin e hetimit të kryer nga autoritetet maqedonase.

Të fundit