Viti i ri shkollor ka nisur të hënën, më 2 shtator, dhe për këtë vit, mësimi do të përfundojë më 10 qershor pa pushime pranverore. Megjithatë, shqetësues mbetet fakti se në dekadën e fundit, numri i nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme në vend është ulur për 10 përqind apo 27 mijë nxënës më pak. Sociologë dhe ekspertë të arsimit për KDP.MK identifikojnë një sërë faktorësh për këtë situatë, duke filluar nga ato ekonomike dhe politike, korrupsionin dhe mungesën e shpresës, deri te ndikimi i psikologjisë së masave. “Trendi i lindjes së ulët, ndjekja e të tjerëve pa menduar mirë, dhe korrupsioni i përhapur nga politikanët kanë çuar në humbjen e shpresës tek brezat e rinj. Pa një përmirësim të dukshëm të situatës, zbrazja e shkollave do të vazhdojë“, thotë Pajaziti. Vetëm në shtatë vitet e fundit, thonë ato, numri i nxënësve ka rënë për 17 mijë, duke çuar në mbylljen e shumë paraleleve dhe shkollave, si dhe krijimin e tepricës teknologjike të mësimdhënësve nëpër shkolla. “Statistikat tregojnë se rënia e numrit të nxënësve në shkolla fillore dhe të mesme lidhet me uljen e natalitetit dhe emigrimin, veçanërisht për shkak të papunësisë, rënies së standardit jetësor, mungesës së drejtësisë dhe politizimit të institucioneve shtetërore, përfshirë arsimin dhe shëndetësinë“, thotë Ismaili.
Shkruan: Enis Shaqiri
Hulumtimi i Qendrës për Komunikime Civile (QKC), bazuar në të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS), tregon se gjatë dekadës së fundit, numri i nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme në vend është ulur për 10 për qind. Kjo rënie përkthehet në 27 mijë nxënës më pak.
Për sociologun Ali Pajaziti shkaqet e zbrazjes së shkollave janë shumë. Ai për KDP.MK thotë se korruptimi i të gjitha sferave të jetës që e kanë realizuar politikanët ka shkaktuar që brezat e rinj të humbin shpresën tek e ardhmja.
“Duke filluar nga ato ekonomike, politike, deri te psikologjia e masave, pra ndjekja e të tjerëve pa menduar mirë. Trendi i moslindjes së shumë fëmijëve apo familja bërthamë e ka zëvdendësuar atë të zgjeruar apo tradicionale që dikur ishte normalitet. Pra familjet me 4-5 fëmijë janë raritet sot, trajtohen si histori, rastet e tilla shërbejnë edhe për tallje. Korruptimi i të gjitha sferave të jetës që e kanë realizuar politikanët kanë shkaktuar që brezat e rinj të humbin shpresën te e ardhmja, tek të martuarit e dekadave të fundit saqë edhe njerëz me gjendje stabile të jetesës e braktisin vendin. Përderisa nuk shohim lakoren pozitive të zhvillimeve në vend kjo tendencë e zbrazjes së shkollave do të vazhdojë”, thotë Pajaziti.
Në të njëjtën linjë me Pajazitin është edhe Satki Ismaili, mësimdhënës në shkollën fillore ”Kirili dhe Metodi” në Tetovë, cili pohon se rënia e numrit të nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme lidhet me uljen e natalitetit dhe emigrimin jashtë vendit, për shkak të papunësisë, rënies së standardit jetësor, mosfunksionimit të ligjit, dhe politizimit të skajshëm të institucioneve shtetërore, përfshirë arsimin dhe shëndetësinë.
“Vetëm brenda 7 viteve të fundit numri i nxënësve është zvogëluar për 17 mijë ndërsa në dekadën e fundit 27 mijë, që ka ndikuar në mbylljen e një numri të konsideruar të paraleleve dhe shkollave dhe paraqitjen e tepricës teknologjike të mësimdhënësve në shkolla që me ndryshimet e normativeve në realizimin e programeve mësimore të mësimdhënësve ka tolerancë të kompetencave profesionale që ndikon në rënien e kualitetit të arsimit dhe të arriturave në fusha të ndryshme. Njëkohësisht rënia e numrit të nxënësve në shkolla mundëson që mësimi të realizohet në një ndërrim dhe qëndrim ditor ku këtë vit shkollor ka rritje të numrit të shkollave me një ndërrim por në disa vende urbane numri i nxënësve tejkalon normat ligjore”, thotë Ismaili.
Sipas QKC-së, më e theksuar është rënia e numrit të nxënësve në arsimin e mesëm, ku në një dekadë janë 17 mijë nxënës më pak.
Në arsimin fillor, nga ana tjetër, numri i nxënësve ka rënë për pesë përqind, pra për dhjetë mijë nxënës. Në dy të tretat e komunave ka rënie të numrit të nxënësve, ndërsa rritje ka në dhjetë komuna të Shkupit dhe nëntë komuna të tjera, jashtë Rajonit të Shkupit.
“Përkundrazi, rritje ka vetëm në shtatë komuna, pesë prej të cilave janë të Rajonit të Shkupit dhe vetëm tri komuna tjera, Bërvenica, Bogovina dhe Bogdanci. Katër nga komunat me rritje janë ato në të cilat në 10 vitet e fundit është hapur shkollë mesme. Nëse përjashtohen këto komuna, numri i nxënësve të shkollave të mesme është rritur vetëm në tri komuna të vendit, përkatësisht: Aerodrom, Qendër dhe Bogdanci. Mirëpo, në të shtatë komunat ku ka rritje të numrit të nxënësve të shkollave të mesme, numri i përgjithshëm i rritjes është 1.136”, thuhet në hulumtimin e QKC-së.
Në përqindje, humbësi më i madh i nxënësve të shkollave të mesme është Pehçeva, ku vitet e fundit numri i tyre është zvogëluar për 83 përqind.
Në shifra absolute, rënia më e madhe e numrit të nxënësve të shkollave të mesme ka në Shkup dhe pothuajse në të gjitha qytetet e mëdha – Tetovë, Strugë dhe Kërçovë, Strumicë, Gostivar, Kumanovë dhe Shtip.
Për shtatë vite, numri i nxënësve ka rënë nga 262 mijë në 245 mijë
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska të hënën, në një konferencë për media para fillimit të vitit të ri shkollor 2024/2025, tha se viti i ri shkollor fillon për 245 mijë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme. Ky numër, tha Janevska, është ulur për 17 mijë në shtatë vitet e fundit.
Megjithatë, Janevska deklaroi se për herë të parë pas shtatë vitesh, viti shkollor fillon me dorëzimin e teksteve shkollore në kohë, në të gjitha shkollat fillore në vend, dhe se janë dhënë dhjetëra tituj të rinj në arsimin fillor dhe mbi njëqind në arsimin e mesëm që nuk kanë qenë të shtypur deri më tani.
“Të gjitha tekstet shkollore që janë miratuar dhe shtypur tashmë janë dorëzuar në këto 60 ditë në tirazh prej 360.000 ekzemplarësh. Për lëndën e historisë dhe shoqërisë për klasat e pesta dhe të gjashta, si dhe për lëndët e historisë dhe gjeografisë për klasën e shtatë kemi siguruar materiale të shtypura në të 5 gjuhët mësimore, duke qenë se nuk kishte tekste të miratuara. Gjithashtu kemi siguruar materiale mësimore për gjuhën dhe kulturën e komuniteteve në të gjitha paralelet ku nuk ka pasur tekst shkollor”, tha Janevska.
Por me këtë nuk pajtohet profesori Satki Ismaili. Ai thotë se edhe këtë vit shkollor, sikurse vitet e tjera, ka vështirësi me furnizimin me libra shkollorë, sidomos me ato të gjuhëve të huaja dhe librat nga koncepti i ri.
“Arsyet si gjithmonë që jepen nga MASH nuk mund të arsyetojnë neglizhencën institucionale pasojat e të cilëve shkojnë në dëm të arritjeve të nxënësve. Ne, mësimdhënësit, konsiderojmë se mangësitë e funksionimit të institucioneve shtetërore nuk mund të mbulohen me arsyetime të pabaza”, thotë ai.
Ismaili përmend edhe disa sfida të tjera me të cilat përballet sistemi arsimor, në krahasim me vitet e kaluara:
• Ndryshimet në konceptin e ri mësimor: “Ndërprerja e realizimit të konceptit të ri për klasën e 7-të, për arsye të revidimit të dyshimtë dhe mungesës së teksteve mësimore, rikthen nxënësit në konceptin e vjetër, gjë që mund të çojë në ngecje dhe probleme të mëdha për këtë gjeneratë”, thekson Ismaili.
• Motivimi dhe përgatitja e nxënësve dhe mësimdhënësve: “Pas një periudhe reformash të pakordinuara dhe të pamenduara mirë, mund të ketë një ndjenjë destabiliteti dhe mungesë motivimi, që ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në përgatitjen e tyre për fillimin e vitit shkollor”, shton ai.
Ndërsa Janevska tha se zbatimi i konceptit të ri për arsimin fillor është vonuar në klasat e shtata, teta dhe të nënta, dhe se njëjta do të futet në përdorim gjatë tre viteve të ardhshme.
“Aktualisht jemi duke u konsultuar me mësuesit dhe të gjitha komentet e tyre do të integrohen në programet e reja që do të përgatiten nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit dhe do të futen në shkolla në faza gjatë tre viteve të ardhshme, vit pas viti, duke filluar nga viti 2025-2026. Ne do t’i kthehemi rishikimit të plan-programeve në klasat e ulëta, sepse situata atje është identike”, theksoi Janevska.
Nuk do të ketë rritje të pagave për mësimdhënësit
Ministrja Janevska gjithashtu bëri të ditur se qëndrimi i Ministrisë dhe Qeverisë është se rritja e pagave për mësimdhënësit është paraparë në vitin 2025 dhe këtë vit nuk ka pasur mundësi të ndërhyhet.
“Është plotësisht e kuptueshme që mësuesit kanë të drejtë, ata kërkojnë dhe mbrojnë të drejtat e tyre dhe unë u qëndroj plotësisht pranë. Apeloj, të durojmë një periudhë të shkurtër dhe së bashku ta kalojmë krizën, e cila është rezultat i menaxhimit të keq dhe të pakujdesshëm të parave nga menaxhmenti i mëparshëm”, tha Janevska.
E për këtë sociologu Pajaziti thotë: “Njeriu është `homo economicus`, pra ka nevoja materiale të cilat po nuk iu plotësuan çalon edhe në performancat e veta në mësimdhënie”.
Në këtë drejtim, ai shton se me rëndësi është edhe bashkëpunimi me prindërit që të arrihet efektivitet më i lartë në këtë proces kompleks të përgatitjes së personalitetit të fëmijëve.
“Sfidë janë edhe devijimet e kohës, nga drogërat e deri te lojërat e fatit që për fat të keq kanë plakosur shkollat tona me afrimin institucioneve arsimore sa s’bën dhe që mund t’ua humbin rrugën shumë fëmijëve dhe të rinjve”, thotë Pajaziti.
Ekspertët, krejtësishtë në fund, theksojnë se është e nevojshme të ndiqen trendet globale për mësimdhënie të kualitetit më të lartë. Ata kritikojnë politikat eksperimentale që ndikojnë negativisht në cilësinë e arsimit, duke theksuar se fokusi duhet të jetë në teknologji moderne dhe në përmirësimin e mësimdhënies dhe mirëqenies së nxënësve.
“Si çdo fillim i vitit shkollor përkrah sfidave në lëminë e arsimit, optimizmi është shtyllë shumë e rëndësishme që pritshmëritë tona që ti realizojmë obligimet tona në pajtueshmëri me programet dhe konceptet mësimore. . Dilemat tona janë që arsimi për fat të keq është një poligon eksperimentimi i politikave konfrontuese të cilat ndikojnë dukshëm në rënien e kualitetit në arsim. Barazia në arsim duhet të jetë reflektim i strategjive dhe qëllimeve afatgjate që për fat të keq në vazhdimësi ka tendenca që nëpërmjet përmbajtjeve në tekstet mësimore përkatëse në theks të veçantë në librat e Historisë dhe Shoqërisë dikriminimet rrezikojnë përmbushjen e kritereve dhe standardeve për shkolla gjithëpërfshirëse bashkëkohore”, thotë Ismaili.
“Të ndiqen trendet globale, në veçanti ato perëndimore që flasin për high-quality teachers (mësimdhënës të kualitetit më të lartë), efektivitet të mësuarit aktiv dhe reflektiv, mirëqenie, shëndet mendor, prevalencë të inteligjencës artificiale. Për fat të keq,te ne ende flasim për transportin, me çka do shkojnë në shkollë nxënësit, a do të ketë autobusë nesër, gjë të cilën kombet e civiliziuar qëmoti nuk e diskutojnë edhe është turp të jetë aktualitet. Atje flitet për smart tools dhe intervenim të fokusuar për nxënës individualë, për enjoyment of school (kënaqësi në shkollë), tek ne për libra me faqe të munguara, për nivele shkollore që kanë tekste pjesërisht apo s’i kanë fare”, thotë Pajaziti.
Forumi Rinor Arsimor në RMV kërkon integrim të teknologjive digjitale në mësimdhënie
Ndryshe, Forumit Rinor Arsimor (FRA), dje, në ditën e parë të shkollës tha se nxënësit meritojnë metoda moderne të të mësuarit, të menduarit kritik dhe integrimin e teknologjisë së informacionit dhe tendencave digjitale në mësimdhënie, si dhe investimin në kërkimin shkencor dhe forcimin e pavarësisë së nxënësve.
“Sot, më 2 shtator, rreth 67 mijë nxënës të shkollave të mesme dhe 180 mijë nxënës të shkollave fillore ulen në bankat shkollore me dëshirën për njohuri dhe përvoja të reja. Por a do ta nisin vërtet vitin shkollor në një mjedis që i përgatit për të ardhmen? Jemi dëshmitarë se sistemi ynë arsimor ende po përballet me sfida të mëdha”, thanë nga atje.
Ata përkujtojnë se hulumtimet tregojnë se nxënësit e vendit tonë janë shumë nën mesataren botërore në arritjet arsimore.
“Dita e parë e shkollës duhet të jetë fillimi i ndryshimeve thelbësore në arsim. Është koha që shkollat të kthehen në qendra të dijes dhe inovacionit dhe modele të reja arsimore të edukimit përmes të cilave të rinjtë do të marrin mbështetje dhe inkurajim për të arritur potencialin e tyre të plotë”, theksuan nga FRA.
Kujtojmë se të hënën, më 2 shtator, ka filluar viti i ri shkollor për 245 mijë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme. Mësimi do të zgjasë deri më 10 qershor, pa pushim pranveror, pasi një anketë e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) tregoi se shumica e prindërve, nxënësve dhe mësimdhënësve nuk ishin të kënaqur me pushimin pranveror të vitit të kaluar.