Në pjesën perëndimore të Maqedonisë së Veriut, me shumicë shqiptare, për çdo vit, që nga fillimi i korrikut e deri në fund të gushtit, regjistrohet një fluks i madh i mërgimtarëve që vijnë në vendlindjen e tyre. Gjatë kësaj periudhe të shkurtër të pushimeve në vendlindje, një numër i konsiderueshëm i tyre, të shkëputur tërë vitin nga familjet dhe farefisi, kalojnë bukur në vendin e tyre, duke u çmallur me të afërmit dhe të dashurit dhe shuajnë nostalgjinë e tyre të thellë. Qytetet dhe fshatrat marrin një gjallëri jetese, marrin një pamje sikur të ishin vende bregdetare me përplot turistë që bëjnë pushime dhe harxhojnë shumë para për konsumim. Dhe, kur vjen fundi i gushtit, mërgimtarët tanë ikin nga vendlindja dhe kthehen në vendet e tyre të punës, duke i lënë vatrat e tyre të zbrazura.
Shkruan: MERXHAN JAKUPI
Sipas një sondazhi, çdo mërgimtar gjatë pushimeve në vendlindje shpenzon mesatarisht nga 5 mijë euro, në të shumtën e rasteve për ndeja dhe ahengje, ndërsa për dasma dhe ndërtim të shtëpive të reja, shumëfish më shumë. Kur është fjala për ndërtim shtëpish apo blerje banesash, është absurd fakti që hidhen gjithë ato investime për të qëndruar vetëm një muaj në vit dhe pastaj ato mbeten pa tym në oxhak.
Gjeneratat që kanë lindur jashtë ose që kanë shkuar në mërgim në fëmijëri me prindërit, shumë pak kanë interesim për shtëpitë apo banesat e tyre dhe s’e çajnë kokën për atë se prindërit e tyre kanë investuar në to. Ata që kanë lindur larg vendlindjes së prindërve të tyre dhe që janë rritur në shtete perëndimore, konsiderojnë vendlindje shtetin ku kanë lindur dhe rritur. Megjithatë, një numër i tyre kanë njëfarë nostalgjie për rrënjët e prindërve të tyre dhe mbajnë lidhje me atdheun. Aty i bëjnë dasmat dhe i ruajnë doket dhe zakonet e të parëve. Për dallim nga të tjerët, të cilët vijnë në vendlindjen e prindërve sikur të ishin turistë të huaj.
Ekziston frika e arsyeshme te prindërit e tyre se këta fëmijë, kur t’i humbin të parët, gradualisht do të largohen nga atdheu i tyre, duke u inkuadruar tërësisht në shoqërinë perëndimore. Parashikimet më ogurzeza shkojnë deri atje se ata janë të gatshëm t’i shesin pronat e prindërve dhe të mos kthehen më në vendin e të parëve të tyre, dhe kështu do të shkëputeshin përfundimisht nga toka, gjaku dhe fisi i tyre.
Ky brez i të rinjve që vijnë në atdheun e tyre s’dinë të flasin në gjuhën maqedonase apo serbe, kështu që kur e do nevoja, më shumë komunikojnë në gjuhët botërore, në radhë të parë në anglishte, por edhe në gjermanishte. Fatmirësisht, sondazhet tregojnë se kjo gjendje e mjerë s’ka të bëjë edhe me mërgimtarët nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët tregojnë më shumë gatishmëri për t’u kthyer dhe për të investuar në vendet e tyre dhe të prindërve të tyre.
Pse ndodh kjo dukuri me mërgimtarët nga Maqedonia e Veriut? Sipas disa të dhënave, të rinjtë që kanë prejardhjen e prindërve nga ky shtet ndjehen të majorizuar dhe të diskriminuar nga pushteti dhe qeveritarët kur vijnë për pushime, për shkak të paragjykimeve që ende po jetojnë në kokat e disave për shqiptarët.
Nëse bëhet një paralele me të kaluarën, si në atë të ish-Jugosllavisë, mund të thuhet se në Maqedoninë e Veriut fort pak kanë ndryshuar mentalitetet. Ky vend nuk u ofron atyre kurrgjë për t’i joshur që të investojnë dhe të kthehen në këtë vend, përkundrazi nxjerrin lloj-lloj pengesash dhe procedurash administrative për t’i vështirësuar punët. Ata po keqtrajtohen edhe gjatë kalimit të kufirit, me pritjet e gjata, në vend që të ndodhë e kundërta, sepse mërgimtarët sjellin para të majme dhe ngjallin ekonominë e vendit. Doganierët dhe shërbimet në aeroport shpesh gjejnë pretekste të ndryshme, për t’i keqtrajtuar udhëtarët. Ata shpesh i kërcënojnë të rinjtë shqiptarë se pse nuk e dinë gjuhën zyrtare për të komunikuar me ta dhe sugjerojnë që ta mësojnë atë gjuhë, nëse duan të integrohen në këtë shtet.