E diel, 8 Shtator, 2024

SHBA: KOSOVA PO VË NË RREZIK MUNDËSITË QË NE I KEMI NDIHMUAR TË KRIJOJË

Shtetet e Bashkuara thanë  të mërkurën se me vendimet e vazhdueshme të pakoordinuara, Kosova po vë në rrezik mundësitë që Uashingtoni i ka ndihmuar që të krijojë. Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, gjatë një konference për media përsëriti se SHBA-ja është e shqetësuar me vendimet e fundit të Kosovës, kur u pyet nëse duhet të ketë pasoja për autoritetet në Kosovë pas mbylljes së disa objekteve të Postës së Serbisë në veri të vendit disa ditë më pare, – përcjell kdp.mk njoftimin e REL.

“Ne besojmë se vënë në rrezik mundësitë që ne kemi ndihmuar që Kosova të krijojë. Nëse e shikoni që nga pavarësia e Kosovës, SHBA-ja fuqishëm ka mbështetur integrimin e tyre të plotë në komunitetin ndërkombëtar si demokraci sovrane e multietntike, por për të realizuar këtë vizion që ne ndajmë, ne kemi bashkëpunuar me udhëheqësit e njëpasnjëshëm të Kosovës në masat për të fuqizuar paqen dhe prosperitetin në vend, duke avancuar Kosovën në rrugën euroatlantike”, tha Miller më 7 gusht.

Miller tha se prandaj e inkurajojnë Qeverinë e Kosovës që të kthehet “në angazhimin e ngushtë dhe konstruktiv” me ta, Bashkimin Evropian, NATO-n dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.

Zëdhënësi i DASH-it tha se këto qëndrime ia kanë shprehur edhe privatisht Qeverisë së Kosovës, teksa theksoi po ashtu se nuk dëshiron që spekulojë për veprimet në të ardhmen.

Më 5 gusht, autoritetet në Kosovë mbyllën nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – vendim që u kritikua nga SHBA-ja dhe BE-ja. Vendimi është kritikuar edhe nga autoritetet në Serbi.

Por, autoritetet në Kosovë kanë thënë se objektet e mbyllura nuk kishin licencë për punë.

Ambasada amerikane në Prishtinë reagojë po atë ditë, duke thënë se veprimet e pakoordinuara të Kosovës “përballin shtetasit e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it me rrezik të madh, nxisin përshkallëzim të panevojshëm të tensioneve rajonale, dhe minojnë reputacionin e Kosovës si partnere e besueshme ndërkombëtare”.

SHBA-ja i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti, që t’i japë fund veprimeve të njëanshme dhe t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun për normalizimin e raporteve me Serbinë, që ndërmjetësohet nga BE-ja.

SHBA-ja, por edhe BE-ja dhe shtetet po ashtu po kundërshtojnë hapjen e urës mbi lumin Ibër, që Qeveria e Kosovës po synon që ta hapë për trafik.

Disa serbë protestuan të mërkurën në Mitrovicë të Veriut për të kundërshtuar hapjen e urës mbi Ibër, që ndan Mitrovicën e Jugut, të banuar me shqiptarë, dhe atë të Veriut, të banuar me shumicë serbe.

Qeveria e Kurtit, në mes të korrikut njoftoi se synon të hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Megjithatë, vendet e QUINT-it – SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia – më 2 gusht deklaruan se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë moment.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, deklaroi se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Ky mision ka përsëritur se nuk do të ngurrojë të ndërmarrë “të gjitha masat e nevojshme” për t’i luftuar zhvillimet të cilat mund ta cenojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

Ushtarët italianë në kuadër të misionit të KFOR-it ndodhen në urën mbi lumin Ibër, ndërsa afër ndodhen edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Në periudhën pasluftës, ura mbi lumin Ibër, ishte simbol i trazirave dhe barrikadave të ngritura nga serbët e Kosovës për t’i kundërshtuar përpjekjet e Kosovës për të vendosur autoritetin në veri.

Ura, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë, edhe pse në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është rënë dakord që të hapet edhe për qarkullimin e automjeteve./REL/ 

Të fundit