E diel, 8 Shtator, 2024

DESTABILIZIM APO TEATËR?

BDI-së në thelb nuk i pëlqen përshkallëzimi i shpejtë, i cili do të vinte alarmin e sigurisë edhe të komunitetit ndërkombëtar dhe NATO-s, por kjo psikozë etniko-politike i shkon për shtati.

Shkruan: Petar Arsovski

Deklarata e kryeministrit – e mbështetur më vonë me konfirmimin e Ministrit të Punëve të Brendshme – se një parti politike në Maqedoni, në këtë rast BDI, po përgatit destabilizimin e sigurisë, ka shpërthyer si bombë mediatike. Akuza të rënda, të bëra nga burimet më të informuara. Në çdo rrethanë tjetër, do të ishte një goditje bërthamore në skenën politike: pretendimet për shembjen e rendit kushtetues të vendit janë, si rregull, një rast për ngritjen e situatës së sigurisë, thirrjen e një Këshilli të Sigurimit emergjent, madje edhe ngritjen e nivelit të gatishmërisë së ushtrisë në raste të caktuara. E megjithatë, kam përshtypjen se mungonte një gjurmë më serioze e lëvizjeve të përshtatshme. Rezignimi i tillë relativ me të cilën u morën këto njoftime, si dhe mungesa e një reagimi institucional, apo edhe një reagim më serioz nga subjektet e tjera politike, NATO, komuniteti ndërkombëtar dhe publiku i gjerë, flet në favor të konkluzionit se publiku nuk i kushton shumë rëndësi këtyre njoftimeve: ose nuk e marrin seriozisht BDI-në, ose kryeministrin. Ose të dyja.

Psikozë sigurie

Për të qenë i sinqertë, në Maqedoni ka ekzistuar gjithmonë një kulturë e psikozës së vazhdueshme të sigurisë, e cila u jepet zyrtarëve nga strukturat e inteligjencës, e mbështetur me gjysmë informacione të mbështjella me “inteligjencë operative” dhe “njoftime të besueshme”, dhe nënkuptime pa hapa konkretë, të cilat mund të të jetë një shpjegim i pjesshëm për një reagim të tillë publik pa veprime operative – sepse në të kundërt, detyra e shërbimeve të sigurisë do të ishte parandalimi i destabilizimit, e jo shpallja e tyre përmes mediave. Megjithatë, këto mbeten akuza serioze – të cilat ose do të rezultojnë në veprime sigurie, ose do të minojnë besueshmërinë e strukturave të sigurisë.

BDI-ja ka nevojë serioze për një temë të re – të madhe

Në kuptimin politik, akuza të tilla nuk e shqetësojnë fare BDI-në, përkundrazi. Është brenda narrativës dhe strategjisë së tyre, të paraqiten si përfaqësues legjitimë të shqiptarëve, mjaftueshëm të fortë për të kundërshtuar çdo përpjekje për të ndryshuar territoret tashmë të tërhequra dhe të pushtuara etniko-politike. Së dyti, radikalizmi i boshtit maqedonas-shqiptar gjithmonë ka sjellë pikë politike si për maqedonasit radikalë ashtu edhe për shqiptarët radikalë. Akuzat për korrupsion dhe krim janë më të vështira për BDI-në, sepse cenojnë imazhin e tyre ideologjik dhe vlerat themelore (revolucionare), sesa akuzat për mobilizim etnik. Për më tepër, BDI-ja ka nevojë serioze për një temë të re të madhe, pasi qëndrimi në opozitë mund të dëmtojë pozitat e tyre afatgjata politike. Ata kanë promovuar më parë narrativa të tilla më serioze – e para ishte me një kryeministër shqiptar dhe e dyta me të ashtuquajturën “agjenda e gjelbër”. Asnjëra prej tyre nuk dha një rezultat më serioz politik, por në aspektin e komunikimit ishin një hit i plotë – ata dominuan skenën, e mbajtën BDI-në aktuale dhe u deklaruan si prioritet kryesor politik.

Prandaj, mendoj se këto njoftime për destabilizim, protesta masive, frikë te maqedonasit dhe përshkallëzim të tensioneve etnike, janë territor i njohur dhe komod për BDI-në. Në atë narrativë ata ia dalin me sukses dhe nga njoftime të tilla do të kenë përfitim politik. Ky pozicion, i kërcënuar, por pa epilog konkret, është një vend i shkëlqyer politik për ta – aktual, i fortë, por pa rrezik të madh politik dhe të sigurisë. Pikërisht për këtë mendoj se rreziku i destabilizimit të sigurisë të drejtuar nga BDI, së paku deri në zgjedhjet lokale, mbetet i ulët. Mendoj se BDI-së në thelb nuk i pëlqen një përshkallëzim i shpejtë, në të cilin do të ndiznim alarmet e sigurisë edhe të bashkësisë ndërkombëtare dhe NATO-s, por kjo psikozë etniko-politike i shkon.

Nga aty mendoj se për BDI-në prioritet i parë do të jetë sërish fitimi i zgjedhjeve lokale me mjete krejtësisht politike. Kështu, pa një përmbysje të madhe politike, do ta vendosë VMRO DPMNE-në nën presion shtesë për t’i kthyer si partner koalicioni dhe VLEN-in të mbetet vetëm një episod, si ai me PDSH-në 2006-2008. Nëse BDI-ja me njoftime të tilla, kërcënime të nënkuptuara dhe narrativa të tjera të favorshme arrin t’i fitojë zgjedhjet lokale (të dominojë në listat e këshilltarëve), atëherë nuk do të ketë nevojë për përshkallëzim shtesë – rezultati politik do të jetë presion i mjaftueshëm në drejtim të tyre me narrativë – se përfaqësuesit legjitimë të shqiptarëve nuk janë në qeveri. Prandaj, mendoj se deri atëherë ka më shumë gjasa që ata t’i përmbahen mjeteve politike radikale, por të lejueshme – protesta, bllokada etj. Por nëse humbasin edhe zgjedhjet lokale dhe kërcënohen me një periudhë më të gjatë në opozitë, me shpalljen e një ndjekjeje të rëndë penale nga qeveria, atëherë nuk duhet përjashtuar mundësia e përshkallëzimit të mëtejshëm të metodave të veprimit të tyre.

Mirëpo, në fund, qëllimi përfundimtar i këtyre njoftimeve, por edhe i planeve të BDI-së, janë rezultatet e zgjedhjeve. Në këtë kuptim, sjellja e tyre në të ardhmen do të varet nga “framing-u” (metoda e imponimit të – kornizimit narrativit mediatik). Nëse ata arrijnë të shesin historinë se janë revolucionarët legjitimë që janë nën persekutim politik, nuk do të kenë nevojë të eskalojnë. Megjithatë, nëse fiton narativi se autoritetet e BDI-së janë kriminelë që mbrojnë veten nga persekutimi me historinë e tyre etniko-revolucionare – atëherë ata do të duhet të përdorin metoda të reja.

Marrë nga DW / Përktheu: KDP

Të fundit