E diel, 8 Shtator, 2024

BDI: ME MJETE DEMOKRATIKE KUNDËR POSHTËRIMIT TË SHQIPTARËVE

Kemi mandat nga votuesit shqiptarë që të mbrojmë legjitimitetin, dinjitetin e votës dhe popullin shqiptar në RMV, iu përgjigjet BDI pohimeve se partia do të ndërmarrë hapa për destabilizim.

Shkruan: Katerina Blazhevska*

Betejë kundër majorizimit, rritje e zhurmës politike që të mos ulet “temperatura e punës” në BDI, apo rrezik real nga destabilizimi?

Çështja u riaktualizua pas deklaratës së djeshme të kryeministrit Hristijan Mickoski, sepse  posedon informacione të siguruara përmes disa kanaleve se udhëheqja e BDI-së, në përpjekje për të mbrojtur kapitalin që ka krijuar në 20 vitet e kaluara, do të ndërmarrë këtë vjeshtë hapa drejt destabilizimit të shtetit.

Kësaj deklarate i është përgjigjur partia nga Reçica e Vogël me një njoftim të shkurtër.

“Pa dashur t’i komentojmë spinet dhe bllofet politike, duam të qartësojmë se ne kemi marrë mandat dhe përgjegjësi nga votuesit shqiptarë për të mbrojtur legjitimitetin, vullnetin politik dhe dinjitetin e votës dhe popullit shqiptar në Maqedoni të Veriut. Do t’i ndërmarrim të gjitha masat dhe mjetet demokratike për të ndaluar poshtërimin dhe majorizimin e shqiptarëve nga imponimi i vazalëve”, – thuhet në komunikatë.

Lidhur me akuzat për kapitalin, nga Reçica e Vogël kanë shprehur gatishmërinë për një vetting të plotë nga ekspertë ndërkombëtarë.

“Sa i takon akuzave të pabaza për shkelje ligji, edhe njëherë ftojmë partitë politike për veting të të gjithë bartësve të funksioneve publike me asistencë ndërkombëtare. Vetëm kjo do t’i ndalojë bllofet, gjuetinë e shtrigave dhe keqpërdorimin e luftës kundër korrupsionit për qëllime politike. Ftojeni  menjëherë komunitetin ndërkombëtar të dërgojë ekspertë për veting të plotë për secilin prej nesh dhe prej jush, përfshirë edhe hetimin për procesin e privatizimit!”- thuhet një komunikatën e BDI-së.

Vetëm mekanizma demokratikë

Nuk është hera e parë që BDI bën thirrje për verifikim të plotë me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare. Sa herë që partia ishte në shënjestër të kritikave për korrupsion dhe krim, përgjigja ishte – jemi të gatshëm për një vetting gjithëpërfshirës.

Në parti tani prioritet është beteja për legjitimitet, pasi BDI-ja akuzoi se rezultatet zgjedhore të Frontit Evropian, të cilin ajo e udhëheq, nuk janë efektuar me pjesëmarrjen e tyre në pushtet. Që nga fundi i majit, funksionarë të partisë kanë paralajmëruar se do të mbrojnë legjitimitetin zgjedhor me të gjitha mjetet demokratike.

Të pyetur nga gazetarët për “mjetet”, ata më së shpeshti janë përgjigjur se do të jenë të pranishëm me konferenca të shpeshta për shtyp, me kumtesa dhe me “mbështetje masive”, gjithashtu pa sqaruar se në çfarë forme do të ishte kjo e dukshme – përmes protestave, tubimeve apo diçkaje tjetër.  Blerim Bexheti, deputet i BDI-së që në fund të muajit maj, paralajmëronte një verë të nxehtë politike.

“Nëse është 38 (gradë – v.j.) do të jetë 45, plus. Është legjitime që ai që ka fituar ta mbrojë fitoren e tij. Do të ishte qyqari të tërhiqesh, të mos e mbrosh”, – tha atëherë Bexheti.

Bashkëpartiaku i tij dhe ish-ministër i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, në kontekst të njëjtë paralajmëronte përdorimin e mekanizmave demokratikë.

“BDI-ja është treguar gjithmonë si parti shtetformuese dhe do të përdorë të gjithë mekanizmat demokratikë. Nuk po flas për mekanizma se duam ta trembim popullin. BDI dhe lideri i saj janë ideologët e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Aty jepet fryma dhe drejtimi se si duhet të lëvizë shteti për të krijuar harmoni ndëretnike dhe e brendshme në shoqëri, që të kemi një shtet të qëndrueshëm”, – tha Bekteshi.

As ai nuk bëri të ditur se çfarë hapash do të ndërmarrë BDI për të parandaluar “majorizimin”, përveç se ato janë rezultat i një tufe të madhe idesh dhe opsionesh që si ide vijnë nga intelektualë dhe njerëz që kanë kontribuar shumë për shtetin. Ishte lënë që liderit të partisë, Ali Ahmeti t’i kumtojë “së shpejti” hapat.

E njëjta histori

Dy muaj më vonë, në një takim me ambasadoren norvegjeze në RMV, Christine Melsom, Ahmeti konfirmoi se ndryshimet e kërkuara nga Fronti Evropian janë një sërë idesh/propozimesh që janë duke u punuar nga një ekip ekspertësh të huaj të udhëhequr nga njëri prej autorëve të Marrëveshjes së Ohrit, Paul Williams. Ai, sikurse kumtoi BDI, ai është angazhuar nga Ali Ahmeti, ndërsa në takimin me Melsomin, lideri i BDI-së konfirmoi angazhimin e Williamsit për platformën e legjitimitetit. Platforma që William duhet ta përgatis  ka të bëj me “legjitimitetin ndëretnik të institucioneve qendrore dhe lokale bazuar në rezultatet e zgjedhjeve dhe në frymën e Marrëveshjes së Ohrit”.

Burime nga blloku shqiptar, të njohur me proceset në BDI, thonë se aktivitetet e kësaj partie janë të ngjashme me ato të pas vitit 2006, kur BDI u përpoq të korrigjojë “gabimin” e VMRO-DPMNE-së, e cila formoi qeveri me PDSH-në dhe jo me BDI-në, e cila siguroi një legjitimitet më të madh elektoral në komunitetin shqiptar.

“E njëjta gjë po ndodh edhe sot, vetëm se tani oponent ësht VLENi. Mirëpo,  ndryshe nga atëherë, mbi bazën e dy dekadave të pushtetit, BDI-ja deri më sot ka ndërtuar shumë kanale komunikimi zyrtare dhe private me përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar, me organizata me ndikim dhe me drejtues të tyre, dhe është krejtësisht e sigurt se po i shfrytëzon të gjitha kontaktet për të paraqitur ‘rrezikun për demokracinë’ për faktin se nuk është në pushtet. Por në të njëjtën kohë krijon edhe konfuzion, sepse një herë flet për legjitimitetin që buron nga “vullneti shumicë i shqiptarëve”, e herën tjetër për “vullnetin shumicë të qytetarëve”, duke pasur parasysh se në Frontin Evropian nuk janë bashkuar vetëm  parti të shqiptarëve”, – thotë  një bashkëbisedues yni.

Ai gjithashtu thekson se imazhi i BDI-së sot nuk është i njëjtë me atë të vitit 2006, respektivisht se “hapi kufizues për BDI-në është vetë sjellja e BDI-së”, ngaqë përkundër thirrjeve të shpeshta formale për vetting me mbikëqyrje ndërkombëtare, vetë partia nuk e ka konfirmuar veten si një përkrahëse e zellshme e drejtësisë para institucioneve kompetente vendase, pikërisht kur ishte fjala për funksionarët e saj.

Kryetari i LSDM-së Venko Filipçe kërkoi nga Mickoski nëse ka ndonjë informacion për destabilizimin e mundshëm apo prishjen e paqes në vend, urgjentisht t’i ndajë me institucionet kompetente.

Informacion po, manipulime jo

Në debatin për destabilizimin e mundshëm është përfshirë edhe partneri i djeshëm qeveritar i BDI-së.  Kryetari i LSDM-së Venko Filipçe kërkoi që nëse Mickoski ka ndonjë informacion për destabilizimin e mundshëm apo prishje të paqes në vend, menjëherë t’i ndajë me institucionet kompetente. Përndryshe, vlerëson Filipçe, Mickoski bëhet bashkëpunëtor ose faktor politik që mund të ketë interes në një situatë të tillë.

“Informacionet për destabilizim të cilat kryeministri po i plason dy ditë me radhë shkaktojnë shqetësime tek qytetarët, kurse është përgjegjësi e tij personale që ta parandalojë një situatë të tillë. Nëse ai vetë nuk i ndanë informacionet, u bëj thirrje organeve hetimore që të nisin procedimet dhe të hetojnë këto pretendime. Si kryetar i LSDM-së, e cila është një parti e përgjegjëshme, gjithmonë kundërshtoj çdo formë të destabilizimit. Po ashtu, nuk guxon të lejohet as manipulimi ime ndjenjat e qytetarëve dhe shkaktimi i gjendjes së tensioneve, pa aksion konkret nga ana e shtetit”, – ka porositur Filipçe në një postim në Facebook.

*Shkrimi është marrë nga faqja në maqedonisht e DW-së/Përktheu: kdp.mk/

Të fundit