Të premten gjykatat ruse dënuan dy gazetarë amerikanë, Evan Gershkovich të gazetës Wall Street Journal dhe redaktoren e Radios Evropa e Lirë, Alsu Kurmasheva. Aktivistët që mbrojnë lirinë e shtypit thonë se të dy janë dënuar padrejtësisht.
Në një seancë me dyer të mbyllura të premten, Alsu Kurmasheva u dënua me gjashtë vite e gjysmë burg për, siç thotë Kremlini, përhapjen e informacioneve të rreme për ushtrinë ruse.
Vendimi duket se ka lidhje me rolin e saj si redaktore e një libri mbi rusët që janë kundër luftës në Ukrainë.
Është e paqartë nëse po shqyrtohen akuza të tjera kundër gazetarës së Radios Evropa e Lirë që ashtu si Zëri i Amerikës është pjesë e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Mediat Globale
Presidenti i Radios Evropa e Lirë, Stephen Capus e quajti gjyqin “tallje me drejtësinë”. Edhe grupet mediatike po dënojnë veprimet e Rusise.
“Kjo tregon sërish se si gjyqet kundër këtyre dy gazetarëve amerikanë në Rusi janë padyshim të manipuluara plotësisht nga autoritetet ruse”, thotë Karol Luczka nga Instituti Ndërkombëtar i Shtypit.
Vendimi ndaj gazetares Kurmasheva erdhi në të njëjtën ditë kur Rusia dënoi Evan Gershkovichin.
Gazetari i Wall Street Journal u dënua me 16 vjet burg për akuzat për spiunazh, të cilat ai i mohon.
Zyrtarët amerikanë kanë kërkuar lirimin e të dy amerikanëve.
“Mbetemi të përqëndruar në rastin e Alsu Kurmashevës. Ajo është një gazetare e përkushtuar e cila është vënë në shënjestër nga autoritetet ruse për angazhimin e saj të pakompromis për të thënë të vërtetën dhe raportimin parimor”, thotë Matthew Miller, zëdhënës i Departamentit të Shtetit.
Dënimet shënojnë një rënie të mëtejshme të lirisë së medias në Rusi. Ky vend renditet pranë fundit të listës në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit.
Moska ka burgosur të paktën 22 gazetarë, më shumë se gjysma e të cilëve janë shtetas të huaj, thotë Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve.
Shefja për Marrëdhëniet me Jashtë e Radios Evropa e Lirë, Diane Zeleny thotë se burgosja e padrejtë e Kurmashevës dhe rreziqet për gazetarët e Radios janë shqetësim i përditshëm.
“Është normalja e re. Është e trishtueshme por kjo është gjendja në botë për momentin. Gazetarët nuk janë të sigurt në shumë vende. Mënyrat për t’i ndihmuar ata janë minimale dhe ata po vihen në shënjestër nga qeveritë autoritare”, thotë zonja Zeleny.
E bija e Kurmashevës flet për ndjesitë e saj pas lajmit për dënimin e nënës.
“Do të ishte ndryshe nëse do ta dija thjesht se ajo ndodhet larg meje për një farë kohe, por duke e ditur se ajo është në një vend të pasigurt, në rrezik dhe se nuk është mirë, kjo është diçka që vërtet më trishton”, thotë Bini Butorin.
Ambasada ruse nuk iu përgjigj kërkesave të Zërit të Amerikës për koment. Por në rastin e gazetarit Gershkovich, Kremlini ka thënë se do të ishte i hapur për shkëmbim të burgosurish.