E mërkurë, 4 Dhjetor, 2024

DORASI I POLICIT NË SERBI ËSHTË VRARË, THOTË DAÇIQ

Zëvendëskryeministri i Serbisë, njëherësh ministër i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, ka thënë të premten se është vrarë personi që në orët e para të së enjtes vrau një polic në Serbi, transmeton KDP.MK njoftimin e Radios Evropa e Lirë.

Identiteti i personit të vrarë nuk është përmendur në komunikatën e lëshuar nga autoritetet serbe në pasditen e 19 korrikut.

Daçiq më herët gjatë së premtes tha se autoritetet ishin në kërkim të Faton Hajrizit, i dyshuar për vrasjen e policit, dhe plagosjen e një tjetri në Lloznicë, qytet në pjesën perëndimore të Serbisë.

Më vonë gjatë të premtes, Daçiq deklaroi ai është vrarë në vendin e quajtur Banja Kovilaça.

Duke mos e përmendur identitetin e të vrarit, Daçiq iu është referua atij si “terrorist shqiptar”.

Megjithatë, Daçiq, teksa vizitoi vendin ku u vra dorasi i dyshuar, tha se autoritetet serbe do të kërkojnë nga Gjermania ekstradimin e vëllait të tij sepse “ai ka thënë se ia ka vjedhë pasaportën, që është gënjeshtër”.

“Na ndihmoi që publikuam foton. Një vendas në lajmëroi që ka kërkuar ujë nga një banor lokal”, tha Daçiq.

Daçiq shtoi se ai po fshihej buzë lumit, duke kërkuar një mënyrë për ta kaluar atë.

“Kur ka ardhur policia, ai ka qëlluar dy herë automjetin e policisë. Policia ka reaguar dhe një plumb e ka goditur. Më pas, ai ka nisur të ikë, por është kapur nga policë të tjerë. Gjithsej, ai ka shtënë nëntë herë. Policia e ka vrarë. Ai nuk e kishte ndërmend të dorëzohej”, tha ai.

Vrasja e policit Nikolla Kërsmanoviq ka ndodhur në orët e para të së enjtes kur policia e ka ndalur veturën në të cilën ka qenë i dyshuari, për një kontroll rutinor.

Që nga 6 korriku, Faton Hajrizi, shtetas i Kosovës, kishte qenë në kërkim nga autoritetet e Kosovës, pasi ishte arratisur nga burgu i Smerkonicës.

Hajrizi dyshohet se kishte udhëtuar nëpër Serbi me dokumentet e vëllait të tij, Artanit, të cilat janë gjetur në vendngjarje pas vrasjes së policit serb. Ndërkohë, Artani është paraqitur para autoriteteve në Gjermani – ku dhe jeton- dhe ka thënë se i vëllai, Fatoni ia kishte vjedhur pasaportën gjatë kësaj jave në Gjermani. Megjithatë, nuk është konfirmuar nëse Fatoni ka qenë në Gjermani.

Ministria e Brendshme e Serbisë, më herët gjatë së premtes po ashtu publikoi fotografinë e Faton Hajrizit dhe u bëri thirrje qytetarëve për bashkëpunim.

Autoritetet kryen kontrollet në dy anët e lumit Drina, që gjendet në kufi me Serbinë dhe Bosnje-Hercegovinës, pasi dyshonin se personi që kreu vrasjen mund të ishte nisur në atë drejtim, raportoi Radio Televizioni i Serbisë (RTS) më 19 korrik.

Sipas ndihmësdrejtorit të policisë Dragan Vasileviq, helikopterët dhe dronët u përfshin në kërkim.

Të fundit