Në Parlamentin Evropian është ngritur nisma që nga organet kompetente të Bashkimit Evriopian të niset procedura e suspendimit të së drejtës së votës së Hungarisë, për shkak të veprimeve të fundit të kryeministrit të këtij vendi, Viktor Orban. Rijo Terras, një eurodeputet nga grupimi më i madh politik, Partia Popullore Evropiane, u ka dërguar një letër të gjithë deputetëve evropianë duke kërkuar mbështetjen e tyre për kërkesën që do t’ia dërgojë Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe Presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, – përcjell kdp.mk njoftimin e REL.
“Presidenca hungareze sapo ka filluar, kurse kryeministri Orbán tashmë ka shkaktuar dëme të konsiderueshme duke kepërdorur rolin e Presidencës së Këshillit. Në të ashtuquajturin mision të tij paqeruajtës, ai qëllimisht ka lënë përshtypjen se po vepron në emër të të gjithë Bashkimin Evropian, kur, në realitet, ai nuk ka autorizime të përfaqësojë BE-në ose cilindo shtet tjetër anëtar të BE-së, përveç se të tij”, -thuhet në letrën të cilën e ka parë Radio Evropa e Lirë.
Shkak për këtë letër është bërë vizita e kryeministrit hungarez në Ukrainë, Rusi dhe në Kinë.
Orban u takua në Moskë me presidentin rus Vladimir Putin. Ky takim hasi në dënimin e të gjithë aktorëve kryesorë të BE-së.
Nga një korriku i këtij viti, Hungaria mori presidencën gjashtëmujore të Bashkimit Evropian.
Sipas letrës së deputetëve evropianë, Orban po përpiqet të minojë vendimet ekzistuese të BE-së, të gjithë procesin e vendimmarrjes, si dhe unitetin e BE-së për çështje të rëndësishme.
“Nuk mund të lejohet që kjo të vazhdojë. Duhet veprim i vendosur për të kufizuar dëmin e mëtejshëm,” – thuhet në letër.
Cila është fuqia e letrës së Parlamenti Evropian?
Procesi i anëtarësimit është i ndërlikuar, por edhe procedurat, suspendimi i së drejtës së votës janë komplekse. Kompetencën për këtë e kanë shtetet anëtare.
Neni 7 i Marrëveshjes për Bashkimin Evropian, të cilit i referohet letra, lejon mundësinë e pezullimit të së drejtës së anëtarësimit në Bashkimin Evropian (siç është e drejta për të votuar në Këshillin e Bashkimit Evropian) nëse një vend seriozisht dhe me këmbëngulje shkel parimet mbi të cilat mbështetet BE-ja.
Elementet e aktivizimit të këtij neni përfshijnë respektimin e dinjitetit njerëzor, liritë, demokracinë, barazinë, sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave themelore, duke përfshirë të drejtat e pjesëtarëve të pakicave.
Për të aktivizuar nenin 7, me propozimin e një të tretës së shteteve anëtare të BE-së ose të Parlamentit Evropian apo të Komisionit Evropian, Këshilli, duke vepruar me një shumicë prej katër të pestave të anëtarëve të tij, pas marrjes së pëlqimit të Parlamentit, mund të përcaktojë se ekziston një rrezik i qartë nga shkelja serioze e këtyre parimeve themelore nga shteti – anëtar dhe mund t’i dërgojë atij rekomandimet përkatëse.
Neni 354 i Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian parashikon procedurat e votimit që duhet të përdoren nga institucionet kryesore të BE-së kur një shtet anëtar përballet me zbatimin e nenit 7.
Vendi i caktuar nuk merr pjesë në votim. Ai nuk është përfshirë në llogaritjen e një të tretës së vendeve që kërkohen për një propozim ose të katër të pestave të nevojshme për arritjen e shumicës.
Për pëlqimin e Parlamentit kërkohet një shumicë prej dy të tretash.
Euro-deputetët kanë afat deri më 12 korrik për të nënshkruar këtë letër, e cila më pas do t’u përcillet krerëve të institucioneve evropiane, – njofton REL.