E shtunë, 20 Korrik, 2024

BRUKSELI KËRKON MË SHUMË KONTROLL MBI PËRDORIMIN E PESTICIDEVE

Bashkimi Evropian ka rregulla të rrepta për sa i përket prodhimit të ushqimit, duke garantuar një nivel të lartë të sigurisë ushqimore për qytetarët e vet. Edhe pse Komisioni Evropian përshëndet progresin e bërë në politikën fitosanitare, përsëri thekson që Maqedonia e Veriut duhet të bëjë punë në kontrollin mbi përdorimin e pesticideve. Edhe pse pesticidet mund të ndihmojnë në ruajtjen e prodhimtarisë së bimëve nga insekte dhe sëmundje të ndryshme, nëse përdoren mbi normën e lejuar dhe ato që janë të ndaluara, atëherë përbëjnë rrezik serioz për shëndetin e njeriut.

Autore: Arta Sefadini

Maqedonia e Veriut ngec në zbatimin e rekomandimeve të Brukselit për sigurinë e produkteve ushqimore. Komisioni Evropian kërkon që këtë vit vendi t’i zbatojë masat për përdorimin e qëndrueshëm të pesticideve.

Edhe pse pesticidet mund të ndihmojnë në ruajtjen e prodhimtarisë së bimëve nga insekte dhe sëmundje të ndryshme, nëse përdoren mbi normën e lejuar dhe ato që janë të ndaluara, atëherë përbëjnë rrezik serioz për shëndetin e njeriut.

“Nëse pesticidet përdoren pa kujdes, në një afat më të gjatë mund të dëmtojnë sistemin nervor, mëlçinë, dhe organet reproduktive të organizmit tonë”, thotë Gordana Ristovska, udhëheqëse e Njësisë së Sigurisë Shëndetësore të Ushqimit pranë Institutit për Shëndet Publik.

“Ka pesticide që janë të ndaluara për t’u përdorur për shkak të degradueshmërisë së tyre të vështirë dhe toksicitetit të lartë, siç janë pesticidet organoklorike. Një grup tjetër pesticidesh quhen pesticide organofosforike dhe lejohen të përdoren, por duhet respektuar periudha e ashtuquajtur “karenca”, e cila është periudha e nevojshme për të ulur përmbajtjen e pesticideve në frutat që do të konsumojnë njerëzit. Kjo do të thotë që fermerët nuk duhet të mbledhin frutat menjëherë ose të aplikojnë pesticidin 2-3 ditë pas mbjelljes”, shton Ristovska.

PËRDORIMI KRONIK I PESTICIDEVE RREZIKON SHKAKTIMIN E KANCERIT

“Përdorimi afatshkurtër i pesticideve nuk ka pasoja të rënda shëndetësore, por përdorimi kronik mund të çojë në ndryshime degjenerative në sistemin neuromuskular dhe një rrezik në rritje të kancerit,” thekson Niko Beqarovski, toksikolog.

Pesticidet ndodhen në shumicën e fruta-perimeve që konsumojmë çdo ditë.

“Pesticidet më së shumti mund t’i gjejmë në speca, domate, tranguj dhe fruta si dredhëzat, qershitë, mollat etj“, thekson Gordana Ristovska nga ISHP.  Ajo sugjeron që e vetmja mënyrë për të mbrojtur veten është me larjen e fruta-perimeve me ujë, uthull dhe sodë bikarboni, ose me heqjen e lëvores së produkteve ushqimore.

BE-JA, RREGULLA TË RREPTA MBI SIGURINË E USHQIMEVE

Bashkimi Evropian ka rregulla të rrepta për sa i përket prodhimit të ushqimit, duke garantuar një nivel të lartë të sigurisë ushqimore për qytetarët e vet. Edhe pse Komisioni Evropian përshëndet progresin e bërë në politikën fitosanitare, përsëri thekson që vendi ynë duhet të bëjë punë në kontrollin mbi përdorimin e pesticideve.

“Masat për përdorimin e qëndrueshëm të pesticideve nuk janë zbatuar. Ende nevojitet punë thelbësore për të mbledhur të dhëna të besueshme mbi përdorimin në nivel kombëtar të pesticideve dhe ndikimin e tyre në shëndetin e njeriut“, thuhet në raportin e KE-së.

20 FERMERË NË VIT PËRFUNDOJNË NË TOKSIKOLOGJI

Toksikologu Niko Beqarovski ngre alarmin se në rrezik të drejtpërdrejtë nga efekti i pesticideve janë fermerët. Për shkak të mospërdorimit të mjeteve mbrojtëse, ata ndonjëherë mund t’i shkaktojnë vetes edhe dëme shëndetësore.

“Si pasojë, çdo vit 15-20 fermerë tanë përfundojnë me shenja klinike të helmimit apo ekspozimit ndaj pesticideve, si pasojë e thithjes së avujve toksikë apo kontaktit me lëkurën”, thekson Niko Beqarovski, toksikolog.

Fermeri Xhevahir J. thotë se shumica e fermerëve janë të infromuar mbi përdorimin e pesticideve pasi në ditët e sotme ka shumë informata në internet dhe në barnatoret bujqësore se cilët pesticide mund të përdoren dhe cilët janë të dëmshme për shëndetin.

“Mirëpo ka edhe të tillë të cilët nuk dinë si duhet përdorur pesticidet dhe jo vetëm që i bëjnë dëm vetvetes po edhe të tjerëve. Mund të them edhe atë se viteve të fundit janë larguar nga prodhimi disa pesticide që janë më të rrezikshme për shëndetin e njeriut”, shton ai.

Gordana Ristovska – Udhëheqëse e Njësisë së sigurisë shëndetësore të ushqimit pranë ISHP, thotë që ekziston një rregullore të cilin fermerët duhet ta respektojnë gjatë prodhimit dhe mbledhjes së fruta-perimeve:

“Për këtë arsye ekziston një Rregullore që rregullon vlerat maksimale të lejuara të pesticideve në ushqimet me origjinë bimore, e cila është në përputhje me rregulloret evropiane. Nëse ushqimi përmban mbetje të pesticideve mbi vlerat maksimale të lejuara, ai nuk është i sigurt për konsum njerëzor. Në atë rast, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë duhet të ndalojë shitjen e tyre”, sqaron Ristovska.

Nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë thonë që parandalimi i mbetjeve të pesticideve në produktet me origjinë bimore fillon në prodhimin primar, tek bujqit, e deri tek kontrolli i rreptë i aplikimit të pesticideve për mbrojtjen e bimëve, dhe çdo gjë kryhet në përputhje me standardet europiane.

“Legjislacioni dhe aktet nënligjore në lidhje me sigurinë ushqimore për sa i përket niveleve maksimale të lejuara të mbetjeve të pesticideve janë në përputhje me ato evropiane.” – theksojnë nga kjo Agjenci.

FERMERËT KËRKOJNË TRAJNIME MBI PËRDORIMIN E PESTICIDEVE

Fermeri Xhevahir J., për Eurothink thotë që shteti duhet të angazhohet më shumë për edukimin dhe informimin e fermerëve mbi përdorimin e pesticideve, sidomos duke dalë në terren dhe duke i vizituar më shpesh nga afër.

“Shteti si të them shumë pak, mund të them një herë në vit apo në dy deri tre vjet vijnë nga Ministria e Bujqësisë për ta edukuar popullatën për atë se si duhet pikë së pari ta mbrojmë veten e pastaj edhe të tjerët”, thekson fermeri Xhavahir J.

Nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari për Eurothink thonë se ushqimet në vend i nënshtrohen kontrolleve të rregullta dhe të jashtzakonshme, ku veprohet sipas ankesave të dërguara nga ana e personave fizikë ose juridikë, pas njoftimeve të marra përmes Sistemit të Njoftimit të Shpejtë për ushqime të pasigurta të BE-së, RASSF.

“Në përputhje me rekomandimet e Bashkimit Evropian për monitorimin e agjentëve të dëmshëm në ushqim dhe me qëllim të prodhimit, shitjes dhe vendosjes së ushqimit të sigurt në treg dhe mbrojtjen e konsumatorëve, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka zbatuar Programin e Monitorimit të Sigurisë Ushqimore që nga viti 2012.

Në këtë kuadër merren mostrat dhe kryhen teste laboratorike për të përcaktuar praninë e mundshme të substancave të dëmshme në fruta-perime, si dhe kontroll për të përcaktuar praninë e mundshme të mbetjeve të fondeve që përdoren për mbrojtjen e bimëve, duke përfshirë pesticidet”, thuhet në deklaratën e Agjensisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.

Komisioni Europian mbështet Maqedoninë në progresin e bërë për sigurinë ushqimore dhe luftimin e sëmundjes së kafshëve dhe çrrënjosjen e dëmtuesve të prodhimit bimor, por kërkon miratimin edhe të disa ligjeve.

„Për sigurinë e përgjithshme të ushqimit, ndryshimet në Ligjin për sigurinë ushqimore dhe një ligj të ri për kontrollet zyrtare janë përgatitur por ende nuk janë miratuar. Sistemi kombëtar i alarmit të shpejtë për ushqimin dhe ushqimin për kafshë dhe sistemet e auditimit të brendshëm dhe trajnimit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë vazhduan të funksionojnë me efikasitet. Agjencia ka vazhduar të kryejë punën e saj në përputhje me standardet e menaxhimit të cilësisë dhe në vitin 2022 janë pranuar dhe vepruar lidhur me 566 ankesa të konsumatorëve“, thuhet në raport.

Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mediat për BE” i zbatuar nga EUROTHINK dhe partnerët ALDA dhe BIRC, i mbështetur financiarisht nga BE. Qëndrimet e shprehura në tekst janë përgjegjësi vetëm e autorit dhe EUROTHINK-ut dhe nuk pasqyrojnë qëndrimet dhe pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

                                               

 

Të fundit