E hënë, 1 Korrik, 2024

HAP PAS HAPI: MBI LUMTURINË E ECJES NË ALPE

Bjeshkë, male, liqene, alpe, ujëvara dhe 1001 mrekulli të tjera: një reportazh nga Zvicra afër qiellit.

1. Një verë dhe 60 mijë litra qumësht

Në Andermatt mund të mësosh shumë. Në sheshin e këtij fshati në Zvicrën qendrore mund të shfletosh një magazinë, e cila lavdëron jetën dhe traditat lokale. Për shembull familjen Meyer. Mes qershorit dhe shtatorit ajo jeton në stanin e saj në alpe, i cili është 250 hektarë i madh. Pak para orës 05:00 Felix Meyer u grah lopëve nga livadhi në ahur. Aty lopët milen dhe qumështi derdhet në kusi të mëdha. Kur moti është me diell, lopët prapë kthehen në livadh. Gjatë verës familja Meyer përpunon 60 mijë litra qumësht dhe prodhon 6 tonelata djathë alpin, tëlyen, jogurt, djathë të freskët.

2. Ura e Dreqit, shpëtimtari i fshatit alpin që erdhi nga Orienti dhe një fener deti në alpe

Arti i inxhinierisë zvicerane, histori, legjenda, turizëm alpin: të gjitha këto dhe shumë atraksione të tjera i përfshinë shtegu që fillon te stacioni i trenit në fshatin Göschenen në kantonin Uri. Ndërsa trenat e shpejtë marshojnë nëpër tunelin e Gotthardit drejt jugut (Zvicrës italiane dhe Italisë), ekziston një hekurudhë tjetër që nëpërmjet Grykës Schöllenen e lidhë Göschenenin me Andermattin, një qendër e rëndësishme e turizmit alpin në Zvicër. Shtegu kalon praktikisht pranë hekurudhës dhe lumit të stuhishëm Reuss. Hekurudha është dëshmi e shkathtësisë së inxhinierëve zviceranë për të mposhtur gati çdo pengesë të natyrës.

Pas rreth një ore shfaqet Gryka Schöllenen. Spektakulare. Mahnitëse. Respektkërkuese. Mbi lumin Reuss kalon Ura e Dreqit (Teufelsbrücke). Sipas legjendës banorët e kantonit Uri deshën të ndërtojnë një urë për të kaluar Grykën Schöllenen. Ura do të lidhte këtë pjesë të Zvicrës me trevat jugore në drejtim të Italisë. Erdhën bajraktarët e Urit dhe e shikuan vendin. Kreu i tyre tha: “Dreqi e ndërtoftë këtë urë”. Menjëherë u shfaq dreqi dhe tha: “Çka më jepni nëse e ndërtoj urën? Pranojeni këtë marrëveshje: i pari që kalon urën, duhet të ma jep shpirtin”. Pas tri ditësh erdhën krerët e Urit dhe panë urën që e kishte ndëtuar dreqi mbi lumin Reuss. Pranë urës qëndronte qoftëlargu dhe priste që banorët e Urit të mbanin premtimin. Të sakrifikonin një njeri. Një anëtar i kuvendit të Urit tha: “E kam në shtëpi një cjap luftarak, i cili sapo t’i shoh dy brirë, menjëherë vërsulet në atë drejtim. Nëse cjapi vrapon mbi urë, atëherë dreqi duhet ta pranojë atë si theror (kurban)”. Kështu ndodhi: sapo e pa djallin, cjapi mori hov drejt tij. Banorët e Urit brohoritën të lumtur: “Ky është i pari që po e kalon urën, mund ta mbash për vete”. Djalli i mashtruar bërtiti: “Vafshi në djall ju banorët e Urit”. Dreqi mori një gur të rëndë për ta shkatërruar urën. Kur kaloi nëpër Göschenen, dreqin e pa një plakë. Ajo i tha: “Hej, o mik i mirë, pse po ngutesh? Po dihatni për vdekje. Lëshojeni gurin dhe merrni pak frymë”. Dreqi e dëgjoi. Plaka pastaj doli në anën tjetër të gurit, gdhendi një kryq në gur dhe u largua. Kur dreqi deshi ta ngarkojë gurin mbi shpinë, vërejti se diçka kishte ndodhur. E rrotulloi gurin dhe e pa kryqin. I tmerruar, ai e la gurin pranë urës dhe iku sa mundi. Thuhet se që nga atëherë dreqi nuk është parë më në Uri. Kështu tingëllon saga e Urës së Dreqit në këtë trevë të pasur me saga.

Mbi Urën e Dreqit në Grykën Schöllenen gjendet një reliev në formë të kryqit, është i gdhendur në shkëmb dhe kujton një ngjarje reale. Quhet “Russendenkmal”, përmendorja e rusëve. Kryqi është inauguruar më 1898 në kujtim të ushtarëve rusë, të cilët më 25 shtator 1799 luftuan nën komandën e gjeneralit Aleksandar Vasiljeviq Suvorov kundër trupave franceze. Atëbotë fuqitë e mëdha luftonin për të kontrolluar rrugët e rëndësishme nëpër alpet e Zvicrës. Pas betejës te Ura e Dreqit, rusët synonin të merrnin Zürichun, i cili kontrollohej nga trupat franceze. Nuk ia dolën dhe u tërhoqën përmes kantonit Graubünden. Pas lanë një popullsi zvicerane në mjerim, të cilës ia vodhën kafshët dhe ushqimin për kafshë. Ushtarët rusë ua vunë flakën shumë shtëpive, plaçkitën kishat. Tek pas shumë viteve rajoni e mori veten nga kjo plojë.

Nga mesi i majit 2022, gati tre muaj pas sulmit të Rusisë kundër tërë Ukrainës, persona të panjohur e goditën përmendoren në Grykën Schöllenen me ngjyra të flamurit të Ukrainës. Ambasada ruse në Bern e dënoi sulmin dhe kërkoi zbulimin e keqbërësve. Qeveria e kantonit Uri njoftoi se për pastrimin e përmendores është përgjegjëse Federata Ruse si pronare e përmendores. Në tetor 2023 shtypi lokal njoftoi se pranë përmendores ishte instaluar një kamerë mbikëqyrëse, me gjasë nga Rusia. Në dhjetor 2023 kamera u hoq nga policia e Urit pas negociatave me palën ruse.

20 minuta larg Urës së Dreqit dhe përmendores së ushtarëve rusë gjendet Andermatti, një fshat alpin dhe qendër e turizmit malor zviceran. Një kohë të gjatë Andermatti ka qenë bazë e ushtrisë zvicerane. Armë, automjete të ushtrisë, oficerë dhe ushtarë dominonin pamjen. Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë edhe ushtria zvicerane u detyrua nga politika të reduktojë kapacitetet e saj. Ushtria ishte punëdhënësi kryesor në Andermatt. Kriza e pllakosi fshatin. Banorët e Andermattit nuk shihnin ardhmëri dhe nisën të shpërnguleshin në qytete. Por para gati 20 vitesh në fshatin alpin zviceran erdhi një shpëtimtar nga Orienti: Sami Saviris, pinjoll i një familje të pasur të koptëve të Egjiptit, një pakicë kristiane, ishte i bindur se Andermatti mund të shndërrohet në një arenë të mrekullueshme të turizmit. Deri më tani Saviris ka investuar në Andermatt rreth 1,5 miliardë franga. Për hotelin e tij luksoz “Chedi” në Andermatt ka shkruar edhe “New York Times”. Fjetja në këtë hotel kushton 1200 franga gjatë verës, 1900 gjatë dimrit. Për një natë! Saviris ka ndërtuar këtu edhe qindra banesa, të cilat është duke i shitur ashtu siç i shesin bukëpjekësit në Kajro samunat para iftarit apo syfyrit. Saviris është një biznesmen shumë karizmatik. Ai flet perfekt gjermanisht, të cilët e ka mësuar si student i inxhinierisë në Berlin në vitet 70-të. Saviris ka investuar edhe në bregdetin malazez (Luštica Bay në Tivat). Krahas shtetësisë së Egjiptit, ai ka edhe shtetësinë e Malit të Zi.

Pas 20 kilometrash ecje, pas gati 8 orëve të kaluara pranë historisë dhe hekurudhave, pas kalimit për disa minuta nëpër një tunel në shkëmb që ka mbetur si relikt i ushtrisë së Zvicrës në Grykën Schöllenen, rreth orës 16:00 arrita në Oberalppass, një qafë alpine mes Andermattit (kantoni Uri) dhe Disentisit (kantoni Graubünden). Këtu, në 2046 metra lartësi mbidetare, gjendet një fener deti. Çka kërkon ky fener këtu ku s’ka det? Feneri është sjell këtu nga Rotterdami. Këtu, në alpet e Zvicrës, buron lumi i Rajnës (Rhein). Dhe derdhet në Detin e Veriut afër Rotterdamit. Feneri në mënyrë simbolike lidhë alpet me detin. Vërtet det nuk ka në Oberalppass, por një liqen të vogël.

3. Në limit: 10 orë ecje, 28 kilometra, 38’041 hapa, kasollja Etzlihütte dhe 1669 metra ngjitje

Nga një kanton në tjetrin, nga Uri në Graubünden, nga fshati Bristen në Sedrun – janë gati 30 kilometra që duhet kaluar. Fillimisht shtegu është normal, kalon pranë përroit Etzlibach, aty-këtu ka stane blegtorësh, pastaj terreni malor ndryshon dhe bëhet trevë alpine. Bora shkrihet dhe në të gjitha drejtimet rrjedh ujë.

Pas dy orë e gjysmë ecjeje, u shfaq kasollja Etzlihütte (në 2053 metra lartësi). Familja që menaxhon kasollen është jashtëzakonisht e përzemërt. Për t’iu përgjigjur pyetjes sime nëse rruga deri në Sedrun kalohet (ende ka borë në alpe), u mobilizuan tre anëtarë të familjes, secili me këshilla të vlefshme. Pastaj nga kuzhina sollën mish të terur nga Graubündeni (Bündnerfleisch), djathë, lëng të thartë molle, bukë të pjekur në furrën e kasolles, arra. Një drekë me pamje spektakulare në alpe.

Etzlihütte është e njohur edhe për një lloj hamami alpin prej druri, ku mund të hysh në ujë të ngrohtë dhe me një gotë shampanjë apo birrë të përthekosh me sy alpet dhe qiellin. S’ishte ditë për zbavitje të tilla sepse duhej vazhduar shtegu – drejt Sedrunit. Këtu fillon pjesa më e vështirë e shtegut. Një ngjitje thikë përpjetë, nëpër borë, me matje të kujdesshme të hapave. Hap pas hapi, dihatje pas dihatjeje, pas një orë e gjysmë pushtova majën Mittelplatten (2485 metra). Këtu ende është dimër, por rrezik nga ortekët s’ka. Zbritja qe po aq sfiduese sa ngjitja.

Në largësi duken stane, lopë, mëshqerra e viça. Kambanat e tyre janë shenjë se diku atje poshtë duhet të jetë Sedruni, djepi i lumit Rhein (Rajnë). Këtu afër, në 2345 metra lartësi, buron njëri nga lumenjtë më të rëndësishëm të Europës. Stacioni i trenit në Sedrun është i vogël. Restoranti poashtu. Dhe mbyllet në orën 11. Kush arrin këtu pasdite, i etur pafund, duhet të vrapojë te një dyqan i afërt. Aty gjen çfarë të do zemra. Treni erdhi me kohë. Dhe vazhdoi ecjen si në tëlyen drejt Churit, kryeqytetit të kantonit Graubünden. Një ditë e bukur, në limit.

4. Vallja e reve, simfonia e ujit dhe liqeni magjik në alpe

Kush zgjohet herët… Një ditë qershori, fiks në orën 07:28, u hap dera e teleferikut (Luftseilbahn Intschi-Arnisee) dhe u shfaq Arnisee, një liqen i vogël në 1368 metra lartësi mbidetare. Arnisee gjendet në kantonin Uri. Nga këtu asnjë rrugë s’të çon në Romë, por disa shtigje të orientojnë drejt kasolleve, të cilat gjenden në zonat e larta alpine. Caku ishte kasollja Leutschachhütte, në 2208 metra lartësi mbidetare. Nga Arnisee deri te kasollja ecja zgjat dy orë e gjysmë – ose tri, sepse minimum 30 minuta (në mos më shumë) shkojnë duke fotografuar bukuritë e pashtershme të kësaj treve. Ndërsa në qiell retë luanin valle, duke mbështjellë kodrat, pranë shtegut jehonte simfonia e ujit – vepër kjo gati artistike e përroit Leitschachbach.

Pas rreth një orë ecjeje, disa lopë të përgjumura ishin shtrirë gjerë e gjatë në shteg. Asgjë nuk u bënte përshtypje. Përpjekja e kujdesshme për t’i larguar nga shtegu dështoi. Këto lopë ishin me brirë të mprehta. Në Zvicër shumë lopë s’kanë brirë. Blegtorët ua heqin me sharrë për të shmangur lëndimet mes lopëve. Në vitin 2018 blegtori zviceran Armin Capaul arriti të mbledhë 100 mijë nënshkrime dhe të detyrojë autoritetet të organizojnë një referendum për brirët e lopëve. Capaul kërkonte që blegtorët që nuk ua heqin brirët lopëve, të marrin më shumë subvencione nga shteti. Këtë nismë e përkrahën edhe mbrojtësit e kafshëve. Por shumica e zviceranëve votoi kundër favorizimit të lopëve me brirë. Referendum për brirët e lopëve? Po, edhe për këso çështjesh mund të vendosë populli në Zvicër. Këtij modeli i thonë demokraci direkte.

Rreth orës 10:00 befas doli në sipërfaqe liqeni Nidersee, një perlë alpine, me ngjyrë gurkali, rrethuar me borë. Vështirë të ngopesh së shijuari këtë bukuri të natyrës. Kush shikon lart në krahun e djathtë të liqenit, do të shoh mbi një kodër flamurin e kantonit Uri, një mëzat mbi stof të verdhë. Flamuri tregon se aty është një kasolle. Dhe kasollja është e hapur. Supë, bukë dhe lëng të thartë molle. Mjafton pak për të qenë shumë i lumtur. Kthimi zgjati një orë e gjysmë. – Total: 5 orë, 14.5 kilometra.

5. Mbretëresha e alpeve Kröntenhütte

Kasollja Kröntenhütte gjendet në një trevë alpine lart mbi Grykën e Erstfeldit në kantonin Uri të Zvicrës qendrore. Nga Erstfeld deri te vendi Bodenberg shkohet në tri mënyra: me veturë, me taksi alpin (duhet të rezervohet paraprakisht) ose në këmbë (ky variant nuk preferohet për shkak se duhet ruajtur energjinë për ngjitje nga Bodenberg te Kröntenhütte).

Për të kaluar rrugën deri në Bodenberg, duhet paguar. 20 franga kushton lejekalimi, i cili mund të blihet në kioskun e stacionit të trenit në Erstfeld. Pastaj u nisëm – kësaj radhe pjesë e ekspeditës ishin Daut Shala dhe Shefqet Salihaj. 15 minuta më vonë lamë veturën në Bodenberg, pranë lumit, dhe me hapa të sigurt dhe pas nja tri orë ecjeje arritëm te Kröntenhütte, në 1903 metra lartësi mbidetare.
Kasollja është hapur më 18 maj 1890; ndërtimi i saj kushtoi atëbotë 3 mijë franga dhe u financua nga ushtarakët, zyrtarët e lartë shtetërorë dhe intelektualët. Që nga viti 1988 kasollen e menaxhon e njëjta familje. Kuzhina autentike alpine, dhomat moderne për fjetje dhe një mini-pishinë e natyrshme prej guri janë atraksione të kasolles.

Afër kasolles gjendet liqeni i vogël Fulensee, një perlë e alpeve. Nën liqen ndodhet atraksioni tjetër: ujëvara Fulbach, e cila duket se buron stuhishëm nga shkëmbi. (Për të gjithë ata që synojnë të ecin këtë shteg: gjatë kalimit të urës mbi ujëvarë kërkohet përqendrim maksimal. Ata që kanë marramendje, është mirë të mos rrezikojnë).

Shtegu dominohet nga disa liqene, dhjetëra ujëvara, përroska, përrenj, lumenj, rrëke uji. Rreth 1000 metra ngjitje nga Bodenberg te Kröntenhütte kërkojnë kondicion. Edhe zbritja nuk është ndërmarrje e lehtë. Kur arritëm te parkingu ku kishim lënë veturën, pamë një burrë të mbështetur për një gur; po kotej. “A mund të më merrni me veturë deri në Erstfeld?”, pyeti. Përgjigjja ishte pozitive. Derisa arritëm te stacioni i trenit në Erstfeld kuptuan se ky alpinist ishte autor i 22 librave mbi bukuritë natyrore të Zvicrës dhe kolumnist i një gazete të Zürichut. – 20 kilometra, gati 7 orë.

6. Në Grykën e Maderanertalit

Bukëpjekësi, i cili shet jo vetëm bukë, por edhe kafe, herët në mëngjes na pyeti:

– Ku do shkoni sot?

– Në kantonin Uri.

– Shkoni në Grykën e Maderanertalit, atje është bukur.

– Aty e kemi ndërmend të shkojmë.

Pas afërsisht një orë e gjysmë – bashkë me Visar Kryeziun – u gjendëm te stacioni i teleferikut të quajtur Bristen mbi fshatin Amsteg (rruga nga aty deri te teleferiku është spektakulare). Për 11 franga për person dhe për më pak se 10 minuta teleferiku na katapultoi te stacioni malor i teleferikut, i cili quhet Golzern.

Këtu u shfaq para nesh një botë aq e bukur alpine që deri më tani nuk e kishim parë në Zvicër. Ngado që shikoje, dukej sikur po shfletoje një album me fotografi të natyrës mahnitëse. Atraksioni i parë: liqeni Golzernsee. 300 metra i gjatë, 250 metra i gjerë, 6 hektarë i madh. Gjithçka ishte sikur e pikturuar nga dora e piktorit më të mirë të peizazheve të natyrës. Reflektimi i gjithë atij blerimi në liqen është një pamje e paharrueshme. Rreth liqenit skarat janë të gatshme për merakli të mishit.
Për merakli të ecjes në bjeshkë, shtegu vazhdon drejt kasolles Windgällenhütte, e cila gjendet në lartësi mbidetare prej 2032 metrash. Deri te kasollja na shoqëruan qindra pamje ujëvarash, shpate të veshura me lule alpine, pyje të paprekura, burime me ujë akull të ftohtë, kodra impozante. Në kasollen Windgällenhütte makaronat alpine patën një shije hyjnore.

Që nga viti 1963 Gryka Maderanertal është zonë e mbrojtur, territor me rëndësi nacionale të Zvicrës. Turistët e parë erdhën në Maderanertal që në shekullin e 19-të, të parët ishin gjeografët, botanistët, gjeologët, mandej alpinistët. Me kërkesë të anëtarëve të Klubit Alpin të Zvicrës nga Baseli, më 1865 u hap një hotel, mandej një mishtore, një zyrë e postës, një furrë buke, një ordinancë mjeku. Nuk munguan as mysafirët prominentë si filozofi gjerman Friedrich Nietzsche, dramaturgu gjerman Gerhart Hauptmann dhe shkrimtari zviceran Carl Spitteler. Këta dy të fundit janë laureatë të Nobelit për letërsi.

Zbritja nga Windgällenhütte deri te stacioni i teleferikut Bristen u bë përmes një shtegu tjetër – ishte një ecje nga ujëvara në ujëvarë, nga përroi në përrua. 18 kilometra, 6 orë.

Përshtypja e parë dhe e përhershme e shtegut është gurgullima e përroit Chärstelenbach, i cili në të vërtetë është një lumë që rrjedh rrëmbyeshëm. Në të kaluarën lumi ka dalë herë pas here nga shtrati dhe ka lënë gjurmë të padëshirueshme.

Për herë të parë ky rajon u përmend në një dokument në vitin 1291 (në vitin e themelimit të Zvicrës). Atëbotë treva quhej Chärstelental, një toponim që buronte nga fjala latine “crucicula” (kryqëz) dhe i referohej qafës malore Krüzlipass, e cila lidhte fshatin Bristen me Sedrunin në kantonin Graubünden. Më vonë rajoni mori emrin Maderanertal si referencë ndaj familjes Madran, e cila në shekullin e 15-të u shpërngul nga komuna Airolo në Altdorf, sot kryeqytet i kantonit Uri. Madranët erdhën në këtë pjesë të Zvicrës pasi u pajisën me një koncesion për mihjen e xeheve. Ky biznes nuk eci, andaj pas 6 dekadash mori fund.

Në 1200 metra lartësi mbidetare gjendet punishtja e djathit Alp-Käserei Stössi. Këtu prodhohet djathë alpin, djathë për specialitetin Raclette, jogurt, tëlyen – të gjitha me shije të paharrueshme dhe cilësi të pakrahasueshme.

Maderanertal është ndër trevat më të pasura me kristale në alpet e Zvicrës. Aty-këtu pranë shtegut mbledhësit ofrojnë kristale për shitje. I vendosin mbi një platformë, varësisht nga madhësia caktojnë çmimin dhe shkojnë në shtëpi. Kush dëshiron të blejë një kristal, i hedh paratë në një arkë të vogël. Për 5 franga i bleva dy kristale alpine, i ngjanin atyre që Ibrahim Rugova ua dhuronte mysafirëve. Sipas një legjende nga madhësia e kristalit që dhuronte Rugova nënkuptohej pesha e mysafirit. Thuhet se kristalin më gjigant të nëntokës së pasur të Kosovës, Rugova ia kishte dhuruar Bill Clintonit.
Edhe një kuriozitet për fund: në Zvicër më së shumti vetura Subaru qarkullojnë në Bristen të Maderanertal. Kjo është një veturë robuste japoneze (4×4), me të cilën blegtorët në çdo kohë mund t’i transportojnë fuçitë me qumësht. Nga shehërlinjtë arrogantë zviceranë Subaru quhet “Porscheja e katundarëve”.

7. Vreshta, mali, liqenet dhe qukapiku

Toponimi Ziegelbrücke është dokumentuar për herë të parë në vitin e largët 1532. Ziegelbrücke domethënë: urë me tulla. Një urë me tulla ia dha emrin fshatit. Dikur nëpër këtë fshat kalonte treni Zürich-Bujanoc, plot e përplot i mbushur me gastarbajterë shqiptarë, me “punëtorë të punësuar përkohësisht në botën e jashtme”, siç thoshte propaganda komuniste jugosllave. Të përkohshmit u bënë të përjetshëm.

Nga Ziegelbrücke një shteg të shpie në fshatin tjetër, quhet Niederurnen, dhe ka një shpat me vreshta. Mbi hardhi gjendet një kala të vogël. Pastaj shtegu futet në mal, pas dy orësh del në fushë – një fushë e mbuluar me lule të bukura. Nga atje duket kanali i lumit Linth, i cili përfundon në liqenin Walensee.

Pranë shtegut një mori tabelash shpjegojnë jetën e shpezëve dhe gjallesave të tjera. Për shembull: qukapiku. Gjuha e qukapikut është shumë e gjatë, andaj bëhet palë në brendi të kokës. Kur muskujt tendosen, gjuha del me shpejtësi nga sqepi. Sqepi i qukapikut e godet drurin 18 herë brenda një sekonde. Kjo i përgjigjet shpejtësisë prej 1000 kilometra në orë. Qukapiku është më i shpejtë se Ferrari.

Pas 21,5 kilometrash shtegu përfundon në fshatin Reichenburg, fare afër liqenit të Zürichut. Rreth 7 orë ecje.

8. Nëpër malin e freskët te kasollja Salbithütte

Dita aktive, me diell dhe e kthjellët, filloi në fshatin Göschenen të kantonit Uri në Zvicrën qendrore. Göschenen gjendet në luginën e lumit Reuss. Ura mbi lumë i ngjan pak urës së famshme mbi Neretvë në Mostar të Bosnjë-Hercegovinës. Ngado që shikon në Göschenen, duken alpet impozante. Dhe shumë tabela që tregojnë shtigjet drejt kasolleve në alpe. Një shteg shpie nëpër malin e freskët te kasollja Salbithütte. Për mua ishte vizita e tretë te kjo kasolle. Ecja zgjat, sipas tabelës sinjalizuese, 3 orë e 15 minuta. Ata që kanë kondicion e kalojnë për 2 orë e gjysmë. Kasollja, e cila gjendet në 2105 metra lartësi mbidetare, ishte e hapur. Dhe ofronte ushqime të shijshme. Një grup të rinjsh të zhurmshëm spanjollë iu vërsulën me piruna një tigani me Rösti, një specialitet patatesh, ndërsa flisnin për “Albania, Albania”.

Caku i ecjes nuk ishte kasollja Salbithütte, por ura spektakulare Salbitbrücke, 90 metra e gjatë, e cila lidhë dy kodra dhe gjendet rreth një orë përtej kasolles, lart në alpe. Tentimi i parë për të shkuar te kjo urë pati dështuar për shkak të reshjeve të mëdha të shiut. Përpjekja e dytë dështoi ngase s’mjaftoi koha. Të dielën dështoi përpjekja e tretë pas këshillës këmbëngulëse të mirëmbajtëses së kasolles, e cila tha: “Ka borë, mos shko. Gjatë tërë qershorit shtegu nuk do të jetë i kalueshëm”. Pas kësaj këshille supa dhe buka patën shije edhe më të mirë.

Kthimi në Göschenen nuk zgjat më shumë se dy orë, shtegu pothuaj i ngjashëm. Në Göschenen janë duke u zhvilluar punimet për hapjen e një tuneli të dytë për automjete, 17 kilometra të gjatë, i cili depërton nëpër masivin e Gotthardit dhe lidhë Zvicrën gjermane me atë italiane. Tuneli ekzistues, i hapur më 1980, ka nevojë për sanim. I riu pritet të hapet rreth vitit 2030; në referendum populli zviceran ka vendosur të ndajë 2,8 miliardë franga për këtë projekt infrastrukturor. Kur s’kishte tunel, nëpër Göschenen kalonin veturat e europianëve veriorë të etur për detin e Italisë. Kur s’kishte vetura, në Göschenen niseshin qerret me kuaj.

9. Një ecje si në një roman kriminalistik

Aarberg, një qytezë e qarkut Seeland në kantonin e Bernit, ka sharm. Shtëpi të vjetra e të ruajtura mirë, restorante me peshk nga liqeni i Bielit dhe djathë dhensh nga blegtorët e rrethit, një shesh i bukur dhe lumi Aare, të cilit i kanë kënduar aq shumë këngëtarë zviceranë, mes tyre Stiller Has (Lepuri i urtë), i paharrueshëm vargu i parë në dialektin përkëdhelës e të përgjumshëm të Bernit: shko pak pranë Aares…

Kush shkon pak te lumi Aare, rri shumë. Nga Aarberg deri në Frauenkappelen, një fshat afër Bernit, shtegu është i gjatë 25 kilometra. Kalohet për 6 orë. Kryesisht pranë lumit gjigant, madhështor, të qetë, të rrëmbyeshëm, nganjëherë të frikshëm. Lumit Aare. Ka pjesë pranë lumit që duken si xhungël afrikane. Dikur shfaqet centrali bërthamor Mühleberg, i cili nga viti 2019 është në proces të pushimit të punës. Një barakë gati e padukshme rezulton të jetë poligon për qitje me armë të shkurtra. Në këtë vend nuk mungojnë çokollatat, djathi, orët dhe armët. Impozante janë skenat në trena të enjten dhe të premten në mbrëmje kur ushtarët kthehen në shtëpi, të gjithë të armatosur, të gjithë të uniformuar, secilit mbi xhepin e majtë të këmishës i shkëlqen mbiemri. Një festival mbiemrash shqiptarë. Berisha, Kelmendi, Gashi, Orana, Robelli. Mbiemra që rrinë bukur mbi tytat e pushkëve të Ushtrisë së Zvicrës. Djem të rinj, disa pjesëtarë të forcave speciale, të cilët para se të kthehen në fazën e provimeve të vështira në Universitet, kryejnë shërbimin e përvitshëm në radhët e Ushtrisë së Zvicrës.

Një ecje pranë lumit Aare i ngjan një kridhjeje në romanin e shkrimtarit Friedrich Dürrenmatt “Gjykatësi dhe xhelati i tij” (i përkthyer në shqip nga Ardian Klosi): pyje të errëta, ura gati të rrëzuara, njerëz me aftësi diabolike që kryejnë krime të përsosura. Këta të fundit munguan në shtegun e sotëm. Fatmirësisht. Në fund të shtegut shkëlqeu Wohlensee, liqen i krijuar nga lumi Aare.

10. Nga Saillon në Sion – një shteg me vreshta, Dalai Lama dhe Rainer Maria Rilke

Dalai Lama është prijës i fesë budiste. Si i tillë ai nuk pi alkool. Megjithatë, ai është pronar i një vreshti në fshatin Saillon në kantonin dygjuhësor zviceran të Wallisit. Saillon i ka 2500 banorë dhe konsiderohet ndër fshatrat mesjetare më së miri të ruajtura në Zvicër. Ekziston një traditë në fshat që vreshti i vogël t’i dhurohet një personaliteti të njohur. Nga viti 1999 zotërues i vreshtit është Dalai Lama.

Në Saillon fillon një shteg 22 kilometra i gjatë. Mbaron në qytetin e Sionit, i cili gati përherë përkëdhelet nga dielli dhe bominohet nga një kala impozante. Shtegu kalon në pjesën më të madhe nëpër vreshta dhe pranë Grykës Salentse. Këtu u fsheh Joseph-Samuel Farinet në shekullin e 19-të nga autoritetet të cilat përpiqeshin ta arrestonin për shkak se kishte falsifikuar monedha. Farinet konsiderohet “Robin Hood i Alpeve” pasi që monedhat që i falsifikonte, ua dhuronte të varfërve. Kështu ai u bë i popullarizuar mes njerëzve në Wallis. Në Grykën Salentse u rrethua nga policia; më vonë aty u gjet kufoma e tij. Rrethanat e vdekjes edhe sot janë të paqarta. Si i vdekur ai është më i gjallë se në kohën kur jetonte. Afër Saillonit gjenden edhe disa qendra termale, të cilat pëlqeheshin edhe nga romakët.

Wallisi është ndryshe, nuk është si pjesa tjetër e Zvicrës; banorët kanë mentalitet kryengritës. Sipas një statistike, në Zvicër më së shumti aksidente në trafik nën ndikimin e alkoolit ndodhin në Wallis. Aty ku ka shumë vreshta, njerëzit pinë më shumë se për të shuar etjen. Në pjesën tjetër të Zvicrës lajmet e tilla shpesh shfrytëzohen për të thurur legjenda e përhapur klishe për banorët e Wallisit.
Një figurë e rëndësishme kulturore e Wallisit është poeti i famshëm austriak Rainer Maria Rilke. Pas udhëtimeve nëpër Europë, Rilke gjeti këtu qetësinë, vetminë dhe natyrën madhështore. “Përfytyrimi im për Zvicrën është zgjeruar dukshëm prej se e njoh këtë trevë”, shkroi Rilke më 1920. Ai është i varrosur në fshatin Raron të Wallisit.

11. Në cepin më konservator të Zvicrës

101 kodra dhe 1001 kthesa duhet kaluar për të arritur në Sahli, i cili s’mund të quhet fshat. Shtëpi e stane të shpërndara nëpër livadhe në prapavijën e komunës Muotathal të kantonit Schwyz në Zvicrën qendrore – kështu disi duket Sahli. Këtu edhe autobusi vjen rrallë. Më së miri është të shkohet me veturë. Nëpër rrugën malore përparësi nuk kanë shoferët, por lopët, dhitë e delet.
Atraksionet infrastrukturore në Sahli janë: një hapësirë për t’i parkuar veturat dhe teleferiku, i cili adhuruesit e natyrës i katapulton nga 1147 metra në 1877 metra. Atje lart është Glattalp, kasollja Glattalphütte dhe liqeni Glattalpsee, i rrethuar me një panoramë impozante kodrash. Ecja rreth liqenit zgjat nja tri orë, mund të realizohet edhe më shpejt, por sa më ngadalë aq më mirë, sepse duhet shijuar bukuritë e liqenit.

Gjatë ditëve të nxehta të verës të guximshmit hidhen në liqen për t’u freskuar. Kasollja Glattalphütte nuk mund të ankohej për mungesë mysafirësh. Gullashi, buka dhe lëngu i thartë i mollës – këto përbënin një racion të duhur pas një ecjeje rreth e rrotull liqenit. Pastaj dy orë të tjera kaluan duke u ngjitur në kodrinat e kodrat përreth liqenit. Kështu u bënë 16 kilometra e gati 23 mijë hapa.

Në Muotathal jetojnë 1500 njerëz. Zvicra urbane nuk ka mendim aq të lartë për Muotathalin. Konsiderohet të jetë komuna më konservatore e Zvicrës. Burrat bartin mjekra, pinë cigare, të cilat quhen Stumpe (shtumpe) dhe duken si degë e këputur nga lisi, ndërsa gratë merren me punët e shtëpisë dhe kujdesen për fëmijët. Tek vitin e kaluar është vendosur që në Muotathal të hapet një çerdhe për fëmijë. Në fshat kishte burra që pyesnin: “A na duhet kjo?”

Para disa viteve një reporter i televizionit të Zvicrës, i ardhur nga Gjermania, kapi mikrofonin dhe erdhi në këtë trevë. Pa paragjykime, me ton të shkujdesur nisi t’i pyes kalimtarët përse janë aq konservatorë, përse e përkrahin vetëm një parti populliste dhe përse janë kështu si janë? Përgjigjet tingëllonin kështu: ne jemi zviceranë origjinalë dhe s’kemi asgjë kundër të huajve – nëse punojnë! Prifti i Muotathalit quhet Biju Thomas. Është me origjinë nga India. Për këtë rajon të Zvicrës mund të shkruhen romane./ Koha.net

 

Të fundit