E shtunë, 29 Qershor, 2024

MESAZHET E MJEGULLTA TË DIPLOMATES AMERIKANE DHE TË KRYEMINISTRIT MAQEDONAS

Për të mos e zgjatur, kjo Qeveri  e 20-ta nga pavarësia e Maqedonisë, është pasqyrë e fitores absolute të VMRO-DPMNE-së (në zgjedhjet e dyfishta presidenciale e parlamentare), ndaj mbetet të shihet se a do t’ju japë rrugëzgjidhje problemeve kryesore që i shpërfaqi në platformën parazgjedhore: Nga përmirësimi i gjendjes ekonomike, vendosja e shtetit të së drejtës, luftimi i korrupsionit e krimit të organizuar e deri tek (mos)ndryshimi i Kushtetutës. Qeverisë së re, s’do mend, i duhet lënë njëqinditëshi, por dita e mirë shihet që në mëngjes, – thotë populli!

Shkruan: Seladin XHEZAIRI

Ambasadorja amerikane Angela Aggeler do të duhet të ndjehet pjesërisht e kënaqur që lideri i VMRO-DPMNE-së, dhe tashmë Kryeministër i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski mesnatën e së dielës e përdori emrin kushtetues të shtetit. Në të njëjtën kohë, diplomatja e Uashingtonit do të duhej të jetë e brengosur që bashkëbiseduesi i saj, po mbrëmë përçoi mesazhe goxha të qarta politike kur është fjala për ndryshimin e shumëpritur të Kushtetutës dhe futjen e bullgarëve në të, por edhe për fatin e Marrëveshjes së Prespës:

„Një diktat i këtillë bullgar, përderisa unë jam kryeministër, nuk ka për të kaluar  dhe ndryshime kushtetuese nuk do të ketë! Para se të hyni në aventura, duhej të uleshim e të bisedojmë. Njerëzit që më njohin, ata e dinë se fjala ime peshon sa malet. Do të bëj çmos sa të jem gjallë që padrejtësinë ta korrigjoj, në këtë moment jam i pafuqishëm. Do të duhet ta them këtë prapashtesën e turpshme,” – deklaroi Mickoski para deputetëve, duke vënë në shënjestër koalicionin e deridjeshëm qeverisës që më 2018 e bëri Marrëveshjen e Prespës.

Sakaq, këtë të hënë, nuk ka mbetur pa reaguar pala greke: Ministri i Jashtëm Jorgos Gerapetritis, në mbledhjen e Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së në Luksemburg, ka reaguar shkurt e qartë:

“Shteti dhe udhëheqja politike e Maqedonisë së Veriut zgjodhën të mos e shfrytëzojnë emrin kushtetues – Maqedonia e Veriut në skenën e brendshme. Kjo është shkelje flagrante e Marrëveshjes së Prespës e cila parashikon se emri i shtetit do të jetë një dhe i vetëm(erga omnes) për përdorim të përgjithshëm  dhe ky është Maqedonia e Veriut,”- ka komentuar kryediplomati grek.

Më anë tjetër, edhe prononcimi  tjetër i fundjavës së kaluar i ambasadores amerikane Angela Aggeler përsa i përket vendimit të VMRO-DPMNE-së për të marrë në koalicion bllokun pesëpalësh të VLEN-it, duke anashkaluar “Frontin Evropian” që mori më shumë mandate, po ashtu, duket se ka për të prodhuar – tensione shtesë:

VMRO-DPMNE  zgjodhi  partner VLEN-in, i cili gjithashtu është koalicion njëjtë sikurse edhe Fronti Evropian i udhëhequr nga BDI-ja. Për këtë kam pasur bisedime me një varg funksionarësh të BDI-së dhe të tjerë dhe nuk ka detyrim ligjor për atë se me kë do të bëj koalicion. Partia që fitoi zgjedhjet pati mundësinë dhe zgjodhi të krijojë  koalicion me grupet minoritare në vend. Kjo është me rëndësi të jashtëzakonshme sepse ajo që i bën të dyja vendet tona kaq të pasura është diversiteti, grupet dhe komunitetet e ndryshme etnike dhe ajo që ato sjellin për demokracitë tona. Prandaj, jam e kënaqur që Qeveria është e përbërë nga grupe të ndryshme dhe nuk ka detyrim ligjor për BDI-në të përfshihet në Qeveri. E di që ka çështje ligji përballë legjitimitetit, por është fakt se VMRO-DPMNE-ja zgjodhi partnerë nga komunitete të ndryshme në vend dhe kjo është e drejtë e tyre. Zgjodhën ta bëjnë këtë dhe do të shohim se si ka për të funksionuar ky partneritet!”- ka thënë Ageler për emisionin 360 gradë.

Nga “Fronti Evropian”, në një prononcim të shkurtër për KDP-në kanë thënë se nuk dëshirojnë t’i komentojnë  komentet e ambasadores amerikane, porse, jo pa ironi, kanë rikujtuar se “detyrim ligjor nuk është as që në Qeveri të përfshihen shqiptarët”. Ashiqare, duke aluduar në traditën e deritashme të realizimit të asaj që quhet demokraci përfaqësuese.

Dhe, që mozaiku politik të duket më i paqartë, kryeministri Mickoski, po të dielën mbrëma u përpoq që me një gur të vrasë dy zogj – në adresë të opozitës së re maqedonase(lexo: LSDM-së), por tërthorazi – edhe asaj shqiptare(lexo: BDIsë):

“Sulmet që po i dëgjoj këto dy ditë reduktohen  përgjithësisht në dy teza. E para është Marrëveshja e Prespës dhe rikthenie emrin, e dyta është propozimi francez dhe korniza negociatore. Mirëpo, ju nuk e morët leksionin nga qytetarët. Kush jam unë që t’ju jap këshilla, por ja do t’ia lejoj vetes t’ju jap dy këshilla. Këshilla e parë është se me këto gënjeshtra dhe konstruksione që po i dëgjojmë këto dy ditë nuk do ta riktheni besimin e qytetarëve. Për shkak se ata e dinë saktësisht se çfarë keni bërë dhe pse e humbët besimin e qytetarëve, do të duhet kohë për ta rikthyer atë. Zgjedhjet i humbët sepse luajtën futboll me ju, duke ju poshtëruar si personalitete, partnerët tuaj të koalicionit, dhe më pas edhe me Maqedoninë si shtet. Zgjedhjet i humbët për shkak se ju ndodhi Llaskarca, “Besa trans”, spitalin modular kur njerezit digjeshin të gjallëkurse fajtor ishte kablloja. Ju ndodhën këto disfata në zgjedhje për shkak se rastësisht djema  pa i rënë brisk fytyrës  sipas një rastësie të lidhur  familjarisht me liderë të partnerëve tuaj të koalicionit blenë qendra tregtare në qendrën e Shkupit. Humbja ju ndodhi për shkak se u grahin Rolls Royce-ve më të shtrenjtë në një lokalitet rural në Maqedoninë Perëndimore”- tha të dielën në mbrëmje kryeministri Hristijan Mickoski.

Për të mos e zgjatur, kjo Qeveri  e 20-ta nga pavarësia e Maqedonisë, është pasqyrë e fitores absolute të VMRO-DPMNE-së (në zgjedhjet e dyfishta presidenciale e parlamentare), ndaj mbetet të shihet se a do t’ju japë rrugëzgjidhje problemeve kryesore që i shpërfaqi në platformën parazgjedhore: Nga përmirësimi i gjendjes ekonomike, vendosja e shtetit të së drejtës, luftimi i korrupsionit e krimit të organizuar e deri tek (mos)ndryshimi i Kushtetutës. Nëse për objektivat e parë, duhet pritur se çfarë ka për të bërë, për këtë të fundit, Kryeministri Hristijan Mickoski tha se “sa të jetë gjallë nuk ka për të ndodhur”, duke ia adresuar Bullgarisë kërkesën e jo Bashkimit Evropian, si pjesë e kornizës negociatore (ndryshimi i Kushtetutës për futjen e minoritetit bullgar në preambulën e saj). Kuadri i përzgjedhur, po ashtu lë shumë për të dëshiruar, si kur është fjala për sendërtimin e përcaktimit strategjik të shtetit për t’u bërë pjesë e familje evropiane, ashtu edhe për raportet ndëretnike. Kabineti i ri qeverisës reflekton mesazhe edhe për Beogradin, edhe për Prishtinën: Dy nga pesë zëvendëskryeministrat  – Ivan Stoilkoviq e Arben Fetai, – shihen si shumë të afërt me përkatësisht presidentin e Serbisë dhe kryeministrin e Kosovës, pa çka se që të dy kanë artikuluar deri tash qëndrime katërcipërisht të kundërta për realitetin në rajon. Kur kësaj t’i shtohet edhe fakti se Mickoski, shpërfilli “Frontin Evropian” që fitoi më shumë mandate deputetësh në bllokun shqiptar, duke e marrë si partner bllokun pesëpalësh VLEN, gjithçka shpie në përfundimin se ka për të pasur ngërçe serioze në këtë qeverisje. Përpos përfaqësimit dukshëm më të ulët të shqiptarëve, si në cilësi, ashtu edhe në sasi të dikastereve që do t’i drejtojnë, në programin e shpalosur të Qeverisë së re të thuash nuk është përfshirë asnjë projekt serioz parazgjedhor i “vlenistëve” që patën mbështetjen edhe të qeverisë kosovare. Për më tepër, në emër të raporteve të mira VMRO-DPMNE – Vetëvendosje, është pritur që të paktën rruga e shumëpërfolur Tetovë-Prizren të përfshihej në programin e  miratuar të qeverisë së re! Prandaj, veç një revanshizmi ndaj funksionarëve të deritashëm të BDI-së në ekzekutiv, nuk pres ndonjë arritje për nga e cila do të mbahet mend. Së këndejmi është për të pritur kundërpërgjigje nga opozita (shqiptare) që mund të rindezë përplasjet për shpërfilljen e vullnetit dhe të legjitimitetit të fituar në zgjedhjet e fundit dhe pse jo të artikulohen edhe kërkesa për ta bërë shtetin  më funksional edhe për nga sensi i reflektimit të karakterit të tij shumetnik.

Të fundit