E premte, 19 Korrik, 2024

“BALANCUESI” SHKON NË HISTORI

VMRO-DPMNE dhe VLEN planifikojnë të heqin “balancuesin” pasi u pajtuan se ky lloj mekanizmi i punësimit është jofunksional. “Balancuesi” është një formulë që filloi të përdoret nga viri 2017 në punësimet e reja në përputhje me obligimin nga Marrëveshja e Ohrit për përfaqësim të drejtë të etnive në administratën publike. Para zgjedhjeve Mickoski madje paralajmëroi se do të kushtëzojë çdo koalicion me cilëndo parti shqiptare me heqjen e “balancuesit” për shkak se mundëson punësim në baza etnike, me ç’rast nuk merret parasysh kualiteti.

Nga ana tjetër, Izet Mexhiti thotë se “balancuesi” nuk shfuqizohet por zëvendësohet me një mekanizëm tjetër për përfaqësim të drejtë të komuniteteve. Mexhiti, i cili do të jetë edhe zëvendëskryeministër i parë në Qeverinë e re, përsëriti se kjo pozitë mbetet sipas marrëveshjes së tyre.

“Thuhet se do të hiqet mekanizmi i “balancuesit”, i cili të them të drejtën nuk ishte në funksion të tij. Fillimisht ka dhënë rezultate të mira, por në vitet e fundit ka raste të përditshme ose shumë të shpeshta ku maqedonasit regjistroheshin si shqiptarë, shqiptarët si turq, pra nuk ishte në funksion të përfaqësimit të drejtë të komuniteteve që nuk janë shumicë në shtet. Këtu jemi dakord që si mekanizëm nuk mjafton dhe duhet të rregullohet me ligj. Me këtë “balancuesi” nuk shfuqizohet por do të rregullohet me ligj për përfaqësim të drejtë”, tha Mexhiti.

BDI, nga ana tjetër, reagon se heqja e “balancuesit” është hap i rrezikshëm për të ardhmen e shtetit. Fronti Evropian akuzoi VLEN-in se pothuajse asnjë nga pikat e saja nuk ishte përfshirë në programin e qeverisë. Fronti madje akuzoi VLEN për pafuqi pasi e lejoi Ivan Stolkoviqin të ishte zëvendëskryeministër për marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve.

Në këto akuza Mexhiti u përgjigj se edhe pse nuk ishin të kënaqur me me zgjedhjen e Mickoskit për këtë pozitë, ata duhej të bënin kompromis, dhe të drejtat e shqiptarëve do të vazhdojnë të mbrohen me Kushtetutë dhe Marrëveshjen e Ohrit.

Arben Taravri, si ministër i ardhshëm i Shëndetësisë, prezantoi prioritetet e tij dhe të koalicionit dhe tha se mbeten në kërkesat e tyre, përfshirë ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve dhe heqjen e termit 20 për qind për gjuhën shqipe.

“Kjo Qeveri është garantuesi i rrugës evropiane. Shpresoj që ndryshimet kushtetuese të ndodhin sa më shpejt, por të jemi të sinqertë, që të ndodhin, partneri maqedonas në Qeveri duhet të ketë gjithmonë vullnet të mirë. E mira është se tashmë kemi 80 vota, na duhet vetëm një sinkronizim përfundimtar mes Shkupit dhe Sofjes, që shpresoj se do të ndodhë së shpejti. Ne vazhdojmë të qëndrojmë në faktin se 20 për qind që janë poshtëruese për shqiptarët duhet të hiqen nga Kushtetuta e Maqedonisë”, tha Taravari.

Në prag të seancës së nesërme parlamentare për zgjedhjen e Qeverisë së re, VLEN pret një debat demokratik dhe pozitiv. Seanca është caktuar për në orën 11:00 dhe duhet të përfundojë jo më vonë se mesnata e së dielës. Qeveria e re e propozuar nga Mickoski do të ketë 24 anëtarë, përfshirë edhe kryeministrin.

Të fundit