E premte, 19 Korrik, 2024

PESË SFIDAT E MARK RUTTE NË DREJTIMIN E NATO-S

Mark Rutten nuk e pret ndonjë periudhë muaji mjalti në zyrën e tij në NATO. Ai e siguroi mbështetjen e 32 aleatëve të NATO-s për të qenë Sekretar i Përgjithshëm pas një fushate që përfundoi të enjten (me Rumaninë, të fundit, që njoftoi mbështetjen e saj).

Presidenti aktual, Jens Stoltenberg ka afat deri në 1 Tetor për të dhënë dorëheqjen.

Rutte, i cili ka drejtuar ekonominë e pestë më të madhe të BE-së për 14 vjet, vlerësohet gjerësisht si një njeri efektiv në arritjen e konsensusit. Ai ka treguar vendosmëri në mbështetjen e Ukrainës, përfshirë këtu përpjekjet holandeze në trajnimin e pilotëve ukrainas për të fluturuar me avionë luftarakë F-16.

Por edhe pse një politikan me përvojë, ky kapitull i ri karrierës politike të Rutte nuk do të jetë një shëtitje në park.

Më poshtë janë pesë temat e vështira, me të cilat do t’i duhet të merret.

1. Rikthimi i mundshëm i Donald Trump

Katër javë pasi Rutte fillon punën e re, amerikanët shkojnë në votime dhe mund të rizgjedhin Donald Trump si president, një skeptik ndaj NATO-s.

Në nisje të fushatës, Trump ka kërcënuar se do të shkurtojë ndihmën e SHBA-së për Ukrainën, nëse ai kthehet në Shtëpinë e Bardhë. Nëse ai e mban fjalën, kjo mund t’i japë një goditje kredibilitetit të aleatëve të NATO-s për të ndihmuar Ukrainën në luftë kundër Rusisë, duke pasur parasysh se SHBA-ja ka qenë deri tani donatori më i madh i ndihmës ushtarake për Kievin.

Rizgjedhja e Trump gjithashtu pothuajse me siguri do të prishë planin e NATO-s për të përgatitur Ukrainën për anëtarësimin e saj të ardhshëm, duke i dhënë fund përpjekjeve për ta bërë “perëndimore” ushtrinë e stilit sovjetik të Ukrainës.

Vendet e NATO-s vitin e kaluar premtuan se “do të jenë në gjendje t’i bëjnë ftesë Ukrainës për t’u bashkuar me aleancën kur aleatët të bien dakord dhe të plotësohen kushtet”.

Megjithatë, duke gjykuar nga përshkrimi i fundit i Trump për presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, ky premtim vihet në diskutim.

Zelenskyy “ndoshta tregtari më i madh mes politikanëve që ka jetuar ndonjëherë”, tha Trump në një aktivitet të fushatës javën e kaluar. “Ai sapo u largua katër ditë më parë me 60 miliardë dollarë [pas nënshkrimit të një marrëveshjeje sigurie 10-vjeçare me Presidentin Joe Biden] dhe kthehet në shtëpi dhe njofton se i duhen 60 miliardë dollarë të tjerë. Ky nuk mbaron kurrë.”

2. Sulmi dimëror i Putinit në Ukrainë

Sapo Rutte të marrë detyrën, Ukraina do t’i kërkojë ndihmë sepse afron dimri.

Gjatë muajve të fundit, Rusia ka shtuar sulmet kundër termocentraleve dhe digave të Ukrainës – infrastrukturë që kërkon muaj, nëse jo vite për t’u riparuar plotësisht.

Strategjia e Kremlinit nuk është i re. Gjatë dimrit të parë të kohës së luftës, midis 2022 dhe 2023, rrjeti elektrik i Ukrainës u sulmua rëndë.

“Zgjidhja,- thotë shefi në largim i NATO-s, Stoltenberg,– qëndron në shtimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore që mund të mbrojnë furnizuesit e energjisë, si dhe stafin e mirëmbajtjes që punon ndërkohë për riparimin e objekteve të dëmtuara”.

Vendet e NATO-s po luftojnë gjithashtu për të dërguar – ose, në rastin e vendit të Rutte, për të ndërtuar – sisteme të mbrojtjes ajrore. Por Evropa nuk ka aq shumë për të dërguar, ndihma e SHBA u vonua në Kongres dhe vendet afër Rusisë nuk janë të gatshme të heqin dorë nga mburojat e tyre ajrore në këtë kohë të rrezikshme.

3. Pagesat e vendeve të NATO-s

NATO këtë javë festoi një numër rekord të aleatëve që arritën objektivin prej 2 për qind të PBB-së për shpenzimet e mbrojtjes, 23 vende të tilla. Në të vërtetë, Holanda sapo e kaloi atë prag, pas disa vitesh dështimi.

Por kjo do të thotë se një e treta e aleancës ende nuk po arrin rezultate, pavarësisht se e bëri atë premtim 10 vjet më parë.

Kombet e Evropës Jugore janë ndër shkelësit më të këqinj të premtimit.

Në Itali shihet një rënie e lehtë e shpenzimeve për NATO-n nga 1.5% e ulët e vitit të kaluar. Spanja do të shpenzojë vetëm 1.28 për qind këtë vit. Fqinja e saj, Portugalia angazhoi 1.55 për qind.

“Rekordi i dobët nga miqtë tanë mesdhetarë është arma e përsosur për Trump” tha një diplomat i lartë nga rajoni Baltik, të cilit iu dha anonimiteti për të folur lirshëm për disponimin brenda NATO-s. Rajoni ka qenë një avokat i fortë për një qasje më të ashpër ndaj Rusisë.

Por edhe më afër Trump, gjërat janë po aq keq. Kanadaja, një anëtare e NATO-s që në fillime në vitin 1949, angazhon vetëm 1.37 për qind të PBB-së, duke regjistruar 0.1 për qind rritje që nga fillimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

4. Ankesat e krahut lindor

Vendet në kufi me Rusinë nuk janë mbështetës të mëdhenj të Mark Rutte.

Ata ishin të zemëruar për shpenzimet e ulëta të mbrojtjes holandeze dhe janë veçanërisht të mërzitur që roli kryesor në NATO i ka shkuar gjithmonë një vendi të Europës perëndimore ose veriore, edhe pse vendet e krahut lindor kanë qenë në aleancë për një çerek shekulli tashmë.

Kryeministrja e Estonisë Kaja Kallas nuk hyri në garën për postin e lartë të NATO-s pasi iu tha se nuk do të merrte mbështetjen e vendeve të tilla si SHBA, Franca dhe Gjermania (ajo tani është kryesuesja për të qenë shefja e ardhshme e politikës së jashtme të BE-së). Ata kishin frikë se emërimi i saj do të shihej nga Moska si një përshkallëzim i armiqësive. Presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis, i cili kandidoi për këtë detyrë, mori vetëm votën e Hungarisë – shkurtimisht dhe vetëm për arsye taktike.

Vendet e krahut lindor tani ka të ngjarë të kërkojnë përfaqësim më të mirë në nivelin dytësor të NATO-s: zv.sekretari i Përgjithshëm dhe postet e ndryshme të ndihmës-sekretarit të përgjithshëm.

Shpërndarja e pozicioneve të punës ka qenë një pikë e dhimbshme për vendet lindore për disa kohë. Zv/sekretari që  po largohet është rumun, të shtatë ndihmësit janë nga Perëndimi – dy nga SHBA, nga një nga Gjermania, Holanda, Britania, Italia dhe Franca. Një tjetër vend pune si ndihmës është vakant.

Në të vërtetë, një nga detyrat e para të Rutte si shef i NATO-s do të ishte të emëronte një zëvendës dhe do të ketë presion që ai të emërojë dikë nga një vend lindor.

5. Udhëheqësit Putin-dashës të Evropës

Nuk është vetëm Trump që Rutte duhet të bindë për ta mbajtur NATO-n gjallë dhe mirë.

Në të gjithë Evropën, partitë e së djathtës ekstreme skeptike ndaj NATO-s dhe Putin-dashëse po lulëzojnë.

Franca, për shembull, është në prag të zgjedhjeve parlamentare që mund të nxjerrin fitues ekstremin e djathtë – duke e detyruar Stoltenberg të bëjë një lutje të rrallë për Francën që “ta mbajë NATO-n të fortë” në një intervistë me POLITICO.

Rutte, natyrisht, e di shumë mirë këtë histori. Në një farë mënyre, ai filloi të konsideronte detyrën kryesore të NATO-s kur u bë e qartë se Partia e tij Popullore për Liri dhe Demokraci e qendrës së djathtë do të humbiste zgjedhjet holandeze ndaj Partisë së ekstremit të djathtë për Lirinë e Geert Wilders, gjë që ndodhi.

Wilders, i pyetur vitin e kaluar në lidhje me pikëpamjen e tij për liderin rus Vladimir Putin, i tha gazetës ruse të propagandës RT: “Unë e duartrokas atë siç duartrokas zotin Trump sepse janë udhëheqës, të cilët qëndrojnë në emër të popullit rus dhe amerikan.”

Për një gjë Rutte nuk ka nevojë të shqetësohet: puna e tij e re nuk do të jetë e mërzitshme./Politico.eu Përshtati Lapsi.al

Të fundit