E shtunë, 20 Korrik, 2024

ISH-PRESIDENTI SERB TADIQ: “ÇËSHTJA E KOSOVËS PËRCAKTON FATIN E SERBISË”

Në Beograd, kryetari i Partisë Socialdemokrate (SDS) dhe ish-presidenti Boris Tadiq ka deklaruar se Serbia është një nga vendet e rralla në botë ku shtresat qytetare të shoqërisë e identifikojnë patriotizmin me privitizmin dhe ku mbretëron një keqkuptim i madh për rëndësinë e çështjes së Kosovës. Ai, në një intervistë për javoren serbe NIN, ka theksuar se  Kosovca, por edhe pjesë të tjera të territorit, fizikisht edhe në aspektin identitar, e  bëjnë Serbinë kjo që është,- përcjell kdp.mk.

Tadiq ka shpjeguar se kjo nuk është çështje vetëm e qëndrimit ndaj Kosovës, por  e qëndrimit ndaj një pjese të territorit, ndaj qytetarëve, trashëgimisë kulturore dhe fetare dhe mbi të gjitha ndaj sovranitetit dhe integritetit të Serbisë.

“Kur them se çështja e Kosovës përcakton fatin e Serbisë, kjo ka të bëj me faktin se padyshim fatin e çdo vendi e përcakton ajo nëse hiqet dorë nga një pjesë e territorit dhe interesat e legjitime kombëtare, sepse kjo ndikon në çdo lloj stabiliteti të çdo vendi. Nga kjo varet çështja e paqes apo e luftës në të ardhmen, e ardhmja ekonomike e vendit, gjendja e vetëdijes kolektive dhe stabiliteti i përgjithshëm i vendit”, – ka thënë Tadiq duke vlerësuar se sot është shumë më e vështirë të mbrohen interesat e Serbisë në Kosovë sesa para vitit 2012.

“Politika ime është se në paqe nuk humbet asgjë që nuk është humbur në luftë dhe ne e zbatuam me shumë sukses këtë politikë, me ç’rast jo vetëm që nuk e rrezikuam të ardhmen evropiane të Serbisë, por arritëm suksese historike në rrugën e integrimeve evropiane”, – tha Tadiq.

Sipas tij, pushteti aktual serb ia doli që “duke ia dorëzuar Kosovës të gjitha interesat kombëtare, të bllokojë  në të njëjtën kohë integrimet evropiane”.

Duke komentuar deklaratën e ambasadorit amerikan Christopher Hill se njohja e Kosovës nuk do të jetë kusht për hyrje në BE, Tadiq theksoi se pyetja e vërtetë është “cila është sot relevanca e një pohimi të tillë në rrethanat kur pushteti tashmë de facto e ka njohur  pavarësinë e Kosovës”.

I pyetur për Kuvendin gjithëserb, Tadiq ka thënë se ai ishte “një shfaqje me qëllim të mbulimit të dorëzimit të interesave kombëtare dhe e servilizmit”.

Ish-presidenti serb  ka vlerësuar, po ashtu, se “në Serbi ka kohë që nuk ka situatë politike”.

“Për situatë politike nevojitet politikë. Tek ne kaherë situata politike ka pësuar mutacion në gjendjen e shtetit të pushtuar, ku në vend të luftës politike, kemi vetëm luftë të kriminalitetit dhe kapitalit”, – ka konstatuar Tadiq duke u bërë thirrje partive opozitare që menjëherë të fillojnë të punojnë për një strategji të unifikuar dhe bashkim në formën më efektive, si dhe për një luftë të përbashkët për kushte më të mira zgjedhore.

Bëj thirrje që më në fund të bëjmë atë që mundemi dhe që tashmë e treguam para vitit 2012, që mundemi – t’i mundim ata”,- ka porositur Tadiq opozitën serbe.

Të fundit