E enjte, 25 Korrik, 2024

EURO 2024: SHQIPËRIA BARAZON ME KROACINË

Shqipëria ka barazuar 2:2 me Kroacinë falë një goli të vonshëm në kohën shtesë nga Klaus Gjasula të mërkurën në Hamburg, duke e fituar pikën e parë në Grupin B në Kampionatin Evropian të futbollit në Gjermani.

Ky barazim nënkupton se Shqipëria tani ka një pikë pas dy ndeshjeve dhe i duhet ta mposhtë njërën prej favoriteve kryesore të Euro 2024, Spanjën, në ndeshjen e tretë dhe të fundit në grup për të kaluar në rrethin e eliminimit direkt për herë të parë në historinë e vet në një evropian.

Në debutimin e saj në Kampionatin Evropian më 2016, Shqipëria nuk ia doli ta kalojë fazën grupore.

Kroacia e mbizotëroi kombëtaren kuqezi, duke kontrolluar topin shumicën e kohës dhe duke krijuar më shumë në përgjithësi, edhe pse Shqipëria kishte disa mundësi të jashtëzakonshme shënimi.

Qazim Laçi e kaloi Shqipërinë në epërsi prej një goli herët në takim në stadiumin Volksparkstadion, kur shënoi me kokë nga afërsia në minutën e 11-të.

Derisa u duk sikur kuqezinjtë do ta ruanin epërsinë këtë herë, Andrej Kramariq e barazoi rezultatin në minutën e 74-të, pas trysnisë së vazhdueshme të kroatëve përpara.

Dy minuta më vonë, Klaus Gjasula shënoi në portën e vet pas një topi të devijuar, duke ia mundësuar Kroacisë.

Por, Gjasula, i ardhur nga stoli, e përmirësoi gabimin shpejt duke shënuar për rezultatin përfundimtar 2:2 në minutën e 95-të.

Shqipëria tani ka 1 pikë, aq sa Kroacia në Grupin B, të cilit i prijnë Italia dhe Spanja me nga 3 pikë secila, të cilat takohen sonte më vonë në ndeshjen e xhiros së dytë të këtij grupi.

Kjo ishte përballja e parë mes Shqipërisë dhe Kroacisë në një ndeshje garuese.

Shqipëria, e udhëhequr nga trajneri brazilian Sylvinho, ndeshet me Spanjën më 24 qershor./REL/

Të fundit