E shtunë, 20 Korrik, 2024

BILBILI I NJË LOJE TË SHITUR

Nga Dritan Hila

Tashmë Lulzim Basha është pjesë e historisë dhe e ka mbyllur llogarinë me politikën. Nëse ka një gjë që duhet të sqarojë Lulzim Basha me historinë, është pasiviteti dhe përgjumja e tij në dy vite e gjysmë që e ndajnë nga momenti i sotëm e prej kur përzuri Berishën nga PD-ja. Mungesa e përballjes së tij në fushatën që bëri Berisha menjëherë pas përjashtimit nga PD-ja, përgjumja e tij në një vit e gjysmë; lënia e fushës së lirë në zgjedhjet lokale për kandidatët e Berishës; shtyrja e afateve për fillime betejash për të përfunduar në tre podkaste pyjeve të Zvërnecit ku të paktën nuk sqaronte as sesi do pastronte pyllin, të gjitha këto mbeten enigmë. Nuk kishte sjellje më të mirë për të rritur agresivitetin e Berishës dhe demotivuar ndjekësit e vet.

Pas heqjes së vulës, Basha premton rikthim, por këto janë thjesht logje Kavaje për ta shtyrë deri në pranverën që vjen. Me vulën dhe siglën e një partie historike në zotërim, Lulzim Basha ia doli që të bjerrte dita ditës ndjekësit e tij. Imagjinoni si mund t’ia dalë me një kioskë që do ia nxjerrë Nipt-in vetë.

Basha kishte një deficit të madh besueshmërie dhe karizme; një mungesë të tmerrshme nuhatjeje politike; mungesë totale të mbajtjes së ritmit të politikës dhe mungesë dëshpëruese hapjeje ndaj elementëve të rinj. Nuk ia doli t’i jepte besim atyre që e kuptojnë se me Berishën nuk vijnë në pushtet apo që nuk e duan. E gjithë historia dyvjeçare e kusur, kishte si rezultat produktin që del kur qeth mace: Shumë zhurmë e pak lesh. Por edhe dyshimin se e gjitha kjo ishte një lojë mes Bashës dhe Berishës.

Lulzim Basha ia doli të shuante shpresën se nëpërmjet tij një opozitë e re dhe konkurruese mund të lindte. Pas kësaj Rama është edhe më komod pasi me një Berishë dhe Metë përballë, bashkon në unitet të çeliktë radhët e veta dhe ka mundësi të përqendrojë goditjen. Përfundimi dihet.

Të fundit