Kryetari i Partisë së Lirisë dhe Drejtësisë, Dragan Gjilas, ka reaguar ndaj deklaratës së ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, i cili tha se zgjedhjet në Serbi shkuan “mirë” dhe ishin më të mira se ato të mëparshmet që u mbajtën më 17 dhjetor të vitit të kaluar. Gjilas në një deklaratë me shkrim dërguar mediave thotë se ambasadori amerikan shkoi një hap më tej në mbështetje të grupit të organizuar kriminal që ka robëruar Serbinë, – përcjell kdp.mk reagimin e njërit prej liderëve të opozitës serbe në Beograd.
“Në dhjetor, zoti Hill heshti për vjedhjen e votave, presionin e votuesve, numrin e madh të votuesve me vendbanim të rremë. Ai deklaronte se i gëzohet vazhdimit të bashkëpunimit me Aleksandar Vuçiqin dhe porosiste opozitën që të heqë dorë nga lufta dhe të rri në shtëpi. Muajt vijues i harxhoi për të bindur një pjesë të opozitës që të marrë pjesë në zgjedhjet e përsëritura paraprakisht të vjedhura në Beograd,” – thotë Gjilas.
Ai shton se ambasadori i SHBA në qershor shkoi një hap më tej në mbështetje të grupit të organizuar kriminal që robëroi Serbinë.
“Tani flet se mendimi i vëzhguesve nga misioni i ODIHR-it, të cilët përmendën një sërë parregullsish nuk është i rëndësishëm. Nuk përmend se në zgjedhjet e Beogradit morën pjesë madje 210 mijë votues më pak se në dhjetor, se nuk morën pjesë tri nga katër partitë më të mëdha opozitare, se asnjë nga rekomandimet kryesore të ODIHR nuk u zbatua. Ai thotë pa fije turpi se ka pasur më pak probleme se në dhjetor, edhe pse të gjithë kanë parë presione edhe më të mëdha, rrahje të aktivistëve të opozitës dhe shkelje brutale të ligjit nga mediat e Vuçiqit, redaktorët e të cilave filluan edhe të rrahin gazetarët. Ai nuk e dëgjoi as retorikën anti-evropiane e as antiamerikane të Aleksandar Vuçiqit, për të cilin thotë se është partner i besueshëm i Amerikës. Dhe, le ta pranojmë se asgjë nga kjo nuk e vuri re, por si nuk e pa (shtatmadhin) Milorad Dodik, banor i Laktashit, se si voton në zgjedhjet lokale në Beograd, ndaj e deklaruan se migrimet e votuesve janë ndalur? Burri votoi në fqinjësi të tij, u fotografua, bëri deklarata për televizione, ndërsa ai nuk e ka idenë për këtë. I vetmi shpjegim është se nuk ka televizor në ambasadë. Nëse është kështu, i propozoj që t’i drejtohet mikut të tij Vuçiq. Partia e tij për zë dhuron televizor për vota të sigurta dhe kapilare. Atij do t’i falin të paktën pesë. Ai nuk ka të drejtë vote në Serbi, por zëri i tij i sigurt, kurdoherë që të shfaqet, i vlen shumë Vuçiqit”, – thotë Gjilas./KDP/