E hënë, 21 Prill, 2025

A ËSHTË RMV ATDHE EDHE I SHQIPTARËVE? SQAROHET KRYEPARLAMENTARI GASHI

Kryeparlamentari Afrim Gashi ka reaguar sot pasi ditë më parë mandatari Hristian Mickoski i bëri thirrje të kërkojë falje pasi, në një intervistë në RTK, kishte deklaruar se “Kosova është atdheu im”, përcjell KDP.

Në sqarimin e tij, të postuar në Facebook, Gashi thotë se ka pasur shtrembërim nga ana e mediave.
“Kur flasim per temën e atdheut, unë jam në dijeni për akuzat dhe deformimet nga media të ndryshme, të cilat përpiqen që ashtu ta tërheqin vëmendjen. Si kryetar i Kuvendit të të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, dua të sqaroj se Afrim Gashi ka lindur në Shkup, këtu jeton dhe punon me familjen e tij dhe vendlindja e tij është Maqedonia e Veriut”, thkson ai.
Ai pretendon se deklarata e saktë në intervistën e tij ka qenë se “Kosova është vendlindja ose atdheu i prindërve të mi dhe, si të tillë, unë e respektoj për hir të tyre”.
Megjithatë, ai thotë se beson se “ne e kuptojmë njëri-tjetrin aq mirë, sa të mos kërkojmë shpjegime të hollësishme të nocioneve si vendlindja, atdheu ose mëmëdheu, pasi shqipja përdor edhe një emër të përbërë që ndërtohet nga fjalët mëmë e dhe”.
“Për mua gjëja më e rëndësishme është që me veprat tona të tregojmë se si e shohim ne vendin tonë, cili është përkushtimi ynë ndaj tij, cili është kontributi ynë dhe cili është dallimi mes atyre që e ndërtojnë dhe e pasurojnë atë dhe atyre që e shkatërrojnë dhe e vjedhin atë. Pohimet dhe deklaratat patriotike nuk u sjellin dobi qytetarëve dhe ne nuk jemi këtu për të garuar se kush është më patrioti. Mua nuk më pëlqejnë debatet e tilla dhe kjo është hera e fundit që unë deklarohem për këtë temë”, thotë Gashi.

Mickoski ndërkaq, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas dhënies së mandatit nga kryetarja Gordana Siljanovska Davkova, tha dje se Gashi merr rrogë në Maqedoni dhe se duhet të kërkojë falje për deklaratën e dhënë për RTK-në.

“Mendoj se atdheu i tij është Maqedonia. Dhe nga sa kam biseduar me të, kam dëgjuar personalisht nga ai se atdheu ynë i përbashkët është Maqedonia jonë e përbashkët. Nëse ai ka një deklaratë të tillë, atëherë mendoj se duhet t’u kërkojë falje qytetarëve të Maqedonisë dhe këtë duhet ta bëjë sa më parë, sepse këtu e merr rrogën dhe është zgjedhur nga maqedonasit, turqit, shqiptarët, vllehët”, tha Mickoski.

Reagimet vijnë pasi Gashi, në një intervistë për “RTK”, ka folur për historinë e familjes së tij, e cila u shpërngul nga Kaçaniku në Shkup në vitet e 50-ta të shekullit të kaluar. Ai tha se Kosova është atdheu i tij dhe se i ndjek proceset në fqinjin verior.

“Të lindurit pas viteve nëntëdhjetë nuk mund ta kuptojnë këtë, por për mua Kosova është atdheu im, vendi ku kanë lindur prindërit e mi dhe unë simpatizoj gjithçka që po ndodh në Kosovë”, citohet të ketë thënë Gashi, deklaratë e cila u transmetua nga mediat maqedonase.

Mickoski bëri të ditur se së shpejti do të formohet qeveria e re reformuese, por për gazetarët nuk ka treguar detaje për emrat e ministrave të rinj.

Të fundit