E diel, 27 Prill, 2025

PRISHTINË: NDËRRON JETË AKADEMIK REXHEP FERRI

Akademiku Rexhep Ferri ka vdekur në moshën 86-vjeçare, kanë njoftuar familjarët e tij të enjten. Ferri i përket gjeneratës së artë të piktorëve kosovarë.

Sipas njoftimit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), në mjediset e saj të premten do të mbahet një mbledhja komemorative. Varrimi do të bëhet nesër në Prishtinë.

Rexhep Ferri u lind në Kukës, më 1937. Më 1958 mbaroi Shkollën e Mesme të Artit në Pejë, ndërsa u diplomua në degën e pikturës monumentale në Akademinë e Arteve Aplikative në Beograd(1966) ku më pas përfundoi edhe studimet pasuniversitare. Në vitin 1974 u zgjodh pedagog i Akademisë së Arteve Figurative në Prishtinë ku vazhdoi punën deri në pensionim më 2002. Profesor Rexhep Ferri u angazhua edhe në Universitetin e Tetovës (1995-2004). Në vitin 1996, Ferri u zgjodh anëtar korrespondent i ASHAK-ut, ndërsa anëtar i rregullt në vitin 2000. Më 1999 u vendos në pozitën e Sekretarit të Seksionit të Arteve në ASHAK.

Më 1971 mori “çmimin e Dhjetorit” të Kuvendit të Kosovës për kontributin e tij në fushën e arteve figurative.

Ka organizuar shumë ekspozita të pavarura në vend dhe jashtë, ka marrë pjesë në manifestime të rëndësishme, ekspozita, bienale, takime, në Kosovë, në Ish Jugosllavi, por edhe në Francë, Itali, Gjermani, Turqi, Egjipt, etj. Ka botuar disa përmbledhje me poezi, si dhe ese dhe romane.

Të fundit