E diel, 27 Prill, 2025

DW: MICKOSKI MERR MANDATIN, AHMETI DËRGON POROSINË

Vitin e kaluar, ditëlindjen e 21-të të BDI-së, integristët e shënuan me mesazhe të dërguara nga lokacione të ndryshme – kreu i BDI-së nga një debat në Shkup, kurse fraksioni i atëhershëm i “zjarrit” me mesazhe nga Tetova. Ky grup nuk është më a fraksioni, por i organizuar në një subjekt politik, i cili u bë pjesë e Koalicionit VLEN, dhe është pjesë e mazhorancës së re dhe në prag të hyrjes në qeverinë e ardhshme, analizon DW në gjuhën maqedonase, përcjell KDP.

Në pritje të atij akti, nga kremtimi i mbrëmshëm i 22 vjetorit të themelimit të BDI-së në Banjicë të Gostivarit, Ali Ahmeti dërgoi një mesazh tjetër – se VMRO-DPMNE ka mandat për të udhëhequr pushtetin ekzekutiv, por nuk ka mandat për të bërë përzgjedhje dhe të poshtërojë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Ai shprehu besimin se bashkë me qendrat vendimmarrëse ndërkombëtare do ta kapërcejnë këtë përballje.

“Kjo përballje nuk është më e vështirë se ajo e vitit 2001, nuk është më e vështirë se përballja që kemi me vendet e rajonit. Por ne duhet t’i ndalim ambiciet e dhimbshme të partisë politike – të cilës nuk ia mohojmë mandatin për të udhëhequr pushtetin ekzekutiv – por nuk e ka mandatin të bëjë përzgjedhje dhe të poshtërojë shqiptarët në Maqedoni. Shqiptarët kanë mjaft gjak në RMV për të vendosur vetë”, tha Ahmeti.

“Na vjen keq që Ahmeti po mundohet ta pranojë realitetin se do të jetë opozitë”, u përgjigjën nga Koalicioni VLEN.

Në reagimin e tyre ata iu referuan edhe raportimeve të mediave se një ditë para zgjedhjes së Afrim Gashit për kryetar të Kuvendit, përfaqësuesit e BDI-së u kanë sugjeruar bashkëpunëtorëve më të afërt të liderit të VMRO-DPMNE-së që në vend të VLEN-it, ai të marrë BDI-në në Qeveri, pa kryeparlamentar dhe me 4 ministri, ​​por se Mickoski i ka refuzuar.

“Do të ishte mirë që ai t’u shpjegojë votuesve të tij nëse është e vërtetë se ai i ka ofruar Mickoskit të zgjedhë vetëm 4 ministri që do t’i jepte të gjithë Frontit Evropian pa kryeparlamentar, për të hyrë në qeverinë e tij në vend të VLEN? Të shohim kush janë ata që paturpësisht gjunjëzohen për të hyrë në Qeveri me ata që në fushatë i akuzuan se kanë punuar për Putinin dhe Rusinë?”, pyet VLEN.

“Është e papranueshme që një njeri që luftoi për të drejtat e shqiptarëve 25 vjet më parë, tani të shkaktojë urrejtje te shqiptarët vetëm për të dhënë amnisti për zyrtarët e tij të korruptuar. (…) Asnjë karrierë personale nuk është më e rëndësishme se e ardhmja e sigurt e shqiptarëve në BE”, thuhet në reagimin e VLEN-it.

Nga ana tjetër, deklarata politike e miratuar së fundmi për legjitimitetin zgjedhor, të cilën Fronti Evropian i udhëhequr nga BDI-ja njoftoi se do t’ua dërgojë të gjitha institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, ende nuk ka shkaktuar reagime. I pyetur – si e komenton atë deklaratë dërguar të gjitha institucioneve ndërkombëtare, ambasadori evropian David Geer është përgjigjur se si ambasador i Bashkimit Evropian nuk është me vend të komentohen zhvillimet e brendshme politike në vend.

“Presim që sa më shpejt të formohet një qeveri e qëndrueshme, e cila do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme për zbatimin e të gjitha reformave, me synimin për bashkimin sa më të shpejtë të vendit në Bashkimin Evropian. Ne do të bashkëpunojmë me të gjithë aktorët politikë që do të punojnë për të arritur këtë qëllim, për të arritur procesin e anëtarësimit të vendit dhe për të mbështetur sa më shpejt anëtarësimin e vendit në BE”, tha Gir në hapjen e Shtëpisë Evropiane në Tetovë.

Sipas tij, Marrëveshjet e Prespës, Ohrit dhe fqinjësisë së mirë me Bullgarinë, secila në mënyrë të ndryshme, i kanë sjellë përfitime të konsiderueshme vendit dhe prandaj për BE-në është e një rëndësie të madhe që të punohet në zbatimin e plotë të tri marrëveshjeve.

Të fundit