Mandati Hristijan Mickoski tha sot se kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, duhet të kërkojë falje nëse vërtet ka deklaruar se atdheu i tij është Kosova. Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas dhënies së mandatit nga kryetarja Gordana Siljanovska Davkova, Mickoski tha se nuk e ka dëgjuar deklaratën e Gashit që është transmetuar nga mediat, përcjell KDP.
“Mendoj se atdheu i tij është Maqedonia. Dhe nga sa kam biseduar me të, kam dëgjuar personalisht nga ai se atdheu ynë i përbashkët është Maqedonia jonë e përbashkët. Nëse ai ka një deklaratë të tillë, atëherë mendoj se duhet t’u kërkojë falje qytetarëve të Maqedonisë dhe këtë duhet ta bëjë sa më parë, sepse këtu e merr rrogën dhe është zgjedhur nga maqedonasit, turqit, shqiptarët, vllehët”, tha Mickoski.
Reagimet vijnë pasi Gashi, në një intervistë për “RTK”, ka folur për historinë e familjes së tij, e cila u shpërngul nga Kaçaniku në Shkup në vitet e 50-ta të shekullit të kaluar. Ai tha se Kosova është atdheu i tij dhe se i ndjek proceset në fqinjin verior.
“Të lindurit pas viteve nëntëdhjetë nuk mund ta kuptojnë këtë, por për mua Kosova është atdheu im, vendi ku kanë lindur prindërit e mi dhe unë simpatizoj gjithçka që po ndodh në Kosovë”, citohet të ketë thënë Gashi, deklaratë e cila u transmetua nga mediat maqedonase.
Mickoski bëri të ditur se së shpejti do të formohet qeveria e re reformuese, por për gazetarët nuk ka treguar detaje për emrat e ministrave të rinj.
“Ne po fillojmë konsultimet brendapartiake për propozimet për anëtarët e qeverisë”, tha Mickoski. Ai ka një afat ligjor prej 20 ditësh për të formuar qeverinë e re, por pret që kjo të ndodhë më shpejt.
“Ne kemi shumicën për t’u takuar nesër dhe për të zgjedhur një qeveri,” tha Mickoski. Koalicioni i VMRO-DPMNE-së, si fitues i zgjedhjeve parlamentare të 8 majit, fitoi 58 mandate parlamentare dhe bashkë me VLEN dhe ZNAM përbëjnë shumicën prej 78 deputetësh. “Unë ju them se kemi më shumë se 80 deputetë”, tha Mickoski.
Sipas tij, “Qeveria e re do të ketë synim dhe detyrë bazë që të merret me reformat, ta shndërrojë Maqedoninë në një histori të suksesshme evropiane, një shtet që do të jetë atdheu i të gjithë qytetarëve”.
Ai paralajmëroi rigjallërim të ekonomisë dhe një cikël të fortë investimesh në 100 ditët e para, përmirësim të standardit të jetesës dhe rritje lineare të pensioneve nga shtatori. Ai paralajmëroi edhe tejkalimin e problemeve në shëndetësi, arsim dhe ndihmë për fermerët.
Mickoski thotë se do të hapin një front të ashpër kundër krimit dhe korrupsionit që të ndodhë kjo, duhet një shumicë prej dy të tretash në Kuvend, për të bërë ndryshime ligjore për Këshillin e Prokurorëve Publikë dhe Këshillin Gjyqësor. VMRO-DPMNE tashmë ka filluar procedurën për ndryshime ligjore që do të mundësojnë riorganizimin e ministrive.