Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, tha sot se e drejta e tij e njeriut, e garantuar me shumë konventa, është e drejta e lirisë së shprehjes dhe fjalës dhe për këtë, siç tha, atdheu im në çdo deklaratë që bëj është Maqedonia dhe do të mbeten Maqedonia”, njoftoi REL, përcjell KDP.
“Nuk pres një qasje si talibanët, censurë të të drejtave elementare të njeriut dhe gjithçka që përmban Marrëveshja e Prespës dhe pjesë e sistemit tonë juridik dhe rendit kushtetues, qeveria e ardhshme e VMRO-DPMNE-së do ta respektojë këtë. Këtu përfshihen edhe vendimet për deputetë që i kemi marrë, i kemi marrë me mbiemrin që përmban”, tha Mickoski.
Ky koment i liderit të VMRO-DPMNE-së vjen pasi kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, fundjavën e kaluar tha se pret që Mickoski ta përdorë emrin Maqedonia e Veriut.
Mitsotakis theksoi se këtë çështje do ta ngrejë në Samitin e ardhshëm të NATO-s.
“Sigurisht që do ta ngre këtë çështje në Samitin e NATO-s për 75-vjetorin e themelimit të Aleancës. Dhe vërtet do ta inkurajoja udhëheqjen e Shkupit që të mos e rrezikojë kursin evropian, të cilin e ka mbështetur vendi ynë, të cilin mendoj se e dëshirojnë vetë qytetarët”, thotë Mitsotkais.
VMRO-DPMNE ka përfunduar negociatat me partitë për formimin e qeverisë së re, pasi në zgjedhjet parlamentare të 8 majit fituan më së shumti mandate, 58. Partia negocioi me Koalicionin VLEN nga blloku shqiptar, i cili ka 13 mandate dhe ZNAM, i cili fitoi 6 mandate në Parlament. Pritet që të enjten presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova, t’ia japë mandatin për formimin e qeverisë së re Mickoskit.
Reagimet e shpeshta për përdorimin e emrit, kryesisht nga Greqia fqinje, vijnë pasi presidentja e sapozgjedhur Gordana Siljanovska Davkova gjatë ceremonisë së betimit përdori emrin Maqedoni në vend të emrit kushtetues të shtetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Mickoski tha sot se i gjithë komunikimi institucional, i cili është pjesë e ligjeve dhe Kushtetutës, do të respektohet “përderisa ato ligje dhe Kushtetuta janë në fuqi ashtu siç janë”, tha ai.
Nëse kjo çështje ngrihet në Samitin e NATO-s, tha Mickoski, mesazhi i tij do të jetë se dëshiron të ndërtojë ura bashkëpunimi, miqësie me fqinjët tanë, duke përfshirë fqinjin tonë jugor, lindor, veriperëndimor.
“Edhe pse nuk do të më pëlqente, ne mund të hapim debat jo vetëm atje (Samiti i NATO-s), por në çdo forum dhe të shohim se kush sa e kupton Marrëveshjen e Prespës”, tha Mickoski.
Më 17 qershor 2018, Maqedonia e Veriut nënshkroi një marrëveshje me Greqinë fqinje për të ndryshuar emrin e saj në Republika e Maqedonisë së Veriut. Kjo marrëveshje hyri në fuqi më 12 shkurt 2019, pasi Republika e Maqedonisë ndryshoi Kushtetutën dhe emri zyrtar i shtetit u ndryshua në Republika e Maqedonisë së Veriut.