E hënë, 21 Prill, 2025

FINANCA: ALARMI I KUQ KAHERË ËSHTË NDEZUR – A KA RRUGËDALJE?

Rritja e ekonomisë, e cila ishte fokusi kryesor edhe në retorikat parazgjedhore dhe programet politike, në periudhën në vijim është e sigurt që do të ndikohet nga borxhi i lartë i shtetit.

Në vitet në vijim, në derë trokasin edhe borxhet e vjetra, ndaj kontributet në investimet publike në të njëjtën kohë do të jenë një sfidë e vërtetë edhe për qeverinë e re. Borxhi publik vitin e kaluar kaloi kufirin e përcaktuar prej 60 për qind të PBB-së, në përputhje me kriteret e Mastrihtit, duke u ngritur në 62.1 për qind. Projeksionet afatmesme në strategjinë e menaxhimit të borxhit publik të Ministrisë së Financave parashikojnë se me konsolidimin fiskal në vitet 2026 dhe 2027, borxhi publik do të kthehet sërish në kufijtë e përcaktuar nën 60 për qind të PBB-së. Mirëpo, a posedon shteti kapacitetin dhe kondicionin për të menaxhuar me efektivitet një borxh të tillë publik, veçanërisht në kohën e parave të shtrenjta?

Pak hapësirë për manovrim

“Rritja e PBB-së vitin e kaluar nuk u realizua ashtu siç ishte projektuar, ndaj për shkak të rritjes së ulët prej vetëm një për qind, borxhi publik u rrit mbi këtë bazë, diku rreth 62 për qind. Nëse kësaj i shtohen edhe të ashtuquajturat detyrime të arritura dhe të pashlyera, të cilat janë detyrim për t’u raportuar, kurse detyrimet e e këtilla të raportuara përbëjnë 3.3 për qind të PBB-së ose gjysmë miliardë euro deri tani, dhe nuk jemi të sigurt nëse janë raportuar plotësisht të gjitha në përputhje me detyrimin ligjor, kjo rrit në mënyrë plotësuese borxhin publik edhe 3.3 për qind. Pra, borxhi publik real me një mesatare deri në fund të marsit 2024 mund të rritet deri në 65 për qind të PBB-së, që me të vërtetë është një limit i rrezikshëm ose pesë për qind mbi atë të parashikuar me Ligjin për Buxhetet”, – thotë në një intervistë për “Bloomberg Adria” akademik Abdylmenaf Bexheti, anëtar i Këshillit Fiskal të Maqedonisë së Veriut.

Bexheti argumenton se hapësira fiskale e shtetit është shpenzuar dhe duhet që politikat fiskale të zhvillohen me maturi.

“Kostoja e financimit është shumë e pavolitshme. Ne para një viti e gjysmë, dy vjetësh, patëm mundësi të mira dhe financim të nevojave dhe të deficitit kur është fjala për boxhin e ri. Nëse para dy vjetësh paguanim mesatarisht 2.25 për qind interes për borxhet e reja, tani është mbi gjashtë për qind dhe ky është një çmim i lartë për mundësitë tona. Kostot tona të interesit në buxhet deri tani arrijnë mëse 250 milionë euro në vit, që është shumë në raport me kapacitetin tonë fiskal. Dua të them që hapësira fiskale e shtetit kaherë është harxhuar, në pjesën e shpenzimeve jemi shumë ngushtë. Duke marrë parasysh strukturën e të hyrave dhe njoftimet madje edhe për uljen e disa zërave të caktuar tatimorë, nuk duhet të pritet krijimi i një hapësire më të madhe fiskale në anën e të ardhurave, përveç nëse reduktohet ekonomia gri, e cila është tepër e lartë”, thotë Bexheti.

Lartësia e kamatave që shteti do t’i paguajë gjatë periudhës së ardhshme e brengos edhe Branimir Jovanoviqin nga Instituti vjenez për Studime Ekonomike Ndërkombëtare.

“Nëse e shihni se sa para paguajmë për kamatat e borxhit publik, në vitin 2024 ato do të arrijnë mbi 250 milionë euro. Para vetëm 10-15 vjetësh, kjo shumë për kamatat ishte rreth 50 milionë euro, domethënë mbni këtë bazë ne e rritëm buxhetin për pesë herë. Këto para, në vend që të jepen për kamata, mund të shkojnë për investime për zhvillimin e shoqërisë. Kështu që, për mendimin tim, ky është problemi kryesor në sferën fiskale”, – thotë Jovanoviq.

Paralajmërime për huamarrje të reja

Një hua të re prej një miliardë eurosh ka paralajmëruar, para do kohësh, edhe mandatari i ri Hristijan Mickoski. Ekspertët bien dakord se borxhet e reja do të jenë të domosdoshme, por theksojnë se është e rëndësishme se nga do të merren ato, me çfarë kushtesh dhe si do të shpenzohen.

Sipas Bexhetit, pas përbërjes së qeverisë së re, do të jetë i pashmangshëm edhe rishikimi i buxhetit, që do të tregojë sesa është e nevojshme huamarrja e re mbi atë që ishte projektuar.

“Kjo me siguri do të jetë diku me një mesatare rreth 30 qershorit të këtij viti dhe mesatarja do të tregojë më saktë sesa është e nevojshme huamarrje e re përtej kësaj që ishte parashikuar në buxhet, përkatësisht në deficitin buxhetor që ishte projektuar të jetë 3.5. për qind e PBB-së për këtë vit. Mirëpo, duke pasur parasysh rrethanat, deficiti vijues është shpenzuar në mënyrë disproporcionale për shkak të nevojave për financimin e shpenzimeve urgjente publike, gjë që është objektive dhe e natyrshme. Për sa i përket nevojës për huamarrje të re, do të duhet të mbahet llogari sesa do të kushtojë, nga cilat burime do të bëhen këto borxhe, mendoj se prioriteti i parë duhet të jenë burimet ndërkombëtare shumëpalëshe të financimit. Para së gjithash, sa mund të tërhiqen para nga FMN-ja, Banka Botërore, Banka Evropiane e Investimeve, Banka Evropiane për Zhvillim…” – thotë akademik Bexheti.

Rëndësinë e burimit të financimit të borxhit të ri e thekson edhe Jovanoviq.

“Më shqetësojnë zërat se ato para do të vijnë nga Hungaria, që është vend anëtar që konsiderohet si një fëmijë problematik i BE-së. Prandaj çëshstja është se në çfarë kushtesh do të vijnë ato para, cili është ‘çmimi i fshehur’ i kësaj dhe natyrisht pyetja që i shqetëson qytetarët, a është kjo në një farë mënyre e lidhur me ish-kryeministrin Gruevski, i cili iku në Hungari, dhe a është ky një paralajmërim i fshehtë për kthimin e tij të mundshëm në shtet”, – thotë Jovanoviq.

Janë të domosdoshme reforma tatimore

Duke komentuar reformat e nevojshme për të rritur pjesën e të hyrave të buxhetit, edhe Bexheti edhe Jovanoviq theksojnë nevojën për ndryshime në politikat tatimore.

Sipas Bexhetit, ne jemi asimetrikë në pjesën e konvergjencës fiskale në krahasim me BE-në, ku dy të tretat e totalit të të hyrave i përkasin taksave direkte, ndërsa tek ne është vetëm një e treta.

“Ajo që, ndër të tjera, duhet ndryshuar është hyrja në fuqi e të ashtuquajturit tatimim i korporatave. Çmoj se nuk ka shumë hapësirë për të vepruar në anën e të hyrave, përveçse të mendohet për zëra të tjerë tatimorë për tatimin mbi pronën dhe tatimin mbi pasurinë. Struktura e shtresave të shoqërisë sonë tregon se rreth 15 për qind e të ardhurave totale i realizon respektivisht i krijon një për qind e popullsisë sonë, që flet për një shpërndarje të parregullt të të hyrave dhe kjo duhet të targetohet, sepse ato janë shtresat që duhet të targetohen që të paguhet në përputhje me parimin e vjeljes së taksave aty ku krijohen fitimet e jo nga shtresat e varfëra dhe të mesme”, – thotë akademik Bexheti.

Jovanoviq nga ana tjetër thekson rëndësinë e taksës progresive.

“Nevojitet një ndryshim thelbësor, kurse një pjesë e këtij ndryshimi thelbësor është që të vendoset taksa progresive, të merren paratë nga të pasurit dhe firmat e mëdha dhe ato para të orientohen kah të varfërit, por edhe për investime të rëndësishme për zhvillimin e shteti. Taksa progresive është pjesë e një pakete më të gjerë masash për vendosjen e një modeli të ri ekonomik, i cili në vend që të vazhdojë këtë status quo dhe pasurimin e një numri të vogël të njerëzve dhe të stagnimit të numrit më të madh të njerëzve, do të sjellë mirëqenie të vërtetë dhe një standard më të lartë të jetesës”, – thotë Jovanoviq.

Sa i përket parashikimeve për vitin 2024, të dy bashkëbiseduesit presin rritje ekonomike më të ulët nga ajo që është projektuar, duke lëvizur maksimalisht deri në 2.2 për qind.

 

Të fundit