Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, të hënën
ka filluar me koordinimin e parë me përfaqësues të grupeve politike parlamentare, për formimin e Qeverisë së re. Sipas informacioneve nga shërbimet parlamentare, është diskutuar kryesisht për konstituimin e komisioneve, por edhe të trupave joformalë të punës. Shërbimet parlamentare, paraprakisht njoftuan se me formimin e komisioneve parlamentare pritet për ndryshim të menjëhershëm të ligjeve me të cilat do të mundësohet shfuqizimin e disa ministrive dhe krijimin e ministritë e reja. VMRO-DPMNE dhe koalicioni VLEN synojnë të sigurojnë shumicën e nevojshme prej dy të tretave, apo 80 votat e nevojshme në Kuvend për miratimin e ndryshimeve ligjore që lidhen me riorganizimin e ministrive në Qeveri. Në anën tjetër, LSDM dhe Fronti Evropian kanë deklaruar se do të shqyrtojnë fillimisht këto ligje dhe më pas do të vendosin nëse do t’i mbështesin apo jo, transmeton KDP.MK. Këto ndryshime legjislative do të mundësojnë shfuqizimin e disa ministrive ekzistuese me krijimin e ministrive të reja.
Përgatiti: Enis Shaqiri
VMRO-DPMNE dhe koalicioni VLEN synojnë të sigurojnë shumicën e nevojshme prej dy të tretave në Kuvend për miratimin e ndryshimeve ligjore që lidhen me riorganizimin e ministrive në Qeveri. Nga ana tjetër, LSDM dhe Fronti Evropian kanë deklaruar se do të shqyrtojnë fillimisht këto ligje dhe më pas do të vendosin nëse do t’i mbështesin apo jo.
Kështu kanë deklaruar sot përfaqësuesit nga këto subjekte politike pas koordinimit të sotëm të parë zyrtar të kryeparlamentarit Afrim Gashi me përfaqësues e grupeve politike parlamentare.
Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE deklasoi se kjo është premtim parazgjedhor që ua kanë dhënë qytetarëve. Ai tha se teksti për zgjidhjen ligjore është drejt përfundimit dhe pritet të dorëzohet këto ditë.
“Aktualisht jemi duke punuar në Ligjin për organizimin e punës së organeve të administratës shtetërore, gjegjësisht ristrukturimin e ministrive të caktuara dhe pres që të marrim mbështetjen e 80 deputetëve që të funksionojë ajo që kërkohet nga qytetarët”, tha Micevski.
Nga ana tjetër, Halil Snopçe nga VLEN bëri thirrje se zgjidhja ligjore duhet të mbështetet nga partitë e bllokut opozitar, sipas tij nuk ka arsye që zgjidhjet e propozuara ligjore të mos pranohen nga LSDM dhe Fronti Evropian.
“Nuk ka asnjë arsye që të mos mbështeten. Qeveria e re me VMRO-DPMNE-në, koalicionin VLEN dhe ZNAM-in ka 78 deputetë, prandaj na duhet shumicë prej dy të tretash. Por nuk shohim arsye që të mos përkrahemi nga LSDM-ja dhe Fronti Evropian në drejtim të funksionimit normal të Qeverisë bazuar në përcaktimet programore për rikonstruimin e Qeverisë”, tha Snopçe.
Në anën tjetër, LSDM dhe Fronti Evropian do të prononcohen për ligjet për ministritë pasi të hyjnë në procedurë parlamentare.
Oliver Spasovski nga LSDM theksoi se nëse do i mbështesin ligjet, ai tha se të njëjtat fillimisht duhet të sillen në Kuvend.
“Ne duhet të shohim ligjet, çfarë shkruhet në to, cili është teksti zyrtar dhe në bazë të tij do të nxjerrim një përfundim, një vendim, si në nivel partie ashtu edhe në nivel të grupit parlamentar, nëse këto ligje do të mbështeten”, tha Spasovski.
Blerim Bexheti nga Fronti Evropian tha se qëndrimi i tyre do të shprehet pasi materialet të jenë dorëzuar para deputetëve.
“Atë ligj nuk e kemi parë ende. Kur ta shqyrtojmë, kur të arrijë te ne, do të japim mendime dhe qëndrime konkrete”, tha Bexheti.
Kryeparlamentari Gashi njoftoi se në fund të kësaj jave duhet të mbahet gjithashtu seanca e re e Kuvendit, me qëllim të verifikimit të dy mandateve të mbetura të deputetëve, të cilat nuk ishin verifikuar në Seancën Konstitutive më 28 maj të këtij viti.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, siç tha Gashi, tashmë ka dorëzuar raportin për këto dy mandate, kështu që këtë javë duhet të caktohet seanca për verifikimin e tyre, e cila do të kompletojë përbërjen e re të Kuvendit.
Shërbimet parlamentare, paraprakisht njoftuan se me formimin e komisioneve parlamentare, duke pasur parasysh synimin e qeverisë së re pritet për ndryshim të menjëhershëm të ligjeve me të cilat do të mundësohet shfuqizimin e disa ministrive dhe krijimin e ministritë e reja.
Gashi ka theksuar së fundmi se këto ndryshime janë prioritet dhe se detyra e parë e shumicës së re qeveritare do të jetë krijimi i shumicës prej dy të tretave për ri-organizimin e administratës shtetërore. Konkretisht, kjo përfshin ndryshimet kushtetuese që parashikojnë krijimin e ministrive të reja dhe ndryshimin e kompetencave të disa ministrive aktuale, siç është parashikuar në programin zgjedhor të VMRO-DPMNE-së.
Ministri i Drejtësisë në Qeverinë aktuale, Krenar Lloga thotë se: “Dhënia e përkrahjes së VLENI-it për qëllimet programore të VMRO-DPMNE-s (Programi 1198) duke ndryshuar ligje sistemore me 2/3 duke krijuar ministri/resorë për t’i zhveshur shqiptarët nga pushteti, tregon vasalitetin e tyre shembullor ”.
“Krijimi i Ministrisë për Energjetikë, Miniera dhe Burime Minerale e bën Ministrin e Ekonomisë një dekor të pavlefshëm apo, pak a shumë, si Ministër pa portofol. Njëjtë pritet të bëhet edhe me Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale duke ia marrë kompetencat mbi arsimin parashkollor, gjegjësisht çerdhet, dhe duke i çuar ato kompetenca në Ministrinë e Arsimit, e bën edhe një ministri që do ta drejtojnë shqiptarët të pavlerë”, shkruan Lloga.
Ndryshe, ministritë e reja pritet të jenë: për Sport, për Transformim Digjital dhe për Energji, Miniera dhe Burime Minerale.
Disa nga ato ekzistuese gjithashtu pritet të transformohen. Ministria e Ekonomisë pritet të bëhet ministri e Ekonomisë dhe Punës, ndërsa Ministria e Punës dhe Politikës Sociale të bëhet Ministri e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë. Në Ministrinë e Kulturës do të shtohet edhe sektori i turizmit.
Seanca parlamentare për ndryshimin e ligjeve duhet të organizohet para se të thirret ajo për formimin e strukturës së re të qeverisë, duke pasur parasysh këtu se mes VLEN-it dhe VMRO-DPMNE-së negociatat për ndarjen e resorëve në qeverinë e re, tashmë janë në fazën e përfundimit.
Për të ndryshuar kabinetin qeveritar siç parashikohet në programin e VMRO-DPMNE-së
“1198”, dhe për të miratuar ligjet sistematike për organizimin e punës së organeve të shtetit, është e nevojshme mbështetja e dy të tretave të shumicës parlamentare në Kuvend. Gashi për këtë thotë se janë siguruar 80 deputetë dhe se ndryshimi i ligjit sistematik për ri-organizimin në qeveri është pothuajse punë e kryer.
“Do të përpiqemi, së bashku me të gjitha partitë politike, të biem dakord që ky ligj të jetë një nga të parët që do të vihet në seancën plenare”, ka thënë Gashi për Radio Evropën e Lirë.
Ndryshe, nga VMRO-DPMNE kanë njoftuar se formimi i qeverisë së re pritet të përfundojë deri më 20 qershor. Koalicioni VLEN, me 14 deputetë, dhe Lëvizja ZNAM, me 6 deputetë, pritet të jenë pjesë e kësaj qeverie. Duke i shtuar edhe 58 mandatet e VMRO-s, numri total i kësaj garniture qeveritare arrin në 78.
Fonti Evropian i cili fitoi 19 mandate në zgjedhjet e 8 majit por pas rivotimit me 22 maj mbeti me 18 deputetë, kundërshton këtë veprim duke e quajtur “majorizim” nga pala maqedonase sepse po merret në pushtet partia me më pak deputetë, dhe ka lajmëruar se do të ndërmerr masa për të ndaluar këtë.