E hënë, 21 Prill, 2025

AFRIM GASHI ZGJIDHJET KRYETAR I RI I KUVENDIT TË RMV-së

Me 76 vota për, 6 kundër dhe asnjë abstenim, Afrim Gashi është zgjedhur kryetari i ri i Kuvendit të RMV-së, transmeton KDP.MK. Gashi pati mbështetje të koalicioni “Maqedonia juaj” e udhëhequr nga VMRO-DPMNE, koalicionit VLEN si dhe të lëvizjes ZNAM. Deputetët e Frontit Evropian, nuk morën pjesë në procesin e votimit.

Përgatiti: Enis Shaqiri

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut të martën mbajti seancën konstituive të përbërjes së re parlamentare. Kjo përbërje, e njëmbëdhjeta me rradhë, është rezultat i zgjedhjeve parlamentare të rregullta që u mbajtën më datën 8 maj.

Në rendin e ditës ishin katër pika, zgjedhja e Komisionit Verifikues, Verifikimi i mandateve të deputetëve të rinj, zgjedhja e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, si dhe zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit. Për postin e kryetarit të Kuvendit u zgjodh Afrim Gashi nga Alternativa, pjesë e koalicionit VLEN.

Pas dhënies së betimit, Gashi tha se detyrën e kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut do ta kryejë me “përkushtim, në të mirë të vendit dhe të qytetarëve duke respektuar në maksimum të drejtën e lirisë së shprehjes të të zgjedhurve të popullit”.

Gashi deri të hënën ka qenë kryetar i partisë Alternative, kur dha dorëheqje pas nominimit të tij për kryetar të Kuvendit.

Sipas dispozitave në fuqi, kryetari i Kuvendit nuk mund të jetë edhe kryetar partie, apo bartësi i funksioneve tjera në ndonjë subjekt politik.

Për kandidaturën e Gashit votuan deputetët e VMRO DPMNE-së, të koalicionit VLEN dhe lëvizjes ZNAM ndërsa kundër ishin gjashtë deputetët e partisë E Majta, të cilët akuzuan VMRO DPMNE për “tradhti” dhe “kosovarizimin” e institucionit ligjvënës.

Deputetët e Frontit Evropian, të udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim, nuk morën pjesë as në procesin e votimit dhe as në debatin që zgjati rreth katër orë.

Gashi ka qenë deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut në dy mandate 2016-2020 dhe 2020-2024.

Verifikohen mandatet e 118 deputetëve

Në kuadër të seancës konstituive, Kuvendi me 101 vota “pro” nga gjithsej 117 të pranishëm gjithashtu miratoi edhe raportin e Komisionit Verifikues, duke verifikuar mandatet e 118 deputetëve.

Me këtë iu dha fund mandati i deputetëve të Kuvendit të vjetër. Deputetët e rinj që mbajnë poste të tjera gjithashtu u ka pushuar detyrën.

Gjithsej gjashtë deputetëve u pushon funksioni në pozitat e tyre në Qeveri, kështu që Qeveria do të kryejë vetëm funksione teknike deri në zgjedhjen e qeverisë së re.

Talat Xhaferi, i cili mban pozitën e kryeministrit në Qeverinë teknike, nuk ishte pjesë në punimet e Kuvendit, për arsye se nuk  mund të mbajë dy pozita në të njëjtën kohë, atë të deputetit dhe të kryeministrit.

Kryesuesja e seancës ishte Merita Kollçi Koxhaxhiku, si deputetja më e vjetër në Kuvend. Paraprakisht në votim u vendos Komisioni për verifikim, ku vetëm gjashtë deputetë ishin kundër përzgjedhjes së këtij Komisioni, të gjashtë nga e Majta.

Për kryetare të komisionit u zgjodh Dafina Stojanovska nga VMRO-DPMNE, ndërsa anëtarë Bllagica Lasovska, Daniela Nikolova, Diana Toska dhe Bekim Sali.

Stojanovska, tha se Komisioni ka shqyrtuar raportet e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për zgjedhjet dhe rivotimet në njësitë zgjedhore 5 dhe 6, si dhe deklaratën e Bilall Kasamit, në të cilën kërkon që mandati i tij të mos të verifikohet dhe se në bazë të kësaj janë zgjedhur gjithsej 118 deputetë.

Ndryshe, pas konstituimit të Kuvendit, në afat prej dhjetë ditëve presidentja e re e shtetit, Gordana Silanovska-Davkova pritet të dekretojë kreun e VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski si mandatar për formimin e Qeverisë së re.

Në përbërjen e re parlamentare, koalicioni “Maqedonia juaj” e udhëhequr nga VMRO-DPMNE do të ketë 58 deputetë, Fronti Evropian që udhëhiqet nga BDI-ja, 18 deputetë, aq sa edhe Lidhja Social Demokrate (LSDM) e udhëhequr me koalicioni Për një të ardhme evropiane, ndërsa koalicioni VLEN 14. Nga gjashtë deputetë kanë lëvizja ZNAM dhe partia E Majta.

Procedurat e ankimimit për rivotimin e fundit në fshatin Llërcë të Zhelinës janë ende në vazhdim dhe nuk dihet nëse VLEN do ta mbajë mandatin.

VMRO DPMNE-ja dhe koalicioni VLEN, thonë se tashmë kanë përfunduar bisedimet për bashkëqeverisje dhe për ndarjen e posteve ministrore në Qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut, por marrëveshja nuk do të bëhet e ditur pa mbylljen e bisedimeve edhe me lëvizjen ZNAM, që pritet gjithashtu të jetë pjesë e ekzekutivit të ardhshëm.

Partitë që përbëjnë Frontin Evropian të udhëhequr nga BDI-ja vlerësojnë se shumica e re parlamentare mes VMRO DPMNE-së dhe koalicionit VLEN, nuk pasqyron realitetin etnik, pasi “përfaqësues legjitim i shqiptarëve është Fronti Evropian”, sipas drejtuesve të tij.

Elmi Aziri, deputetët i këtij koalicioni, tha se “shkelja e legjitimitetit të shqiptarëve do të shkaktojë krizë të thellë politike në Maqedoninë e Veriut”.

Besoj se ende nuk janë në sipërfaqe numrat e shumicës nëse ndodh ajo që po përflitet në opinion se do të ketë koalicion mes VMRO dhe VLEN-it. Besoj se do të na shfaqet problem i krizës së thellë të legjitimitetit dhe pastaj shtrohet pyetja se çka t’i bëjmë ne legjitimitetit që e kemi marrë prej qytetarëve andaj vlerësoj se duhet mirë t’i vlerësojmë gjërat përpara se të marrim vendime”, ka thënë Elmi Aziri nga Fronti Europian.

Bazuar në paralajmërimet e VMRO DPMNE-së, Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut pritet të zgjidhet më së voni deri më 20 qershor.

 

 

Të fundit