Punëtorët shëndetësorë palestinezë kanë thënë se sulmet ajrore izraelite kanë lënë të vdekur të paktën 35 persona të dielën, si dhe kanë goditur tendat e personave të zhvendosur në qytetin jugor Rafah, transmeton KDP.MK, njoftimet e agjencive të lajmeve.
Shumë persona tjerë është raportuar të jenë përballur me flakët e zjarrit.
Ministria e Shëndetësisë së Gazës ka thënë se gratë dhe fëmijët përbëjnë numrin më të madh të të vdekurve dhe plagosurve.
Për këto sulme raportohet dy ditë pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka urdhëruar Izraelin për t’i dhënë fund ofensivës ushtarake në Rafah, ku më shumë se gjysma e popullsisë 2.3 milionëshe të Gazës është strehuar, para se të niste ofensiva izraelite aty, më herët gjatë këtij muaji.
Dhjetëra mijëra njerëz vazhdojnë të jenë ende në Rafah, ndërsa shumë të tjerë kanë ikur.
Pamjet prej skenës së sulmit ajror izraelit kanë shpërfaqur shkatërrim të madh.
Izraeli: Sulm ajror në një territor të Hamasit
Ushtria izraelite e ka konfirmuar sulmin dhe ka thënë se ka goditur instalime të Hamasit – grupit palestinez të shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian – dhe që ka vrarë dy militantë të lartë të grupit.
Sulmi ajror është realizuar disa orë pasi Hamasi ka thënë se ka nisur një mori raketash prej Gazës deri në Tel Aviv të Izraelit, si shenjë qëndrese pas më shumë se shtatë muajve, prej kur ka nisur ofensiva ajrore dhe tokësore e Izraelit.
Izraeli nuk ka raportuar për ndonjë viktimë apo dëm nga raketat e Hamasit dhe ka thënë se disa prej tyre janë kapur dhe shkatërruar në ajër.
Sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës, lufta në mes të Izraelit dhe Hamasit ka lënë të vrarë rreth 36.000 palestinezë.
Të premten e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare në Hagë ka kërkuar nga Izraeli t’i japë fund pa vonesë misionit ushtarak në qytetin e Rafahut. Vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare janë të detyrueshme për t’u zbatuar, por gjykatësit e GJN nuk kanë fuqi e mjete të detyrojnë një shtet të zbatojë vendimet e tyre. Të dieln Hamasi për herë të parë qëlloi me raketa në hapësirën e Tel Avivit. Raketat me gjasë vinin nga qyteti i Rafahut.