Një zëdhënës i Komisionit Evropian i ka thënë portalit “euractiv.com” se Marrëveshja e Prespës midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut e vitit 2018 duhet të zbatohet nga “të gjitha palët” dhe me “vullnet të mirë” mes një zënke të re ndërmjet Athinës dhe Shkupit që kërcënon ringjalljen e kontestit 25-vjeçare, – përcjell kdp.mk.
Kriza e re diplomatike midis dy vendeve shpërtheu pasi presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, e cila vjen nga partia nacionaliste VMRO-DPMNE, refuzoi të përdorte emrin zyrtar të vendit gjatë inaugurimit të saj më 12 maj,- shkruan Euractiv.
Siljanovska e quajti vendin “Maqedoni” në vend se Maqedonia e Veriut, emri zyrtar kushtetues pas marrëveshjes së vitit 2018 për ndryshimin e emrit me Greqinë, e njohur ndryshe si Marrëveshja e Prespës.
Incidenti nxiti reagime në Evropë dhe në SHBA, me ç’rast shumëkush druan nga ringjallja e kontestit që shihet si një plagë e hapur për rajonin e Ballkanit.
Zjarrin e forcoi edhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i cili deklaroi se vendin e tij do ta quajë si të dojë. Mickoski madje i bëri thirrje Greqisë që të ankohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, siç është parashikuar në nenin 19 të Marrëveshjes, në rast se konsideron se kjo është shkelje e Marrëveshjes së Prespës.
Marrëveshja e Prespës i hapi rrugën Maqedonisë së Veriut që të hyjë në NATO dhe të fillojë negociatat për anëtarësim në BE. Mirëpo, në mesin e krizës së re, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis (Demokracia e Re, PPE) u kanos se do të vë veto në rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së nëse Shkupi nuk respekton marrëveshjen për ndryshimin e emrit.
Lideri grek theksoi gjithashtu se tre protokollet e bashkëpunimit që janë në vazhdë, si pjesë e Marrëveshjes së Prespës e që partia në pushtet i shmangu për shkak të kundërshtimit të disave në radhët e saj, nuk do të kalojnë në Kuvend.
“Nëse dikush mendon se mund ta shpërfillë Marrëveshjen [e Prespës], duhet ta dijë se rruga e tyre drejt Evropës do të mbetet e mbyllur dhe se protokollet nuk do të ratifikohen nëse nuk respektohet ajo që e parashikon Marrëveshja”, – tha Mitsotakis.
Partia socialiste Pasok e Greqisë, e cila është në vendin e tretë në sondazhe, tha gjithashtu se nuk do të japë dritën jeshile për ratifikimin e protokolleve që po presin.
Nga ana e tij, Komisioni Evropian thotë se “të gjitha palët” duhet t’i përmbahen Marrëveshjes.
“Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimi rajonal mbeten thelbësore për procesin e zgjerimit. Marrëveshjet ekzistuese dypalëshe duhet të zbatohen me vullnet të mirë të të gjitha palëve, përfshirë këtu edhe Marrëveshjen e Prespës ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë”, – citon kdp.mk deklaratën e zëdhënësit të Komisionit Evropian për euractiv.com
Tre protokollet që presin
Ratifikimi i tre protokolleve shkaktoi polemikë politike në Athinë.
Protokollet, të cilat janë pjesë e Marrëveshjes së Prespës, kanë të bëjnë me përgjegjësitë e Greqisë në lidhje me kontrollin e hapësirës ajrore të Maqedonisë së Veriut dhe i sigurojnë Shkupit trajnim dhe njohuri për çështjet e BE-së.
Partia kryesore opozitare majtiste Syriza, e cila nënshkroi Marrëveshjen e Prespës, tani po mundohet të rrisë presionin mbi partinë Demokracia e Re në pushtet duke paraqitur një propozim në parlamentin grek për ratifikimin e memorandumeve që presin. Kur ishte në opozitë, Partia Demokracia e Re kundërshtoi me vendosmëri Marrëveshjen e Prespës, por premtoi se do ta respektonte atë kur të vinte në pushtet në 2019.
Familja politike e Demokracisë së Re në BE, Partia Popullore Evropiane (EPP) e qendrës së djathtë, e mbështeti marrëveshjen më 2018, duke u zemëruar me VMRO-DPMNE-në, gjithashtu një anëtare e PPE.
Një burim nga EPP i tha Euractiv javën e kaluar se pas zgjedhjeve për në BE, në qershor, do të ketë një “pastrim gjeneral të shtëpive” lidhur me anëtarësimin e disa partive dhe se partia VMRO-DPMNE “i prinë listës”, – pohon euractiv.com.
Ndërkohë, ish-kryeministri i Greqisë dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Alexis Tsipras (Syriza) dhe Zoran Zaev, janë inkuadruar, duke thënë se së shpejti do të marrin iniciativa për të shpëtuar Marrëveshjen e Prespës. /https://www.euractiv.com/section/politics/news/eu-commission-urges-skopje-athens-to-stick-to-name-change-deal/