Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi dhe shoqëruesit e tij, përfshirë ministrin e
Jashtëm, Hossein Amir-Abdollahian, janë gjetur të vdekur në vendin ku të
dielën, në veriperëndim të Iranit, u rrëzua helikopteri me të cilin po udhëtonin. Televizioni shtetëror i Iranit raportoi më 20 maj se helikopteri u rrëzua si pasojë e motit të keq. Kabineti i Raisit është duke e mbajtur një takim emergjent, sipas
mediave shtetërore, – përcjell KDP njoftimin e Radios Evropa e Lirë.
Ligji iranian thekson se, nëse vdes presidenti, atëherë pushteti i kalohet
zëvendëspresidentit të parë. Një këshill, i përbërë nga kryetari i Parlamentit,
kryetari i Gjyqësorit dhe nga zëvendëspresidenti i parë, duhet ta organizojë emërimin e presidentit të ri brenda 50 ditëve.
Mohammad Mokhber është zëvendëspresidenti i parë i tanishëm i Iranit. Ekipet e shpëtimit, të ndihmuara nga disa qeveri të huaja, bënë përpjekje të
mëdha për ta gjetur helikopterin, i cili ishte rrëzuar si pasojë e gjendjes së keqe në pjesën bjeshkore të vendit më 19 maj.
Helikopteri i Raisit po kthehej nga qyteti Tabriz kur u rrëzua në afërsi të qytetit
Jolfa. Televizioni shtetërore e kishte përshkruar si “ulje të vrazhdët”, por disa
media raportuan, me burime qeveritare, se helikopteri u rrëzua derisa po e kalonte një fushë bjeshkore dhe malore.
Qeveria e Iranit tha se ai ishte njëri nga tre helikopterët që po fluturonin së bashku dhe se dy të tjerët ateruan në mënyrë të sigurt në Tabriz. Raisi dhe Amir-Abdollahian udhëtuan në Azerbajxhan më 19 maj, për ta përuruar një digë me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.
Aliyev shkroi në rrjetin social X se Azerbajxhani u “shqetësua pafundësisht” nga lajmi për rrëzimin e helikopterit të Raisit.
Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, i ka bërë homazhe presidentit të ndjerë Raisi. Në një postim në X, Udhëheqësi Suprem postoi një foto të tij dhe Raisit me një mesazh të shkurtër duke iu referuar imam Rezës, Imamit të tetë të islamit shiit që është një figurë të nderuar në Iran.
Raisi u zgjodh president më 2021 dhe prej atëherë i kishte ashpërsuar kufizimet
ndaj iranianëve, përmes zbatimit të detyrueshëm të ligjeve të moralit dhe përmes një lufte të përgjakshme kundër protestave antiqeveritare, të cilat ishin nxitur nga vdekja e Mahsa Aminit në paraburgimin policor për gjoja shkeljen e ligjit për bartjen e shamisë së kokës.
Ai kishte bërë përpjekje të mëdha në bisedimet bërthamore me fuqitë botërore,
duke e lejuar vendin e vet ta rrisë dukshëm njëkohësisht edhe programin e vet
për uranium të pasuruar. Ende nuk dihet se kur dhe ku do të varroset Raisi.