E hënë, 21 Prill, 2025

REAGIME NË GJERMANI: “DEKLARATË FATKEQE DHE RREZIKSHME E SILJANOVSKA-DAVKOVËS”

Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova bëri precedent të cilin qeveria e ardhshme e VMRO-DPMNE-së nuk guxon ta përsërisë, reagojnë deputetët gjermanë për mospërdorimin e emrit kushtetues nga presidentja e sapozgjedhur, – përcjell kdp.mk njoftimin e seksionit maqedonas të DW-së.

Vendimi i presidentes së sapozgjedhur Gordana Siljanovska-Davkova që gjatë bërjes së betimit  në Parlament të mos e përdorë emrin Maqedonia e Veriut ka shkaktuar reagime te deputetët të Bundestagut gjerman.

MPJ-ja gjermane porositi që të hënën se Marrëveshja e Prespës duhet patjetër të respektohet, ndërsa deputetë kryesorë i thanë Deutsche Welle-s se presidentja e re e Maqedonisë së Veriut ka krijuar një precedent të rrezikshëm.

Sipas deputetit të Liberalëve në pushtet (FDP) i ngarkuar për çështjet evropiane, Tomas Haker, veprimi i Siljanovska-Davkovës është “fatkeq dhe për keqardhje”. Ai shton se, në këtë kontekst, ka mirëkuptim për vendimin e ambasadores greke për të braktisur inaugurimin.

“Rruga evropiane e Maqedonisë së Veriut, edhe para deklaratës së presidentes së re, ishte mjaft e vështirë. Dhe është e vërtetë që edhe BE-ja mban një pjesë të fajit për rrugën e ngadaltë të vendit drejt BE-së.

Mirëpo, nëse edhe qeveria e re iu bashkohet provokacioneve të presidentes, deklaratat e tilla do të jenë në kundërshtim me Marrëveshjen e Prespës. Dhe kjo do të jetë një prapambetje e madhe në rrugën drejt BE-së”, – thotë Hacker

Ndezje e panevojshme e kontestit

Dënim i drejtpërdrejtë i deklaratave të presidentes Siljanovska – Davkova erdhi edhe nga partia simotër e VMRO-DPMNE në Gjermani, CDU-ja opozitare. Deputeti i Partisë Demokristiane dhe kryetari i politikës së jashtme Jürgen Hart thotë se Brukseli duhet t’i dërgojë mesazh të qartë Siljanovskës dhe VMRO-DPMNE-së se një politikë e tillë nuk do të tolerohet.

“Rindezja e kontestit për emrin e Maqedonisë së Veriut është krejtësisht e panevojshme dhe e rrezikshme. Presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, Siljanovska – Davkova, në postin e saj është po aq e detyruar të respektojë kompromisin mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, sa ishte edhe pararendësi i saj”, thotë Hart dhe shton:

“BE-ja duhet t’i dërgojë një sinjal të qartë presidentes, si dhe partisë fituese në zgjedhje, VMRO-DPMNE-së, se rruga e Maqedonisë së Veriut drejt mirëqenies  dhe lirisë, si dhe në BE, çon ekskluzivisht përmes respektimit të kompromisit të arritur me Greqinë”.

Pas reagimeve të shumta në opinion, kabineti i Gordana Siljanovska – Davkovës kumtoi të hënën se “presidentja do të respektojë aplikimin zyrtar të emrit kushtetues”. Nga aty shtuan se presidentja e ka nënshkruar deklaratën zyrtare për marrjen e detyrës me emrin kushtetues – Republika e Maqedonisë së Veriut, dhe ajo edhe në të ardhmen do ta përdorë këtë emër.

Prapëseprapë, Gordana Siljanovska-Davkova mbetet në qëndrimin se “presidentja maqedonase ka të drejtë të përdorë emrin Maqedoni, si akt i të drejtës personale për vetëvendosje dhe vetidentifikim, duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe në përputhje me vlerat dhe parimet evropiane”./DW/

Të fundit