Zgjedhjet presidenciale më 24 prill do të jenë të shtatat që nga pavarësia e shtetit. Në kolltukun presidencial deri tani u ulën pesë presidentë. Presidenti i parë ishte Kiro Gligorov dhe Gjorge Ivanov funksionin presidencial e kanë kryer në dy mandate, ndërsa nga një mandat kishin Boris Trajkovski dhe Branko Cërvenkovski, si dhe Stevo Pendarovski, i cili sërish kandidohet për shef të shtetit.
Mandati i parë i presidentit Kiro Gligorov ishte dhënë në bazë të zgjedhjeve nga ana e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, sipas vendimeve të atëhershme kushtetuese, ndërsa trashëgimtarët e tij u zgjodhën në zgjedhje të drejtpërdrejta.
Zgjedhjet e para presidenciale në Republikën e Maqedonisë u mbajtën më 16 tetor të vitit 1994, njëkohësisht me zgjedhjet parlamentare. Në zgjedhje morën pjesë dy kandidatë, ndërsa në raundin e parë fitoi Kiro Gligorov me 715.087 vota, përkatësisht 78,4 për qind, si kandidat i koalicionit të udhëhequr nga LSDM-ja. Kundërshtari i tij, Lubisha Georgievski, i mbështetur nga VMRO-DPMNE, ka fituar 197.109 vota, pra 21,6 për qind.
Zgjedhjet e dyta presidenciale në Republikën e Maqedonisë të pavarur u mbajtën në vitin 1999. Presidenti i atëhershëm Kiro Gligorov nuk u kandidua në këto zgjedhje, ndërsa fitoi Boris Trajkovski, kandidat i VMRO-DPMNE-së. Në raundin e parë morën pjesë kandidatët – Muarem Nexhipi, Vasil Tupurkovski, Muhamed Halili, Tito Petkovski, Stojan Andov dhe Boris Trajkovski. Në raundin e dytë fitoi Boris Trajkovski me 582.808 vota, ndërsa Tito Petkovski fitoi 513.614 vota, ose 52,40 për qind kundrejt 46,18 për qind.
Zgjedhjet e treta presidenciale në vitin 2004 u mbajtën para kohe për shkak të vdekjes së presidentit Boris Trajkovski. Raundi i parë u mbajt më 14 prill 2004 dhe i dyti më 28 prill 2004. Në zgjedhje morën pjesë katër kandidatë – Branko Cërvenkovski i mbështetur nga LSDM, Sashko Kedev nga VMRO-DPMNE, Gëzim Ostreni nga BDI, Zudi Xhelili nga PDSH. Në këto zgjedhje fitoi Branko Cërvenkovski me 550.317 vota ose 62,6 për qind ndaj Sashko Kedevit me 329.179 vota ose 37,4 për qind.
Zgjedhjet e katërta presidenciale u mbajtën më 22 mars dhe 5 prill të vitit 2009, në të njëjtën kohë me zgjedhjet për vetëqeverisjen lokale. Në zgjedhje morën pjesë shtatë kandidatë – Gjorge Ivanov i mbështetur nga VMRO-DPMNE, Lubomir Fërçkoski nga LSDM, Imer Selmani nga Demokracia e Re, Lube Boshkoski si kandidat i pavarur, Agron Buxhaku nga BDI, Nano Ruzhin nga PLD dhe Mirushe Hoxha nga PDSH. Në këto zgjedhje presidenciale fitoi Gjorge Ivanov me 453.616 vota ose 63.14 për qind.
Zgjedhjet e pesta presidenciale u mbajtën më 13 dhe 27 prill të vitit2014. Njëkohësisht me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale u mbajtën edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Raundi i dytë u zhvillua më 27 prill 2014. Në të u plasuan kandidatët Gjorgje Ivanov dhe Stevo Pendarovski. Në këto zgjedhje të pesta presidenciale, kandidati i VMRO-DPNME-së, Gjorgje Ivanov, fitoi me 534.910 vota ndaj kandidatit të LSDM-së, Stevo Pendarovski me 398.077 vota. Përveç Pendarovskit dhe Ivanovit, në këto zgjedhje presidenciale kanë marrë pjesë edhe Zoran Poposki i mbështetur nga GROM dhe Iljaz Halimi nga PDSH.
Zgjedhjet e gjashta presidenciale u mbajtën më 21 prill dhe 5 maj të vitit 2019, në të cilat Stevo Pendarovski fitoi me 435.656 vota ose 53,59 për qind. Këto ishin zgjedhjet e para pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Prespës, e cila zgjidhi kontestin e emrit me Greqinë dhe vendi u emërua Republika e Maqedonisë së Veriut. Në ato zgjedhje presidenciale, përveç Stevo Pendarovskit, morën pjesë Gordana Siljanovska Davkova nga VMRO-DPMNE dhe Blerim Reka, i mbështetur nga Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA. /MIA