E shtunë, 20 Korrik, 2024

SPIROPALI REAGON NDAJ ALIBEAJT: PS NUK KA ÇFARË NEGOCION FSHEHURAZI

Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali reagoi sot ndaj deklaratave të Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Enkelejd Alibaj,i cili u shpreh sot se, PS duhet të sqarojë nëse ka vendosur të bëjë pazar për Reformën Zgjedhore, raporton ATSH.

“Partia Socialiste nuk ka çfarë negocion fshehurazi me opozitat kuvendore. Hamendjet mediatike lidhur me një negociatë sipas disave për të qetësuar harbimin e rrugicës së dëshpërimit apo sipas disa të tjerëve për të vrarë të vetëvrarin Lul janë pa asnjë bazë”, u shpreh Spiropali në një postim në rrjetet sociale.

Konkretisht, theksoi Spiropali, “ne kurrë s’kemi penguar ngritjen e komisioneve hetimore, po bazuar në udhërrëfimet e Gjykatës Kushtetuese kemi refuzuar të votojmë për pseudo-komisione në shkelje të Kushtetutës. Çdo kërkesë për komision hetimor brenda kornizës kushtetuese është i mirëseardhur”.

“Sa për Komisionin e Reformës Zgjedhore opinioni ynë është publik dhe është shprehur ka kohë edhe nga vetë kryeministri. Thelbi është i thjeshtë fare: Komision Bipartizan me shumë Partiskanë ku secili do të nxjerrë nga qeleshja e vet një reformë sipas oreksit të vet, nuk kemi se si gënjejmë veten se bëhet dot”, u shpreh Spiropali.

“Kështu që edhe po të donim të negocionim gjësendi me rrugicën e dëshpërimit nuk do ta gjenim dot çfarë mund të ishte, ndërkohë që në Parlament ne shkojmë për të votuar ligje, ndërsa opozitat për t’i debatuar ato me ne. Kur opozitat s’duan të debatojnë po të harbojnë, ne votojmë dhe vazhdojmë punët e tjera”, nënvizoi ministrja Spiropali.

“Kaq është e gjitha dhe megjithë keqardhjen e madhe për degradimin e opozitave, nuk kemi asnjë mundësi t’u vijmë në ndihmë as atyre që ulërijnë nga pagjumësia, as atyre që flasin në gjumë”, përfundoi reagimin e saj Spiropali.

Të fundit