“Tani e kemi mundësinë që së bashku të forcojmë demokracinë konsensuale në mënyrë kushtetuese, tani mund të sigurojmë njërin nga tre postet kryesore shtetërore që me automatizëm t’i takojë shqiptarëve”
Një nga tre postet më të rëndësishme shtetërore në Maqedoninë e Veriut – presidenti, kryeministri apo kryetari i Kuvendit – duhet t’i takojë shqiptarëve dhe kjo duhet të jetë pjesë e Kushtetutës, tha Arben Taravari.
Taravari, që është kandidat i opozitës shqiptare për president të Maqedonisë së Veriut, tha se kjo mund të bëhet me ndryshimin e preambulës së Kushtetutës, përmes një procedure parlamentare.
Në një konferencë për media të mërkurën mbrëma në Tetovë, Taravari tha se ndryshimi i Kushtetutës duhet të bëhet për përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutën aktuale, që është kusht integrimin e shtetit në Bashkimin Evropian.
Veç kësaj, Taravari tha se ndryshimi duhet të përfshijë edhe heqjen e termit “20 për qind” për gjuhën shqipe apo ridefinimin e saj si “gjuhë shqipe”, si dhe zgjedhjen e presidentit në të ardhshëm nga ana e Kuvendit, dhe jo përmes zgjedhjeve të drejtpërdrejta.
“Tani e kemi mundësinë që së bashku të forcojmë demokracinë konsensuale në mënyrë kushtetuese, tani mund të sigurojmë njërin nga tre postet kryesore shtetërore që me automatizëm t’i takojë shqiptarëve si kombi i dytë shumicë në Maqedoni [të Veriut]”, tha kandidati për president i opozitës shqiptare.
Ai ftoi që programi i tij të mbështetet edhe nga partitë tjera, e në veçanti nga Bashkimi Demokratik për Integrim, që është në pushtet.
Deklarata e tij vjen në momentin kur Lidhja Social Demokrate (LSDM) në pushtet njoftoi të mërkurën se kryesia partiake ka vendosur që presidenti aktual, Stevo Pendarovski, të jetë kandidat i saj për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 24 prill.
Ndërkohë, partia opozitare maqedonase VMRO DPMNE, njoftoi përmes një komunikate se deputetja e kësaj partie, Gordana Siljanovska-Davkova, është e vetmja që ka paraqitur kandidaturën për presidente.
Siljanovska-Davkova garoi edhe në zgjedhjet e fundit presidenciale në vitin 2019, të cilat i fitoi Stevo Pendarovski.
Nëse ajo do të hyjë për herë të dytë në garën presidenciale do të dihet pas konventës së partisë më 2 mars.
Nga Bashkimi Demokratik për Integrim kanë bërë të ditur se kryetar i saj, Ali Ahmeti të enjten më 22 shkurt do të njoftojë kandidatin e kësaj partie për president.
Zgjedhjet për president të Maqedonisë së Veriut do të mbahen në dy runde, i pari më 24 prill, ndërsa rundi i dytë do të mbahet së bashku me zgjedhjet parlamentare, më 8 maj./REL