Autori i “Njëqind vjet vetmi” kryeson listën e atyre që janë më të përkthyer në këtë shekull duke e tejkaluar në dhjetë gjuhë krijuesin e“Don Kishotit”
Nga Sam Jones, The Guardian
Përktheu: Granit Zela
Banorët e vetmuar të Makondos duket se dolën të jenë të papërballueshëm nga kalorësi i krisur jashtëzakonisht i famshëm, sipas një studimi që tregon se Gabriel García Márquez-i e ka kaluar Servantesin për t’u bërë shkrimtari më i përkthyer i shekullit nga gjuha spanjolle deri më tani. Megjithatë, gjeniu që i dha botës Don Kishotin – bashkë me të romanin e parë modern dhe një model të idealizmit jopraktik – mund të ngushëllohet me faktin se ai mbetet shkrimtari më i përkthyer nga spanjishtja gjatë tetë dekadave të kaluara.
Ky përfundim u arrit pasi Instituti Servantes, i cili promovon gjuhën dhe kulturën spanjolle në mbarë botën, filloi të grumbullonte të dhëna për të krijuar Hartën e re të Përkthimit Botëror. Me qëllimin për të krijuar një panoramë të shkrimtarëve në gjuhën spanjolle që po përktheheshin më gjerësisht në dhjetë gjuhë të ndryshme – arabisht, kinezisht, anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, japonisht, portugalisht, rusisht dhe suedisht – instituti përdori të dhënat onlajn të qendrave kompjuterike të Bibliotekës WorldCat, e cila përmban 554,858,648 regjistrime bibliografike në 483 gjuhë.
Duke përdorur këto të dhëna, ka krijuar një hartë të veprave të përkthyera nga spanjishtja nga viti 1950 deri në ditët e sotme. Data e fillimit u zgjodh për të marrë parasysh el-boom-in, kur shkrimtarët e Amerikës Latine si García Márquez, Mario Vargas Llosa, Carlos Fuentes dhe Julio Cortázar, morën famë ndërkombëtare në vitet 1960 dhe 1970.
Raquel Caleya, drejtuesja e kulturës në Institutin Servantes, tha se harta do të zgjerohet në të ardhmen për të përfshirë sa më shumë gjuhë të jetë e mundur. “Ideja ishte që të sistemoheshin të gjitha të dhënat për ta bërë informacionin të gjetshëm për publikun,” tha ajo. “Donim të ndihmonim studiuesit – dhe këdo të interesuar – për të analizuar dhe krijuar dhe përfytyrua sasi të mëdha informacioni në një mënyrë më të efektshme. Do të na lejojë të dimë se çfarë lexojnë njerëzit, çfarë kanë lexuar – dhe t’u bëjmë homazhe të gjithë përkthyesve që po punojnë për të shpërndarë libra të përkthyer nga spanjishtja që nga viti 1950. Caleya tha se përveç identifikimit të prirjeve, harta do të ndihmojë gjithashtu Institutin Servantes të zhvillojë politika për të siguruar që autorët që shkruajnë në spanjisht të jenë të arritshëm për lexuesit në të gjithë botën.
Një vështrim në dhjetë autorët më të përkthyer në dhjetë gjuhë nga viti 2000 deri në vitin 2021 tregon se García Márquez-i është në vendin e parë, i ndjekur nga Isabel Allende, Jorge Luis Borges, Mario Vargas Llosa, Cervantes, Carlos Ruiz Zafón, Arturo Pérez-Reverte, Luvedais, Roberto Bolaño dhe Javier Marías.
Sidoqoftë, rezultatet në të gjithë kornizës kohore të hartës duken mjaft të ndryshme. Servantesi ia zë García Márquez-it në vendin e parë, me fituesin kolumbian të çmimit Nobel që lë pas Allende, Borges, Vargas Llosa, Federico García Lorca, Pablo Neruda, Fuentes, Pérez-Reverte dhe Ruiz Zafón-in.
Harta e viteve 2000-2021 zbulon gjithashtu dallime interesante midis gjuhëve. Regjisori dhe shkrimtari kiliano-francez Alejandro Jodorowsky është shkrimtari më i përkthyer nga gjuha spanjolle në frëngjisht, ndërsa dy shkrimtarët më të përkthyer në anglisht janë Allende dhe autorja spanjolle për fëmijë Isabel Sánchez Vegara.
Manuel Vázquez Montalbán, i cili krijoi detektivin Pepe Carvalho si kronikan të Spanjës që ndryshon, hyn në dhjetëshen e parë vetëm në Itali, ku Andrea Camilleri e quajti detektivin e tij, “Inspektor Montalbano”, për nder të shkrimtarit spanjoll.
Caleya tha se ndërsa Allende ishte shumë mirë në renditje, gratë në tërësi ishin të papërfaqësuara si duhet në hartë. Dhjetë autoret kryesore femra janë: Allende; Sánchez Vegara; Shën Tereza e Avilës; Laura Esquivel; Alma Flor Ada; Anna Llimós Plomer; Almudena Grandes; Paloma Navarrete; Motra Juana Inés de la Cruz dhe Zoé Valdés.
“Gratë mungojnë, kjo është arsyeja pse do të donim të kërkonim dhe të gjenim më shumë, megjithëse ka disa në renditje”, tha Caleya. Ajo tha se ishte gjithashtu interesante të shihje se si kishin ecur ndër vite emrat e mëdhenj të el Boom-it. “Po kështu mund të shihni se disa autorë të el boom-it me kalimin e vieteve ecin më mirë se të tjerët në varësi të asaj se sa janë ende duke u përkthyer”, tha ajo. “Julio Cortázar-i ishte shumë i përkthyer në një periudhë kohe dhe më pas ritmi i përkthimeve u ul. Mario Vargas Llosa fitoi çmimin Nobel, por edhe më parë gjithçka që shkruante po përkthehej. Nobeli vazhdon të jetë një reklamë e madhe globale.”
Për sa u përket prirjeve mund të thuhet se ka një rritje prej 20% në përkthimin e autorëve nga gjuha spanjolle në vitin 2003, që mund t’i mvishet interesit të krijuar atë vit nga vdekja e Vázquez Montalbán-it dhe Pedro Almodóvar-it duke fituar një Oskar për skenarin e Foli asaj – të tjera faktorët janë në lojë. “Njëqind vjet vetmi” ishte një dukuri më vete, por kur Bill Klintoni tha se Gabriel García Márquez-i ishte një nga autorët e tij të parapëlqyer, kjo pati efekt”, tha Caleya. “Është deri diku sikur Klintoni tha se perëndimi më i mirë i diellit në botë ishte në Granada – dhe Granada u mbush me amerikanë.”
Harta e Përkthimit Botëror, e cila është krijuar në bashkëpunim me Drejtorinë e qeverisë spanjolle për Zhvillimin e Librit dhe Leximit dhe Laboratorit Digjital të Shkencave Humane të Universitetit Kombëtar të Arsimit në Distancë, u zbulua në Cádiz në Kongresin e nëntë Kombëtar të Gjuhës Spanjolle. Megjithatë harta do të ndryshojë në të ardhmen, Caleya është e sigurt se një autor dhe vepra e tij më e njohur do të mbeten gjithmonë pika të përhershme referimi.
“Kishoti është një klasik universal, por nëse shumë nga veprat e krijuesve tanë që shkruajnë në spanjisht në shekullin tonë bëhen gjithashtu vepra klasike universale, atëherë kjo është mëse e mirëpritur”, tha ajo. “Por Kishoti është i pamposhtur dhe do të jetë gjithmonë – pavarësisht se sa Nobel ka.”/Exlibris