E mërkurë, 24 Korrik, 2024

URSULA VON DER LEYEN KËRKON EDHE NJË MANDAT

Ursula von der Leyen planifikon të kërkojë një mandat të dytë si presidente e Komisionit Evropian (KE) dhe këtë priret ta bëjë në një takim të partisë së Bashkimit Kristian Demokrat (CDU) në Berlin të hënën, përcjell KDP.

Drejtuesja e institucionit më të fuqishëm në Bruksel, von der Leyen, 65 vjeç, i ka ruajtur me kujdes synimet e saj gjatë vitit të kaluar, duke shmangur të gjitha pyetjet mbi këtë temë.

Por shpallja e kandidaturës së saj për pesë vjet të tjera do të shënojë hapin e parë në një betejë katërmujore për zgjedhje që mund të përfshijë një fushë më të gjerë, me disa spekulime se kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, mund të jetë një kandidate për këtë detyrë në verë, kur do të bëhet zgjedhja përfundimtare.

Pasi të zgjidhet nga CDU, ajo duhet të marrë mbështetjen e dy partive të tjera brenda Partive Popullore Evropiane (EPP), grupimi i qendrës së djathtë në Parlamentin Evropian, i cili përfshin gjithashtu partitë në pushtet në Greqi, Irlandë, Lituani dhe Suedi.

Më pas, ajo duhet të fitojë një votë në Kongresin e EPP-së në mars, që do të mbahet në Bukuresht, përpara se të përballet me pengesën përfundimtare në qershor, kur fillon “tregtia e vërtetë” mbi postet kryesore në Bruksel.

Sipas procesit të Spitzenkandidaten, zgjedhja e presidentit të Komisionit Evropian është e lidhur me rezultatet e zgjedhjeve të Parlamentit Evropian të planifikuar për 6-9 qershor.

Por ajo që do të ndodhë në qershor do të përcaktohet nga numri i deputetëve që EPP do të ketë pas zgjedhjeve. Në vitin 2019, EPP fitoi shumicën e vendeve dhe mund të priste që kandidati i tyre, Manfred Weber, të emërohej në detyrë. Por ai nuk ishte në gjendje të krijonte mbështetje ndërpartiake me socialistët, të cilët dolën në vendin e dytë, duke paraqitur një tjetër kandidat të profilit të lartë, Frans Timmermans.

Ndarja krijoi hapësirë ​​për von der Leyen, e cila ishte një kandidat surprizë nga qeveria gjermane. “Mos harroni, askush nuk kishte dëgjuar për të në vitin 2019 dhe ajo nga ministrja e mbrojtjes në Gjermani kaloi në punën më të fuqishme në Bruksel brenda disa javësh”, tha një diplomate, duke kujtuar se ajo as nuk bëri fushatë për këtë detyrë.

Në ndarjen e posteve pas-zgjedhore fokusi do të jetë edhe në resorë tjerë të rëndësishëm.

Roli i kryediplomatit, i mbajtur tani nga Josep Borrell, është atraktiv, si dhe i kreut të Këshillit Evropian, i cili lehtëson marrëdhëniet midis kryeministrave dhe negocion pozicionet, shpesh në situata të ndërlikuara si mosmarrëveshja e fundit me Hungarinë për ndihmën financiare për  Ukrainën.

Pas zgjedhjeve në qershor, këto pozicione ka të ngjarë të ndahen midis dy grupimeve të tjera të mëdha politike, aktualisht socialistët dhe demokratët (S&D) dhe grupi liberal i deputetëve Renew.

Të fundit