E enjte, 25 Korrik, 2024

SHTËPIA E BARDHË: RUSIA KA SIGURUAR NJË ARMË SHQETËSUESE ANTISATELITORE

Zyrtarët amerikanë janë duke i analizuar të dhënat që i kanë siguruar për këtë armë të re teknologjike dhe janë konsultuar me aleatët dhe partnerët e vet për këtë çështje.

Shtëpia e Bardhë e ka konfirmuar publikisht të enjten se Rusia e ka siguruar një armë “shqetësuese” antisatelitore, por tha se ajo nuk mund t’i shkaktojë “shkatërrim të drejtpërdrejtë fizik” Tokës.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se zyrtarët e inteligjencës amerikane kanë të dhënat se Rusia e ka siguruar këtë armë, por shtoi se një armë e tillë nuk është ende funksionale.

Zyrtarët amerikanë janë duke i analizuar të dhënat që i kanë siguruar për këtë armë të re teknologjike dhe janë konsultuar me aleatët dhe partnerët e vet për këtë çështje.

“Së pari, kjo nuk është një armë aktive dhe, megjithëse përpjekjet e Rusisë për ta pasur këtë armë specifike janë shqetësuese, ajo nuk përbën rrezik të menjëhershëm për sigurinë e të tjerëve”, tha Kirby.

“Ne nuk po flasim për një armë e cila mund të përdoret për t’i sulmuar njerëzit, apo për të shkaktuar dëme fizike në Tokë”, shtoi ai.

Rusia i ka hedhur poshtë shqetësimet e SHBA-së për këtë armë.

Në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i përshkroi raportimet për armën e re të Rusisë si mashtrim për ta bërë Kongresin amerikan të mbështet projektligjin për ndihmë për Ukrainën.

“Është e qartë se Uashingtoni po tenton ta detyrojë Kongresin të votojë për projektligjin për ndihmë në çdo mënyrë”, tha Peskov.

“Ta shohim se çfarë mashtrimi do të përdorë Shtëpia e Bardhë”, shtoi ai.

Kjo armë është me bazë në hapësirë dhe do ta shkelte traktatin e hapësirës ndërkombëtare, të cilin e kanë nënshkruar më shumë se 130 vende, përfshirë Rusia.

Shtëpia e Bardhë tha se do të kërkojë të bisedojë me rusë drejtpërdrejt për këtë çështje./REL

Të fundit