Në nëntor të vitit të kaluar, Komisioni Evropian (KE), miratoi planin për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor, duke parashikuar investime deri në 6 miliardë euro, 2.1 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi. Të hënën, pikërishtë ky plan ishte temë kryesore e takimit të liderëve të Ballkanit Perendimor me përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-së në Shkup. Çfarë mund të përfitojë Maqedonia e Veriut nga ky fond i BE-së për rajonin? Ekspertët ekonomikë, vlerësojnë se përfitimi i Maqedonisë së Veriut nga fondet e BE-së,varet kryesisht nga aftësia e institucioneve dhe qeverisë për t’u përshtatur me trendet globale. Kryetari i OEMVP- së, Mendi Qyra, në një prononcim për KDP.MK, thotë se deri më tani, praktikat kanë dëshmuar se në rajonin e Ballkaninë Perëndimor, Maqedonia e Veriut ka qenë një ndër shtetet më të dobta në krijimin e kushteve përmes të cilave bizneset dhe qytetarët mund të përfitojnë në përgjithësi.
Shkruan: Enis Shaqiri
Ekspertët ekonomikë, vlerësojnë se përfitimi i Maqedonisë së Veriut nga fondet e BE-së, varet kryesisht nga aftësia e institucioneve dhe qeverisë për t’u përshtatur me trendet globale, pasi të njëjtat pothuajse asnjëherë nuk kanë qenë në një vijë me këto trende të kërkuara nga BE-ja.
Qyra: Institucionet të kërkojnë këshilla nga sektori i biznesit
Kryetari i OEMVP- së (Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore), Mendi Qyra, në një prononcim për KDP.MK, thotë se deri më tani, praktikat kanë dëshmuar se në rajonin e Ballkaninë Perëndimor, Maqedonia e Veriut ka qenë një ndër shtetet më të dobta në krijimin e kushteve përmes të cilave bizneset dhe qytetarët mund të përfitojnë në përgjithësi.
“Deri tani, praktika ka treguar që në rajon kemi qenë ndër më të dobëtit sa i përket krijimit të kushteve dhe kanaleve nëpërmjet të cilave do të përfitonin bizneset dhe qytetarët në përgjithësi, dhe kjo fotografi shihet më mirë edhe te numri i bizneseve të hapura të cilat, si normë nuk shkojnë drejtë një rritjeje, por që tregojnë për një konstantë të vazhdueshme nga viti në vit. Në anën tjetër, vlerësojmë që vendi ynë nuk ka marrë përkrahje dhe nxitje nga institucionet që të fokusohemi drejtë digjitalizimit, teknologjisë dhe modernizimit të çdo sistemi që na rrethon në vend, qoftë në biznes, shëndetësi, arsim apo edhe kulturë, ndërkaq impulset e fundit nga ana e institucioneve në drejtim të digjitalizimit janë minimale duke treguar se vendit tonë i mungon qasja zvhillimore”, thotë ai.
Qyra vlerëson se instituiconet në përgjithësi duhet të kërkojnë këshillën e sektorit të biznesit, sektorit civil, organizatave dhe shoqatave të ndryshme që ndërmarrin iniciativa për ndryshime, me qëllim që kërkimi i fondeve nga BE-ja, të kontribuojë pozitivisht në zhvillimin ekonomik të vendit.
“Vlerësojmë se instituiconet duhet të konsultohen me sektorin e biznesit, sektorin civil, organizatat dhe shoqatat e ndryshme të cilat inicojnë ndryshime, me qëllim që arsyetushmëria e kërkimit të fondeve nga BE, të kontribuojë pozitivisht në zhvillimin ekonomik të vendit, e jo vetëm të përdoren këto mjete, për përshtatje sistemit politik në raport me kërkesat e BE-së kundrejt vendit tonë. Raporti i progresit të Komisionit Evropian, potencoi qartë se vendit tonë i mungon një treg me konkurrencë lojale dhe të lirë, dhe se mbrojtja e konkurencës është në pikëpyetje, ndërkaq paralelisht me të , nuk është ndërmarrë hap konkret në parandalimin e zbrazjes së vendit nga të rinjtë, që edhe më tepër demton kapacitetet konkurruese”, thekson Qyra.
Në hijen e paketës së zgjerimit, Plani i Rritjes i Komisionit Evropian ka qenë temë kryesore e takimit të liderëve të Ballkanit Perendimor me përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-së në Shkup.
Liderët e vendeve të Ballkanit Perendimor kanë njoftuar bashkëpunim dhe reforma për të përdorur paratë e siguruara nga Plani i Rritjes i Komisionit Evropian.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski tha se planin e rritjes së BE-së e sheh si një lehtësues që hap portat për tregun e vetëm evropian dhe për qarkullimin e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve. Plani sipas kryeministrit Kovaçevski, inkurajon miratimin e rregulloreve dhe standardeve evropiane, duke promovuar integrimin si në rajon ashtu edhe në BE.
“Kjo strategji e dyfishtë e integrimit jo vetëm që përshpejton procesin e anëtarësimit në BE, por gjithashtu sjell përfitime të shpejta, rritje të tregtisë dhe investimeve, përmirësim të konkurrencës dhe lidhjes rajonale”, deklaroi Kovaçevski.
O’Brien: Plani i ri i BE-së nuk është si ofertat paraprake
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien,u ka thënë liderëve të Ballkanit Perëndimor se plani i ri i BE-së dallon prej ofertave paraprake.
“Plani i BE-së për rritje nuk është sikurse planet tjera që kemi parë deri më tani. Ai thotë se jo vetëm që duhet të bëni reforma dhe të merrni buxhet më vonë, ai thotë që nëse i bëni reformat e duhura, atëherë kompanitë dhe njerëzit tuaj do të fitojnë liri të BE-së shumë shpejt – lirinë për të lëvizur, për të punuar ku të duan”.
Zyrtari amerikan i ka paralajmëruar liderët e Ballkanit se nuk do të kenë mundësi për të penguar rrugëtimin e njëri-tjetrit, sepse nuk duhet të ekzistojnë çështje të pazgjidhura, dhe se kushdo që tenton të pengojë diçka do të përballet me ndëshkime.
Kur filloi ky plan?
Në fillim tënëntorit të vitit të kaluar, Komisioni Evropian (KE), e ka miratuar planin ambicioz për rritje ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Për ta promovuar këtë plan, edhe para se ai të miratohet, presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, kishte udhëtuar një javë, përpara se të miratohet, në vendet e rajonit. Stacioni i parë i vizitës së saj ishte Shkupi, nga ku edhe e prezantoj në detaje Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Sipas Von der Leyen, paketa e investimeve e planifikuar nga blloku për avancimin e rajonit arrin deri në 6 miliardë euro – 2.1 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi, që nënkupton se nga kjo shumë deri në 2 miliardë eurosh do të shkonin si asistencë pa kthim, ndërsa 4 miliardë në formën e kredive të favorshme apo investimeve kapitale.
Një pjesë e këtyre mjeteve financiare do të mund të shkonin përmes pagesave direkte në buxhetet e vendeve të rajonit për t’u përdorur për këto qëllime. Megjithatë, ndihma për rajonin do të kushtëzohet nga shkalla e reformave të zbatuara në secilin prej vendeve veç e veç.
“Plani për zhvillim do të nxis ekonominë e juaj dhe më e rëndësishme është se do të krijoj vende të reja të punës dhe njëkohësisht do të ju mbështes në rrugën e juaj drejt anëtarësimit në BE. Besoj se kjo është një ofertë e vërtetë në kohë të vërtetë. Plani ka potencial që të shkëpus ekonominë e juaj për një dekadë dhe ky është qëllimi ndërsa do të luaj një rol të rëndësishëm në rrugën e juaj të integrimit”,–ka deklaruar Von der Leyen.
“Konvergjenca ekonomike është element thelbësor për t’i sjellë vendet e Ballkanit Perëndimor më afër Bashkimit Evropian. Në këtë moment, shpejtësia e konvergjencës mes vendeve të rajonit dhe BE-së, dhe niveli i saj nuk është i kënaqshëm – as në aspektin ekonomik e as në atë të reformave. Kjo po e pengon përparimin e tyre në rrugën drejt BE-së”, thuhet në raportin e KE-së.
Halili: Në tavolinë kemi një planë dhe mundësi nga BE – nuk guxojmë ta humbim këtë shans
Zëvendës-kryenegociatorja me Bashkimin Evropian (BE), nga Maqedonia e Veriut, Drita Abdiu-Halili, muaj më parë, i tha KDP-së se plani i Zhvillimit të BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor, do të transformojë rajonin në tërësi, duke nxitur zhvillimin e gjithmbarshëm të tij.
“Plani për Zhvillim to të nxisë zhvillimin ekonomik, do të hap vende të reja të punës dhe do të jetë një mbështetje e mirë për vendin deri në anëtarësimin e plotë në BE”.
Sipas saj, ky plan paraqet një hap shumë konkret dhe real të bazuar në 4 shtylla, që pritet të përshpejtojë integrimin ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.
“Në tavolinë kemi një plan nga Bashkimi Evropian dhe mundësi të cilën nuk guxojmë ta humbim. Ky plan do të na mundësojë të avancojmë shpejtë dhe të kapim hapin me vendet tjera nga Ballkani Perëndimor të cilat tani më një dekadë po negociojnë me BE-në. Ky Plan përveç se do të amortizojë pabarazitë ekonomike mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, do të përshpejtojë edhe procesin reformues, dhe përmes tij qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe Maqedoninë e Veriut do të mund të ndjejnë disa nga përfitimet e Bashkimit Evropian përpara se Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e plotë e BE-së”, ka theksuar Drita Abdiu-Halili, duke nënvizuar se kompanitë dhe bizneset e Maqedonisë së Veriut do të kenë qasje në 7 fusha kyçe të tregut të vetëm të Bashkimit Evropian. “Shtylla e dytë është hapja e tregut vendas ndaj tregut të përbashkët rajonal të Ballkanit Perëndimor, që është një treg me potencial të madh zhvillimor dhe kjo padyshim që mund të rrisë Prodhimin Bruto të Brendshëm të Ballkanit perëndimor për 10%. Nëse duam të hapim dyert e Tregut të brendshëm të BE dhe tregut të përbashkët rajonal të Ballkanit perëndimor, atëherë na nevojitet reforma pozitive për sektorin e biznesit si dhe reforma që do të nënkuptojnë Administratë publike efikase, financa të shëndosha publike, si dhe përmirësimin e ambientit biznesor”.
Çka është plani për rritjen ekonomike në Ballkanin Perëndimor?
Plani i ri për rritje në Ballkanin Perëndimor,i miratuar nga Komisioni Evropian, më 8 nëntor të vitit 2023, i cili është i bazuar në katër shtylla, thotë se “forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së”, do të varet nga përshtatja e vendeve të rajonit me rregullat e tregut unik dhe paralelisht hapja e tregut të tyre në sektorët përkatës për vendet fqinje.
Shtylla e dytë e këtij plani është “forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal”. Kjo, sipas përvojës së BE-së do të ndikojë në një rritje potenciale ekonomike prej 10 për qind.
Shtylla e tretë e këtij plani është “përshpejtimi i reformave fundamentale“. Kjo nënkupton dhe sundimin e ligjit që ndihmon edhe në tërheqjen e investimeve direkte të huaja dhe forcon stabilitetin rajonal.
Shtylla e katërt e planit të ri të Komisionit Evropian për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor është “rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat“. Këtu përfshihet edhe propozimi për 6 miliardë euro ndihmë.