Qeveria e Shqipërisë ka futur ne listën e festave kombëtare, Ditën e Alfabetit, 22 nëntorin. Ky fakt u bë i ditur nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani. Në përfundim të mbledhjes së qeverisë, ministri Hasani njoftoi se Këshilli i Ministrave do t’i propozojë Kuvendit shpalljen e kësaj feste, si festë zyrtare. “Këshilli i Ministrave sapo miratoi një vendim për festat kombëtare dhe ditët përkujtimore. Këshilli i Ministrave po i propozon Kuvendit shtimin e ditës së alfabetit si një nga festat tona kombëtare. Është ditë me simbolikë të veçantë, pasi 22 Nëntori përfaqëson momentin më të madh unifikues të shqiptarëve, që janë të shpërndarë në të gjitha vendet e Ballkanit dhe i bashkon gjuha”, tha Hasani.
Fillimisht, shpallja e Ditës së Alfabetit si festë kombëtare zyrtare u njoftua nga kryemnistri Edi Rama gjatë samitit të Diasporës në nëntor 2023. Rama gjatë fjalimit në samitin e Diasporës, tha se 22 nëntori do të jetë një festë zyrtare. “Dita e Alfabetit e 22 nëntorit të jetë një ditë feste kombëtare edhe në Shqipëri dhe shpresoj që edhe Presidentja e Kosovës t’ia sugjeroj kryeministrit të vet. Unë e dëgjoj Presidentin për veten time”, tha Rama.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë shqiptare gjithashtu tha se shqipëria dhe shqiptarët janë shumë ndryshe ngase kanë qenë kohë më parë.
“Jemi sot në një nivel komplet tjetër nga aq poshtë sa ishim, ku Shqipëria ishte shumë larg së qeni vendi i 10 milionë turistëve apo së qeni vendi i integrimit evropian që organizon samite, kur Kosova shumë larg asaj që është sot, kur në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti luftonte për të drejtën e një flamuri që nuk ishte i barabartë me atë të Maqedonisë së Veriut dhe flamuri shqiptar që vendosej nëpër ballkone mund të ishte një arsye për të shkuar në burg. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë pjesë e pandashme shtetit dhe qeverisjes. Pa folur pastaj për Malin e Zi që nëse do të na thoshin 10 vjet më parë, që një kryeministër shqiptar do të drejtonte qeverinë e Malit të Zi, do të ishte rezultat i një lufte. Do të kujtoj Gjergj Fishtën, kur ai e siguron Gjergj Kastriotin të mos shqetësohet çfarë ndodh në Shqipëri sepse për inat të djallit dhe atyre shqiptarëve që e mbajnë Skëndërbeut me fjalë dhe jo në zemër, Zoti ka me e mbajt Shqipërinë në këmbë me nder dhe lumni”, tha Rama.